Site icon Telegrafi

Drama jetësore e legjendarit Falcao, ai për pak humbi gruan dhe pesë fëmijët

Sulmuesi legjendar, Radamel Falcao u kthye së fundmi në Kolumbi për të luajtur për Millonarios, por humbi ndeshjen e kësaj fundjave për shkak të dramës familjare.

Në shtëpinë e tij në Bogota, gruaja e tij Lorelei Taron, pesë fëmijët e tij (Dominique, Annette, Desiree, Jedidiah dhe Heaven) dhe dy kushërinjtë e tij pësuan helmim nga monoksidi i karbonit (një rrjedhje gazi) dhe u desh të shtroheshin menjëherë në spital. Ishte shërbëtorja ajo që i shpëtoi.

“Ndodhi që ne ndezëm ngrohësin që nuk kishte dalje dhe monoksidi i karbonit na helmoi të gjithëve. Kaluan shumë orë pasi e ndezëm dhe menduam se era ishte normale”, ka shpjeguar fillimisht gruaja e Falcaou në rrjetet sociale.

“Papritur u shfaq një erë shumë e fortë dhe zonja që na ndihmon në shtëpi ajo filloi të bërtiste hajde të dalim jashtë shpejt, sepse era ishte e padurueshme, Annette po qante se ndihej keq, Jedidiah po flinte, dhe unë pata botën përmbys. Domi, Heaven dhe Desi gjithashtu e ndjenë atë, sepse filluan të kenë simptoma si të vjella dhe dhimbje koke”.

 

Falcao nuk mundi të luante ndeshjen për këtë shkak dhe u kërkoi falje tifozëve dhe falënderoi të gjithë për mesazhet e mbështetjes, e veçanërisht stafin e spitalit për ndihmën e familjarëve të tij.

Sulmuesi legjendar u rikthye në atdheun e tij në fund të karrierës së tij pasi më parë kishte luajtur për River Plate, Porto, Atletico Madrid, Monaco, Manchester United, Chelsea, Galatasaray dhe Rayo Vallecano. /Telegrafi/

 

Exit mobile version