Telegrafi

Drejtoresha e Klinikës Infektive flet për gjendjen shëndetësore të zyrtarëve të KQZ-së të cilët dyshohet se u helmuan

Drejtoresha e Klinikës Infektive në QKUK, Lindita Ajazaj-Berisha ka thënë se në këtë klinikë janë hospitalizuar 11 pacientë të cilët dje dyshohet se janë helmuar nga zarfet me vota që kanë ardhur nga Serbia.

Doktoresha Ajazaj-Berisha, ka treguar se gjendja e pacientëve është stabile, dhe se janë duke pritur rezultatet laboratorike për të dalë me diagnozë përfundimtare.

Lexo po ashtu Krejt çka ndodhi gjatë numërimit të votave të ardhura nga Serbia, ku nëntë zyrtarë të KQZ përfunduan në spital

“Në Klinikën Infektive për momentin janë të spitalizuar 11 pacientë, prej tyre 9 femra dhe 2 meshkuj. Gjendja shëndetësore pas ekzaminimeve që iu janë bërë sot është stabile, për momentin jemi duke pritur rezultatet e mostrave që janë marrë”, ka thënë Ajazaj-Berisha.

Doktoresha ka treguar se pacientët të cilët janë dërguar dje në këtë klinikë kishin pasur simptoma të vjelljes, ndryshime në lëkurë në formë të skuqjes etj.

“Pas marrjes së anamnezës nga këta pacientë disa prej tyre kanë pasur mundim, vjellje, ndryshime në lëkurë në formë të skuqjes dhe kruarjes së lëkurës, disa prej tyre në formë të një dermatit, disa kanë thënë se kanë pasur edhe probleme në frymëmarrje, të dhëna tjera nuk kemi”, ka treguar doktoresha.

Ajo ka shtuar se nuk mund të japim diagnozë pa ardhur rezultatet laboratorike dhe pa marrë mendimin e konzeliumit.

“Sipas të dhënave që ka dhënë Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik, duhet së paku 48 orë të presim. Pacientët do të qëndrojnë në klinikë deri sa gjendja e tyre të përmirësohet”, ka thënë Ajazaj-Berisha.

Doktoresha ka shtuar se gjendja e pacienteve shtatzëna është e mirë edhe tek nënat edhe tek bebet.

Ajo ka shtuar se në Klinikën Infektive ditëve tjera nuk ka pasur raste të tilla. /Telegrafi/