Telegrafi

Drejtimi i PD-së, Gjykata e Apelit rikthen çështjen në rigjykim

Pas rreth tetë orësh, ka përfunduar seanca gjyqësore për vulën e Partisë Demokratike, gjatë së cilës nuk u bë asnjë hap konkret për të ecur para në lidhje me fatin e partisë opozitare më të madhe në vend.

Gjykata e Apelit vendosi të shfuqizojë vendimin e gjyqtarit Agron Zhukri, ku automatikisht çështja do të rikthehet në gjykatën e Tiranës për rishqyrtim me një tjetër trupë gjykuese.

Për momentin “timoni” i partisë Demokratike do të drejtohet nga Enkelejd Alibeaj, i cili është në cilësinë e nënkryetarit.

Dy avokatët e Enkelejd Alibeajt, Indrit Sefa dhe Rezart Kthupi pas përfundimit të seancës, kanë dhënë koment për mediat në lidhje me këtë vendim, të cilët u shprehën se kërkesa e tyre u pranua ndërsa deri ditën e hëne PD-ja do të regjistrohet në KQZ për zgjedhjet lokale.

Indrit Sefa: Dua t’ju falenderoj për këtë seancë maratonë dhe u jam shumë mirënjohës që e ndoqët. Sot gjykata vendosi rikthimin e çështjes për rigjykim me një tjetër trup gjykues. Kërkesa jonë u pranua, çështja do rikthehet dhe do gjykohet nga tjetër trup gjykues. Partia Demokratike vazhdon të drejtohet nga organet e saj legjitime ditën e hënë do të regjistrohemi në KQZ. Të gjitha organet legjitime të PD vazhdojnë të kenë kompetencë në parti. Gjykata e Tiranës nuk ka asnjë mundësi të marrë vendimin e z.Zhukri. Nuk është çështje godinash, por mentaliteti dhe drejtësie. Kjo është përfundimtare. Pd ka një seli, atë zyrtare.

Rezart Kthupi: Vendimi i gjyqtarit është nul. Kur flet gjykata nuk ka nevojë për përfundime. Për njerëzit fjalia është e qartë. Vendimi Zhukrit nuk ekziston më. Ka organe legjitime partia. Do t’i marrim njoftimet përmes qelisë. Sot vendimi i Zhukrit u zhbë, a mund ta mbyllim këtë diskutim këtu. Organet përcaktohen nga statute, këtu mbaron historia. Ditën e hënë do ta çojmë dosjen. Në momentin më të parë të mundshëm do të paraqitemi, duke filluar nga e hëna që vjen.

Seanca e sotme në Gjykatën e Apelit ka nisur që në orën 11:00, ku trupa gjykuese e përbërë nga Elona Mihali, gjyqtare relatore, dhe anëtare Irida Kacerja e Astrit Kalaja, ka shqyrtuar ankimimin e Alibeajt për rrëzimin e vendimit të gjyqtarit Agron Zhukri për njohjen e Kuvendit të Berishës të 11 dhjetorit 2021 si legjitim, raporton Top Channel.

Grupi i Alibeajt përfaqësohej në seancë nga avokati Indrit Sefa dhe Rezart Kthupi, ndërsa përfaqësues nga kryetarit të PD-së Berisha, është Ivi Kaso, i cili shoqërohet nga Oerd Bylykbashi dhe Ledina Mandia.

Pasi sot Apeli la pezull çështjen, do të jetë Alibeaj ai që do të futet në zgjedhje me PD-në. Ndërsa nuk dihet ende vendimi që do të marrë Berisha dhe nëse do të gjejë në mënyrë tjetër për të marrë pjesë në zgjedhje.

Ndërkohë, ditën e sotme, ish-kryeministri Sali Berisha mbajti një protestë kombëtare para Kryeministrisë e cila zgjati dy orë. Berisha ka deklaruar për mediat se kjo protestë nuk ka lidhje me gjyqin, ndërkohë që nuk ka dhënë një përgjigje nëse është i gatshëm të pranojë vendimin e Gjykatës së Apelit. Më 25 mars 2022 gjyqtari Agron Zhukri vendosi Sali Berishën si kryetar të Partisë Demokratike.