Telegrafi

Drejtësia e interesit në Kosovë

Ndikimi politik, korrupsioni e neglizhenca kanë qenë karakteristikat kryesore të sistemit të drejtësisë në Kosovë që nga paslufta.

Bazat janë vënë në kohën e UNMIK-ut për tetë vjet dhe i njëjti avaz ka vazhduar me EULEX-in, duke krijuar një sistem në të cilin vendorët ndër vite janë akomoduar sipas pazareve të politikës.

Raporte të shumta ndërkombëtare e vendore kanë nxjerrë në pah vazhdimisht këto probleme, të cilat askush nuk ka dalë t’i zgjidhë, shkruan sot “Koha Ditore”.

Janë mënyra e zgjedhjes së anëtarëve të KGJK-së, lufta dyvjeçare për postin e kryeprokurorit, animoziteti rreth imunitetit të ish-kryetarit të Kushtetueses, hetimet e vendimet selektive, duke rezultuar me parashkrime apo “ekspres” veprime… që kanë nxjerrë në pah ndikimin, fraksionet e brishtësinë e sistemit.

Tre vjet më parë, Ministria e Drejtësisë pati propozuar që të ndryshohet Kushtetuta, për t’i hapur rrugë amendamenteve të cilat do të mundësonin zgjedhjen e shumicës së anëtarëve të Këshillit Gjyqësor të Kosovës nga gjyqësori e jo nga Kuvendi. Ky propozim pati dështuar për shkak se nuk ka pasur vullnet politik.

Deputetët, në seancën plenare më 14 mars të vitit 2013 votuan kundër këtyre propozimeve. Edhe sot tetë nga 13 anëtarët e KGJK-së zgjidhen nga Kuvendit, gjë që nga ekspertët e drejtësisë shihet si ndërhyrje e drejtpërdrejtë e politikës në punën e gjyqësorit.

Vit pas viti, kjo çështje theksohet edhe në Raportin e Progresit të Komisionit Evropian (KE), si dhe në raporte të tjera ndërkombëtare e vendore, si ndikim politik.