Pas debateve të shumta pro dhe kundër doracakut për edukimin seksual, drejtoresha e Arsimit në Komunën e Prishtinës, Jehona Lushaku-Sadriu, ka marr vendim për ndalimin e përdorimit të doracakëve ‘Edukimi Seksual dhe Shëndeti Riprodhues’ për klasat 1-5, 6-9 dhe 10-12 në shkollat e Prishtinës.
Lushaku Sadriu, përveç ndalimit të doracakëve në shkollat e Komunës së Prishtinës, u ka bërë thirrje të gjitha komunave të marrin hapa dhe të ndalojnë përdorimin e këtyre materialeve në shkollat e tyre!
“Është e paprecedentë, se si ky pushtet po keqtrajton familjen kosovare. Është skandaloze se si Ministrja në pushtet në krye të të vetmit institucion përgjegjës për tekstet mësimore ka aprovuar dhe ka promovuar material me përmbajtje perverse”, ka shkruar Lushaku Sadriu në një postim në Facebook, transmeton Telegrafi.
Ajo thotë se “këto tekste në vend se të plasonin njohuri e diskutim bazik për edukimin seksual, kanë paraparë aktivitete në praktikë- prekje me fëmijë nën moshën adekuate. Kjo përmbajtje është jo vetëm e dëmshme, por edhe abuzuese me fëmijët”.
Tutje Lushaku Sadriu ka thënë se “me LDK-në në pushtet do të kthejmë dinjitetin e mësimdhënësve dhe vet institucionit arsimor. Një vend ku fëmijët tanë do të jenë të sigurtë dhe do të kenë mundësi të zhvillohen e marrin dije”.
“Si LDK do të sigurohemi të kemi profesionistë të aftë që kontrollojnë cilësinë e materialeve shkollore që aprovohen nga MASHT. Abuzimi me tekste, dëshmon abuzim me pushtetin; abuzim me familjen dhe fëmijët!”, ka shkruar ajo. /Telegrafi/