Telegrafi

Dramë në spitalin e Kenisë, shpallet i vdekur – zgjohet nga morgu duke u ankuar për dhimbje të mëdha

Një dramë e vërtetë është zhvilluar në spitalin Kapkatet në Kericho të Kenisë, pasi që një pacient 32-vjeç u zgjua në morg.

Burri PeterKiplangat Kigen ishte dërguar një ditë më herët në spital, pasi kishte humbur vetëdijen në shtëpinë e tij, transmeton Telegrafi.

“Kigen kishte probleme me lukth, gjë që me urgjencë e dërguam në spital”, ka deklaruar daja i tij Denis Langat.

Ai shtoi se infermierja që e kishte pranuar Kigenin në spital, vetëm sipërfaqësisht e “kishte kontrolluar” para se Peterin ta shpallte të “vdekur”.

Personeli i spitalit më pas e kishin dërguar në morg, ku kanë filluar procedurat për përgatitjen e kufomës për ceremoninë varrimit.

E sipas dajës së tij, punonjësi i morgut ia kishte prerë paksa këmbën me brisk me qëllim që t’i fut një materie që e ruan kufomën nga dekompozimi.

Por, ai është këndellur dhe ka filluar të bërtasë nga dhimbjet e mëdha, e personat që ishin afër tij kanë filluar të ikin duke menduar se “i ndjeri është një shpirt i ligë”.

Mediat e Kenisë raportojnë se Peter është rikthyer në dhomën e spitalit, ku i është ofruar ndihmë e parë dhe aktualisht po shërohet.

Në anën tjetër, familjarët e pacientit po kërkojnë drejtësi, duke akuzuar menaxhmentin e spitalit për neglizhencë. /Telegrafi/