Drejtoresha e Gjimnazit të Tetovës, “Kiril Pejçinoviq”, Teuta Kamberi Llalla, ka akuzuar sot këshilltarin e jashtëm të kryetarit të komunës, Sedat Sulejmani, se ditë më parë, ka kërkuar nga ajo që të jep dorëheqje me shkrim nga posti i drejtorit të shkollës.
Teuta Kamberi Llalla këtë rast e ka paraqitur edhe në polici, ndërsa tha se dy persona të punësuar në Komunën e Tetovës i kanë kërkuar të jep dorëheqje pa i dhënë asnjë sqarim.
“U prezantua si i autorizuar nga kreu i komunës dhe kërkoi që deri ditën e sotme ta ofroj dorëheqjen time me shkrim tek kryetari i komunës. Arsyet unë vërtetë nuk i di dhe cili është qëllimi. Kërkova takim me kryetarin e komunës por zotëri Sadati më tha sa edhe pse e kishte parapri kryetari takimin me mua, nuk do të më takojë. Më është shkelur një e drejtë themelore se unë jam person juridik dhe drejtoj një institucion dhe kërkoj nga organet kompetente të më tregojnë se cili është statusi juridik i zotëri Sadatit në komunën e Tetovës dhe me çfarë arsye është angazhuar që të komunikojë me një drejtor shkolle”, tha Teuta Llalla.
Nga komuna e Tetovës, mohojnë të ketë ndodhur një gjë e tillë.
Drejtuesi i sektorit për arsim të komunës së Tetovës Nazmi Dauti, është shprehur se, me drejtoreshën në fjalë, përkundrazi kanë pasur dhe kanë raporte shumë të mira.
“Zyrtarisht nga komuna e Tetovës nuk është e vërtetë që drejtoreshës i është kërkuar dorëheqja, pasi unë, me autorizim të kreut të komunës jam udhëheqës i Sektorit për veprimtari publike dhe ne kemi pasur një bashkëpunim shumë të mirë me drejtorinë e shkollës, konkretisht me Gjimnazin “Kiril Pejçinoviq” dhe për çfarëdo problematike të shfaqur ne kemi qenë në koordinim të vazhdueshëm me drejtorinë. Sa i përket kërcënimeve në fjalë nuk kam informatë se nga ana e komunës, personat në fjalë që ju i apostrofuat kanë kërcënuar drejtoreshën e shkollës”, u shpreh Nazmi Dauti – përgjegjës për arsim.
Rasti u konfirmua edhe nga Policia e Tetovës, nga ku njoftojnë se, personat e apostrofuar, janë thirrur në bisedë informative dhe pas zbardhjes së rastit, do të merren edhe masat me parashtresat adekuate.