Juventusi e ka nisur me fitore sezonin 2018/2019 në Serie A duke fituar në udhëtim te Chievo (3-2), në ndeshjen ku debutoi Cristiano Ronaldo.
Stadio Marc’Antonio Bentegodi ishte arena e këtij takimi, në të cilin Bianconerët e dominuan pjesën e parë, mirëpo pas 45 minutave shifrat ishin të barabarta (1-1).
Rezultati u zhbllokua që në minutën e tretë kur Sami Khedira realizoi pas një asistimi të Giorgio Chiellinit me kokë.
Mysafirët krijuan raste të shumta gjatë pjesës së parë, të cilat nuk i konkretizuan, ashtu që erdhi ndëshkimi. Pas një harkimi në zonë nga Emanuele Giaccherini, Mariusz Stepinski shënoi me kokë për ta barazuar rezultatin (38′).
Në pjesën e dytë u akordua penallti në favor të vendasve dhe Emanuele Giaccherini e përmbysi rezultatin nga pika e bardhë (56′).
Me inkuadrimin e Mario Mandzukicit dhe Federico Bernardeschit në lojë, skuadra e Massimiliano Allegrit u bë shumë e rrezikshme duke krijuar raste të shumta.
Pas një harkimi nga këndi të Federico Bernardeschit, Leonardo Bonucci e barazoi rezultatin me ndihmën e Mattia Banit (75′).
Juve realizoi sërish me anë të Mario Mandzukicit, mirëpo goli u anulua përmes VAR-it, pasi Cristiano Ronaldo e kishte prekur topin me dorë në momentin e asistimit.
Në minutat shtesë, Zonja e Vjetër e riktheu epërsinë përmes Federico Bernardeschit, i cili e shënoi golin e fitores (90’+3).
Në këtë ndeshje, nga minuta e parë debutuan transferimet e reja, Cristiano Ronaldo dhe Joao Cancelo, si edhe i rikthyeri Leonardo Bonucci. Gjatë ndeshjes u inkuadrua edhe Emre Can.
Në xhiron e dytë të Serie A, Juventusi luan kundër Lazios në Torino, ndërsa Chievo është mysafir i Fiorentinas. /Telegrafi/