Le Corbusier (Charles-Édouard Jeanneret, 1887-1965)
Përktheu: Artan Raça
Një epokë e madhe po fillon. Ekziston një frymë e re.
Industria e vrullshme si një lumë që rrjedh në shtratin vet, na sjell mjete të reja dhe të domosdoshme në këtë epokë të mbushur me një frymëzim të ri.
Ligji ekonomik administron rreptë punën tonë dhe konceptet tona janë të realizueshme vetëm nëpërmjet tij. Problemi i banesës është problem i kohës. Nga ky problem varet ekuilibri i shoqërisë sot. Në një epokë shndërrimesh, arkitektura ka si detyrë parësore atë të rivlerësimit të vlerave, rivlerësimin e elementeve përbërës të banesës. Prodhimi në seri është i bazuar në analizën dhe eksperimentin.
Industria e madhe duhet të merret me ndërtime dhe të prodhojë në seri elementët e banesës.
Duhet krijuar prirja e prodhimit në seri. Prirja e ndërtimit të banesave në seri. Prirja e të banuarit në banesa në seri.
Prirja e konceptimit të banesave në seri. Në qoftë se çrrënjosen nga mendja e zemra e secilit konceptet e vjetruara mbi banesën dhe çështja të kapet në mënyrë kritike e objektive, do të arrihet në banesën-mjet, banesën në seri, të shëndetshme (edhe moralisht) dhe të bukur për nga estetika e përdorimit të instrumenteve të punës që shoqërojnë qenien tonë.
Të bukur gjithashtu edhe për gjallërinë që shija artistike mund t’ju sjellë edhe organizmave më të ftohtë e të thjeshtë të saj.