Çdo burrë ka shijet dhe parapëlqimet e tij. Dikush parapëlqen një grua energjike, dinamike, moderne. Një tjetër parapëlqen një vajzë të pafuqishme, e cila do të ketë nevojë për mbrojtjen e tij burrërore. Njëri dashurohet pas asaj gruaje që e "deh" me puthjet dhe "xhiblat’ e saj, kurse ndonjë burrë tjetër interesohet vetëm për një vajzë, për të cilën është i sigurt se nuk do të mund ta provojë para martesës.
Pra, gruaja e re që do të fitojë me gjithmend dashurinë e një burri, para së gjithash, duhet të zbulojë tipin ideal të gruas që parapëlqen burri dhe pastaj të bëjë përpjekje që të përngjasohet me të sa më tepër.
Mos bëni përpjekje t’i ndryshoni shijet e burrit, për t’ia përshtatur vetes. Ky do të jete një mundim i kotë nga ana e grave. Ose, më mirë, kjo do të ishte një mënyrë më e sigurt që ta bëni t’ju largohet. Burri është që është, sepse ashtu i pëlqen të veprojë dhe te nuk dëshiron të ndryshojë. Ju gratë mbase është më mirë që të ndryshoni po të jetë nevoja që të përputheni me prirjet e tij.
Si do ta hetoni dhe do ta saktësoni, tipin e gruas që i pëlqen atij? Njëra mënyrë është kjo: të hetoni lidhjet e tij erotike të mëparshme. Kështu kur të merrni vesh e të zbuloni se ai kishte lidhje të përhershme me një femër të caktuar, atëherë duhet të bëni përpjekje për të mësuar sa më tepër të dhëna për atë grua e madje do të ishte më mirë që të njihen me vetë atë grua, me qëllim që ta hetoni nga afër dhe ta studioni mirë. Çfarë lloj femre është? Cilat janë njohuritë e saj? Çfarë lloj argëtimesh parapëlqen? Është dorëlëshuar në puthjet dhe ledhatimet apo e përmbajtur dhe e kujdesshme?
Shkurt gruaja e interesuar duhet të bëhet pak detektive me qëllim që të mund të grumbullojë sa më shumë të dhëna. Ajo duhet të dijë se mundimet që do të bëjë në këtë drejtim janë shumë të dobishme: sepse në fund të fundit, kjo mënyrë është një lloj për të tërhequr dashurinë e burrit.
Përpiquni, gjithashtu të mermi vesh dhe të saktësoni pse i prishi ai marrëdhëniet me gruan tjetër, me qëllim që t’ju shmangeni po atyre gabimeve.
Ekziston edhe një mënyrë shumë e thjeshtë që ju të njiheni me parapëlqimet e ta pyesni atë vetë drejtpërsëdrejti. Shumica e burrave nuk kanë asnjë kundërshtim të tregojnë dhe të përshkruajnë tipin e gruas që parapëlqejnë.
Dhe tani një ‘dredhi’ e dytë strategjike në luftën që ta bëni burrin për vete: mundohuni që ai t’ju ngarkojë me ndonjë punë të tij që të ketë lidhje me llojin e punës që parapëlqen ose me profesionin e vet. Që nga ai çast që do të arrini plotësisht këtë kërkesë, ai do të fillojë t’ju simpatizojë më tepër. Kjo është dukuri e çuditshme, por ndodh kështu dhe jo ndryshe.
Kriminalisti i njohur Huber, pas një vargu vërejtjesh dhe studimesh që ka ndërmarrë, vërteton se kriminelët e rrezikshëm, zakonisht nuk trazojnë ata që nuk mund të kenë bërë ndonjë marrëzi. Natyrisht që burri të cilin ju dëshironi ta fitoni, nuk është kriminel, por edhe ai i nënshtrohet psikologjise njerëzore. Kështu, po të ndodhë që t’ju bëjë ndonjë shërbim, ai do të ndjejë një farë prirje ndaj jush – megjithëse në pamje të parë, duket sikur është e logjikshme e kundërta, domethënë që ju të ndjeni dhe të shprehni ndonjë prirje ndaj tij, si mirënjohje për të mirën e tij.
Është vërtetuar se burri, shpesh fillon të mos e simpatizojë në ndërdijen e vet – një femër që e ka ndihmuar në një çast të vështirë që ka përjetuar, sepse ai shërbim i gruas krijon te burri kompleksin e inferioritetit. Burrit nuk i pëlqen aspak që ta ndihmojë gruaja. Kurse po t’i ndihmojë asaj, këtë e konsideron si diçka të natyrshme dhe qysh prej atij çasti e ndjen veten më të lidhur me atë. Fillon të interesohet më tepër për këtë grua dhe e përfill si një pjesë të vetes së tij. Gjersa ai i kushtoi asaj kohë dhe përpjekje, pa patur ai vetë asnjë fitim nga një gjë e tillë, e ndjeu se ajo iu soll në mënyrë fisnike dhe pa ndonjë interes. Ne brendësinë e tij, i është mirënjohës, sepse ajo krijoi mundësinë që të shfaqë ndjenja të tilla të larta.
Nga pikëpamja psikologjike, ky është shpjegimi i simpatisë që ndjen për ju burri kur bëni një shërbim. Ju,madje mund ta përforconi akoma më tepër këtë simpati të burrit nëqoftëse shprehni, mirënjohjen e sinqertë për gjithçka që ka bërë për ju. Falënderojeni me entuziazëm. Kurrë mos bëni gabimin që t’i tregoni se nuk e vlerësoni favorin e tij – qoftë edhe kur ky favor ka qenë i parëndësishëm. /Telegrafi/