Site icon Telegrafi

Drejtësi për Nikun tonë

Vlora Nikçi dhe Kreshnik Hysaj (foto e vitit 1998)

Dajës tim të vogël, Kreshnik Hysaj (1983-1999)

Më 7 Maj, pa ra terri, u dëgjua nji breshëri e madhe plumbash n’mal. U tha se po luftojnë ushtritë ndër veti, të armatosuna deri n’dham, ballë për ballë.

Aq shumë breshëri plumbash pati, sa u zhvesh mali i tanë prej gjetheve t’veta. Plumbat i ndali britma e motrës duke e thirr emnin e tij. Ra heshtja e madhe. U turrën hienat me pa se kush ra.

Nga gjethet nuk i shihej mirë trupi, po veç çanta më libra e fletore të çkaperderdhuna përmbi bar e mbi lule.

I hoqën gjethet shpejt e me turr e me ia pa fytyrën e tij fëmijënore me faqe t’trasha e buzë trandafili. Ishte në të rrahunat e fundit.

U panë n’sy me paramilitarët serbë. U lut me vdek n’atë çast, sepse kishte dëgjua plot tregime se çfarë tmerresh dinë ata me ba. I pushoi zemra aty para një ushtrie e policie të armatosun kokë e kambë.

Nga inati që pushoi pa za, ata diçka banë e s’e di çka, por trupi i tij nuk u gjet. Nëpër andrra të më të dashurve të tij moshatarë, ai e tregoi vendndodhjen e vet.

Baba plak, si Uka i bjeshkëve, ia mblodhi librat dhe fletoret me vjersha t’pa përfundueme.

Atë ditë në varrimin e copave të tij të mbetura, ishin i madh e i vogël. Si vjershë e kujtojnë krejt vajtimin e Ajkunës për Omerin e saj.

Ajkuna e tij troi e mallkoi barin që ia piu gjakun, dheun që e mori brenda; troi dillin që ia shterroi faqet, gurët, tokën e lisat që ishin dëshmitarë, e edhe ato nana qe lindën bisha për t’marrë engjuj.

Me fletoret e tij nën sqetull, Ajkuna i rroku tetan që ishin aty për me përshendet t’voglin e saj.

E vetmja kujtesë që i mbeti asaj ishin rreshtat e pa kryem të vjershës së tij.

Dhimbja e saj nuk kishte shërim, ajo ia humbi çdo kujtim tjetër.

Me atë vjershë në pëshpërim, e mori dheu i tij, prandaj Kosovës po i lulëzon jeta.

Drejtësi për më të dashurit tanë qe dhanë jetën për liri. Drejtësi për Nikun tonë te vogël!

Kreshnik Hysaj 15-vjeçar, pak para se të vritej nga forcat serbe

 

Exit mobile version