Pasdita krijoi një situatë tejet të tensionuar në Kuvend të përcjellë me fishkëllima, të bërtitura, duartrokitje dhe këngë. Deputeti i LSDM-së Oliver Spasovski kërkoi që shumica e re të ngrihet në këmbë për të marrë në duar institucionin, përcjell Telegrafi Maqedoni.
Kërste Mukovski nga OBRM-PDUKM-ja, nga ana tjetër papritur filloi të këndojë himnin e Maqedonisë që bëri të ngrihen në këmbë të gjithë deputetët. Megjithatë pas himnit, deputetët e LSDM-së njëzëri dhe më këngë, kërkuan përgjegjësi nga Nikolla Gruevski dhe përfundimin e tij në burgun e Shutkës.
Në një ndërhyrje procedurale deputeti i Besës, Zeqirja Ibrahimi tha se nëse u thye rregullorja për ndërhyrje procedurale duke u kënduar himni i Maqedonisë edhe ai do të këndojë himnin shqiptar.
Menjëherë pas përfundimit “ndërhyrjes procedurale”, udhëheqësi i seancës konstituive Trajko Veljanovski e përmbylli vazhdimin e seancës konstituive edhe për sot. Megjithatë deputetët e shumicës parlamentare por edhe ata të OBRM-PDUKM-së kanë refuzuar të largohen./Telegrafi/