Site icon Telegrafi

Drejtësia e munguar për Jasharajt, përgjegjëse mbahet politika

Në ditën e dytë të Epopesë së UÇK-së, edhe këtë vit në 23 vjetorin e rënies historike të familjes Jashari, politikanë përfaqësues të partive politike bënë homazhe pranë varreve të tyre në Prekaz.

Por veç lavdit, asnjë nga ta që e shijuan kush më pak e kush më shumë pushtetin gjatë këtyre dy dekadave, nuk bënë asnjë hap për drejtësinë karshi familjes që u shua këtyre datave gjatë luftimeve nga 5 deri më 7 mars të ’98-ës.

Ish drejtuesi i Institutit për Hulumtimin e Krimeve të Luftës e ka vlerësuar krejt këtë situatë si të mjerë.

Ismet Salihu i cili e drejtoi këtë institucion publik për më shumë se 6 vjet ka treguar se as Instituti nuk është lejuar të bëjë hulumtime në teren, e as stafi prej 6 vetash nuk u mjaftoi për të mbledhur të gjitha provat.

Me ekzekutuesit e Jasharajve nuk u morën asnjëherë as UNMIK-u e as EULEX-i që shërbyen në Kosovë.

Derisa Prokuroria Speciale e Kosovës që tashti merret me krimet e luftës tek një vit më parë ka nisur një hetim paraprak për sulmin e forcave speciale të policisë serbe.

Duke qenë kështu, profesori i të drejtës penale, vlerëson se nëse do të ekzistojë një gjykim për masakrën në Prekaz, do të duhet të bëhet jashtë kufijve e larg gjykatave vendore.

”Për shkak të jehonës dhe krimit makabër që rrallë ndodhë në histori të njerëzimit më mirë do të ishte të gjykohej nga një gjykatë ndërkombëtare dhe tani po funksionon një gjykatë ndërkombëtare penale permanente që nuk merret se a është një shtet pjesë e BE-së a OKB-së dhe procedon”, ka thënë Salihu ndër të tjera.

Për mbledhjen e provave për rastin e Jasharajve dhe krimet tjera të kryera në Kosovë, në dhjetor nisi të rithemelohet për herë të TRETË, Instituti për Hulumtimin e Krimeve të Luftës, i shuar më 2018 po nga politika.

Veç fakteve të gjalla të masakrës, këtyre mund t’ua lehtësojnë punën vetë serbët që nisën të rrëfejnë sulmin makabër.

Një ndër ta është ish polici serb Jovan Guluboviq, i cili ndër të tjera ka thënë se pa me sytë e tij si Adem Jashari është prerë në fyt pas vrasjes.

Exit mobile version