Telegrafi

Drejtësia të vihet në vend

Topi theksoi se edhe më 21 janar, edhe më vonë i ka bërë apel politikës për dialog. Ai kërkoi që politika të respektojë institucionet, ndërkohë që vuri në dukje se presidenti ka pasur dhe ka komunikim institucional me të gjitha institucionet.

Presidenti shprehu qëndrimin e tij kundër pushtetit, si pushtet i një individi dhe përsëriti thirrjen që partitë t’i rikthehen dialogut politik.

Topi kërkoi hetim rrënjësor, të paanshëm dhe jo politik të 21 janarit, ndërkohë që pohoi se parlamenti ka të drejtën për të ngritur komisioneve hetimore. Por ai nënvizoi se në rastin e mundësisë që ai të dëshmonte në komision, duhej të respektohej linja e konfidencialitetit, e cila sipas tij, në rastin konkret, nuk u respektua.

Presidenti tha se shqiptarët janë ende të pasqaruar për 21 janarin dhe shprehu besimin se sistemi i drejtësisë do ta kalojë këtë sfidë. Ai kërkoi që drejtësia të vihet në vend dhe që të rimëkëmbet besimi. Të gjithë kërkojnë qetësi, siguri tha Topi, duke nënvizuar se politika duhet të dijë të respektojë institucionet.

Presidenti i vendit theksoi se ai nuk do të bjerë pre e presioneve të politikës për ta banalizuar mënyrën e komunikimit mes institucioneve. “Përballja dinjitoze ndaj presioneve të politikës do të sillte shpresën e qytetarëve. Fryma e ligjit dhe ligjet që burojnë nga Kushtetuta mbështesin ushtrimin e pavarur të institucioneve dhe jo në varësinë nga kuvendi apo mazhoranca”, tha ai. /Telegrafi/