Historiani i artit Zef Paci, përmes një bisede në Galerinë Kombëtare të Arteve, u ndal tek arti i Edi Hilës. Objekt i bisedës së lirë nuk ishte përshkrimi i jetës së piktorit, por ngjarjet që ndikuan në veprën e tij. Paci u shpreh se Hila është nga ata artistë që ndjekin thirrjen për pikturën, ndërtojnë një marrëdhënie me të pa e ditur se çfarë do ta presë.
Paci rrëfen për Hilën se në fillimet e rrugëtimit të tij, ashtu siç edhe ai vetë e ka pohuar, është i mbarsur me një adhurim për autorët e viteve ‘400, e më tej për klasikët si dhe disa neoklasikët e shekullit XIX me një tërheqje ndaj pararojave artistike të shekullit XX. Hila joshet ndër të tjera nga misteri i metafizikëve, Savinio si dhe revista “Valori Plastici”. Ndihet edhe ndikimi i atmosferës vendase, siç janë arkitektura e Shkodrës dhe i artistëve shqiptarë, si Idromeno.
“Përjashtimi dhe mënjanimi prej artit e jetës sociale e çuan të merrej me realitetin që po e provonte në lëkurë. E gjitha kjo mbështetur në një mendim vërtet personal e jashtë skemave orientuese e imponuese të socrealizmit. Gjithsesi për të nuk ka qenë e lehtë, pasi ka pasur trysni që tentonin t’i ofronin atë lloj qetësie e komforti që mund të të korruptonte dhe njëkohësisht të të shkatërronte shpirtërisht”, thotë Paci.
Fundin e viteve ’80 dhe fillimi i viteve ’90 Paci e cilëson si momentin kur piktori arrin të rehabilitohet. Në këtë periudhë Hilën e ftojnë të japë mësim në Akademinë e Arteve. Në vitet ’90 artisti do të fillojë të marrë pjesë vazhdimisht në “Onufri” dhe në Bienalen e Tiranës. Paci thekson se Hila nuk arriti të bëhej deri në fund zyrtar i përhershëm në këto aktivitete. Sipas tij, piktori ka pasur përulësinë ta lejojë realitetin të mbërrijë tek ai, të ketë ndershmërinë ta pranojë dhe t’i bëjë vend. /Report TV/