Autor: Ilir Muharremi
Korita dikur ishte aktor i njohur, krenohej me rolin e tij të ngushtë të Leninit, e ndjente në shpirt, përpiqej të merrte frymë sikur ai, bënte bujë me rolin , të gjithë flisnin në superlativ dhe fjalë miradije për të.
Mendoj se meriton një analizë të thellë dhe thelbësore , filmi veçohet për nga personazhet e krijuara me një dinamizëm të thellë dhe të qartë. Fillon në oborrin e një shtëpie të moshuarish, Lenini aktor, i interpretuar nga Filipi, teksa bisedon me një gomar të vogël, ia tregon atij bustin e Leninit, me fytyrën gjysmë të thyer, duke i pëshpëritur me fjalët: “O bir, ky është Lenini dhe kjo dikur ishte shtëpi e të moshuarish”.
Shumë profesionalisht thellohet Filipi në rolin e tij, ai na paralajmëron se në vazhdimësi na pret një dramë e vërtet. Me një dialog interesant nis ky film dhe mbaron me të njëjtët protagonistë dhe me të njëjtin dialog dhe në të njëjtin vend.
Filmi ka një fillim dramatik e që në vazhdimësi shndërrohet në komedi, e cila lind nga problemet e sinqerta të ngjarjes dhe personazheve, fytyrat e tyre janë të vuajtura dhe të zbehta, respekti i shtetit është në nivel të ulët ndaj këtij grushti pleqsh, injoranca tejkalon kulmet e normales, dhuna ushtrohet pa mëshirshëm ndaj tyre, mendoj se kjo është një qëllim i regjisorit, ta nxitë qeverinë dhe shtetin, ta shtojnë përkujdesën e jo ti hedhin sikur lecka të ndyra, në një gropë e cila është pronë e një italiani, e vazhdimisht ju rrezikohet t’iu merret.
Bukur mirë regjisori nxitë shtetin e Shqipërisë nëpërmjet artit të tij komik dhe dramatik. Streha ku ata banojnë i del pronari një biznesmen që ka vënë diktaturën për kryetar bashkie në qytet. Ndërsa, të strehuarit që janë të moshave të shtyra i kundërvihen vendimit të Komisionit të Pronave për anulimin e tij.
Gradualisht me kërkimin dhe eksplorimin e fuqishëm të tyre, ata zbulojnë se kandidati për kryetar bashkie i ka falsifikuar dokumentet e pronësisë dhe kërkon të përvetësoj një pronë që nuk i takon.
Personazh më dramatik i këtij filmi është drejtoresha e kësaj strehe, ajo arrin të mbaj dramën, ta nxjerrë nga brendësia e saj, ta “filtroj” nëpërmjet mendjes, e ta ekspozoj dukshëm dhe shumë realisht, ndërsa shumica e personazheve duke u nisur nga aktori Mirush Kabashi i cili luan një fotograf të shkëlqyer, Margarita Xhepa, një personazh të dëshpëruar, kanë shkëlqyer me interpretimet e tyre të sakta.
Veçoj, rolin e Kabashit, i cili gjatë fillimit e deri në fund është i pasionuar pas fotografive pornografike, e adhuron epshin, por asnjëherë nuk e shfryn atë fizikisht, por vetëm vizualisht, kënaqet me imagjinatën e tij seksuale. Ai aq shumë e përjeton rolin, saqë shpesh herë përcjellë edhe emocione te tepruara të thella.
Në vazhdimësi, bëhet personazhi me komik, më sfidues, brilant dhe nganjëherë edhe ekspresiv, ku tenton ta vras vetën me një helm, por për çudi shpëton i gjallë. E tërë kjo strehë e pleqve, duket sikur një arenë mbrojtëse ndaj gladiatorëve të shtetit të cilët i kanë shpatat tejet të mprehta, ose sfidues ndaj makinerisë së pamëshirshme të shtetit i cili as që brengoset me personat e pa mbrojtur, me personat të cilët të ardhurat materiale i kanë në duart e këtij shteti, e me këto të ardhura ata mezi i blejnë barërat.
Mendoj se regjisori është futë në atë problematikë, ka inauguruar sfidën ose sekretin e një realiteti të madh artistik, por është dashur ta prek vetëm një zhanër ose komik ose dramatik.
Ana komike në këtë film është e tepërt, është si një mish i egër, sepse jemi të vetëdijshme se çka është duke ndodhur me këta pleq, padrejtësia, andaj, personazhet komike tregojnë jo seriozitetin e problemit real, e humbasin atë efektin e thellë, fillon drama, kurse komedia e rrënon nw mënyrë totale.
Regjisori është përpjekur të bëjë një gërshetim të gabuar regjisorial do ta quaja unë, një gërshetim të panevojshëm zhanresh, e ngufatnin njëra tjetrën, thjeshtë armiqësoheshin dhe lindnin një krijim të ri që unë do ta quaja “Monotonia”.
Nganjëherë, disa personazhe gjatë interpretimit, në sytë e tyre dhe mimika, që ata mendonin të fshehta, e ishin tejet të qarta, do ti quaja naive. Prapa syve të tyre fshiheshin ndjenjat e së ardhmes, menjëherë paralajmëronin situatën në vazhdim, mendoj se kjo gjë nuk guxon të ndodhë, por edhe nëse duhet të ndodh, ne si shikues nuk guxojmë ta zbulojmë.