Parimet mbi të cilat e kishte filluar punën e saj, Gjykata Ndërkombëtare Penale për Ish-Jugosllavi në Hagë (ICTY), nuk ishin ato që vënë në të njëjtën bankë kriminelin dhe viktimën, por mbi parimet e pranuara nga bota e civilizuar, ku përmes dënimit që i bëhet kriminelit, viktima fiton satisfaksion. Synimi parësor i ICTY ishte dhe është që të kontribuojë në paqen e rajonit tonë, e jo që besimin tonë në këtë synim ta kthejë në zhgënjim. Paqja nuk bëhet duke relativizuar kriminelin me viktimën.
Burimi më i madh i zbehjes së shpirtit optimist që kishim për drejtësinë e ICTY ishte ish-Kryeprokurorja Karla Del Ponte, e cila kurrë nuk është marrë me detyrën e saj prej kryeprokuroreje. Ajo foli e shkretojë gjithçka. E gënjeu botën se gjatë mandatit të saj do t’i zinte dy xhelatët më të mëdhenj (Karaxhiqin dhe Mlladiqin) që njeh historia e pas Luftës së Dytë Botërore. Por jo, këtë ajo nuk e bëri. Ajo me teket e saja shpiku gjithçka të paqenë në librin e saj “Gjuetia”. Ish-Kryeprokurorja Del Ponte do të ngelët përherë në mendjet tona si “avokatia” më e madhe e barazimit të kriminelit me viktimën. Pavarësisht kësaj, ne, besimin tonë në drejtësi nuk do ta kthejmë në zhgënjim. Bash për këtë i japim vetës të drejtë të kërkojmë drejtësi për njërin nga komandantët më të shquar të UÇK-së së lavdishme, Ramush Haradinajn, që në kohën kur Del Ponte i ngriti akt-akuzën ishte kryeministër i Kosovës.
Është paradoks ironik kur sheh në të njëjtën bankë të të akuzuarve xhelatët si Karaxhiqi, Mlladiqi, Shesheli, Millosheviqi etj, dhe gjeneralin, i cili mbrojti popullin e tij, Ramush Haradinajn me shokët e tij. Përfitues kryesor i kësaj ironie tragjike është agresori dhe krimineli, që në rastin tonë ishte Serbia. E dimë shumë mirë që ne shqiptarët dhe Kosova kurrë nuk kemi pas probleme me Tribunalin e Hagës, dhe këtë nuk e kemi bërë nga naiviteti, por ngase ndërgjegjshëm kemi mbrojtur vetën dhe kombin tonë. Ne nuk kemi sulmuar as Vranjen as Shabacin, nuk kemi marrë e kërkuar asgjë që nuk na përket neve. Mirë e dimë të gjithë kur me kokën lartë, ish-kryeministri ynë Ramush Haradinaj, pas njëqind ditë pune si kryetar i qeverisë së Kosovës, dha dorëheqje dhe iu dorëzua Tribunalit në Hagë. Ai veproi jo vetëm si politikan, por edhe si gjeneral i cili si në paqe, si në luftë ishte në ballë të frontit. Për këtë, na kujtohet shumë mirë kur zv.Presidenti aktual i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden komentoi shkuarjen e Haradinajt në Hagë, duke e vlerësuar si shembullin më të mirë të njeriut, i cili jo vetëm që beson në drejtësinë, por i cili ballëhapur dhe me ndërgjegje i përgjigjet thirrjes së drejtësisë.
Kurse i ashtuquajturi gjenerali, Ratko Mlladiq për më shumë se pesëmbëdhjetë vite jetoi duke u fshehur nëpër birucat e Serbisë, duke i ikur frontit. Sot, kur shtetit i tij e dorëzoi me forcë për shkaqe politike, gjersa po i lexonin në Beograd arsyen e arrestimit para gjykatës, siç e do rregulli, u desh të kërkohej pauzë nga se “gjenerali” ishte dhier në brekë nga frika. Këtë fakt as mediet në Beograd nuk arritën ta fshehin nga opinioni publik. Pra, ajo që na bënë të irritohemi nga drejtësia e ICTY është fakti i vënies në një bankë të të akuzuarve Ramush Haradinajn dhe gjakatarin brekdhierë Ratko Mlladiq.
Tribunali i Hagës për herë të parë në historinë e ekzistimit të saj, prapë në rastin e Haradinajt ktheu për rigjykim të pjesshëm lëndë e tij, e cila ishte përfunduar me vërdiktin për pafajësinë e plotë. Përveç që na befasoi kjo ngjarje, na mbushi me plotë zhgënjim. Kurse sot, kur dëgjojmë të thuhet se procesi i rigjykimit do të zgjasë mjaftë gjatë, kjo na bënë që t’i afrohemi edhe më shumë zhgënjimit në drejtësinë e Tribunalit të Hagës. Dallim i madh është ky! Por prapë besojmë që drejtësia do të triumfojë, edhe atëherë kur kemi nuanca të zhgënjimit.
Ne si qytetar të Republikës së Kosovës, por para se gjithash institucionet shtetërore të vendit tonë, duhet të japin maksimumin për të mbështetur Ramush Haradinajn. Ikona dhe emblema e gjallë me karakter të fuqishëm kombëtar brenda dhe jashtë kufijve të shtetit të Kosovës, sot ka nevojë për të gjithë ne. Jo vetëm ne, por e gjithë bota nuk duhet të harrojë dhimbjen dhe përvuajtjet që kemi kaluar. Krimet deri në përmasa gjenocidi që kanë ndodhë mbi popullin tonë, duhet të jenë alfa dhe omega e unifikimit në mbrojtjen e atyre që kontribuuan më së shumit për shtetin tonë.
Drejtësia është ajo në të cilën kemi besuar ne, bashkudhëtarët e gjeneralit Haradinaj dhe të shokëve të tij, pa dallime politike, bindjeje religjioze e kulturore. Duke besuar në të drejtën tonë për liri e zhvillim kombëtar ballëhapur i kemi treguar botës, se shtetin e duam dhe e meritojmë. Sot kur shtetin e kemi, presim që me të gjitha kapacitetet e saja të qëndrojë afër heroit dhe për heroin. Ndjenja që shteti qëndron në mbrojtjen e çdo njërit, do të krijonte dashurinë për të, kurse nëse kjo nuk qëndron prodhon efekte jo të mira. Ne e kërkojmë drejtësinë për Ramush Haradinajn, nga se, siç thotë një fjalë e urtë, – Për të pafajshmin shumë i rëndësishme është vërtetimi i pafajësisë së tij.
(Autori është kryetar i AAK-së, Dega në Podujevë)