“Unë nuk dua zgjedhje të reja, ju nuk doni zgjedhje të reja”, deklaroi Boris Johnson nga foltorja e tij në Downing Street, të hënën në mbrëmje. Por, kjo deklaratë po lexohet ndryshe: Nëse vërtet 20 konsevatorë dalin si rebelë dhe të martën votojnë me opozitën, atëherë kryeministri do ta konsiderojë këtë si votëbesim. Nëse humbet, atëherë ai do të ishte i detyruar të shpallë zgjedhjet e reja parlamentare. Në luftën për pushtet mes Parlamentit dhe kryeministrit bëhet fjalë për lëvizje strategjike dhe se kush arrin të manovrojë palën tjetër.
Boris Johnson deklaroi se është “me besim për progresin që po bëjmë”, duke pasur parasysh me këtë synimin për rinegociimin e marrëveshjes me BE-në. Por, ky progres është vetëm në përfytyrimet e Boris Johnsonit, sepse në Bruksel nuk janë zhvilluar bisedime konkrete për këtë. Britanikët duhet të sjellin ide të reja nëse duan ta fshijnë Backstopin – rregulloren e kontestuar për ruajtjen e kufirit të hapur mes Irlandës dhe Irlandës Veriore. Këtë e bëri të qartë kancelarja gjermane dhe presidenti francez në bisedimet e fundit me kryeministrin britanik.
Por, Boris Johnson krijon përshtypjen sikur kërcënimi me një Brexit të çrregullt pa marrëveshje do të bëjë që të gjunjëzohen evropianët. “Mos ia prisni këmbët pozicionit negociues britanik”, paralajmëroi ai rebelët në radhët e veta, para seancës vendimtare të parlamentit. “Pengojeni një zgjatje të pakuptimtë të Brexit-it”, kërkoi ai, duke pasur parasysh, planet për bllokimin e tij përmes një ligji të përshpejtuar dhe detyrimin për të kërkuar sërish një shtyrje afati me BE. Këtë nuk do ta bëj “në asnjë rast”, ka thënë Johnson.
Ka dy mundësi: Boris Johnson mund ta injorojë këtë ligj, një mundësi që njëri nga ministrat e kabinetit e ka përmendur ndërkohë. Ose, Johnsoni shpall zgjedhje të reja, duke i hedhur letrat mbi tavolinë e duke shpresuar në fitore me një shumicë parlamentare për një Brexit të ashpër.
Njëzetë rebelë janë numëruar në ditët e fundit në radhët e konservatorëve. Këtu bën pjesë edhe Philipp Hammon, ministër i Financave në Qeverinë e Theresa Mayt, grupi i pro-evropianëve dhe konservatorëve të moderuar. Ndërkohë, Boris Johnson i ka kërcënuar rebelët me përjashtimin nga partia ose bllokimin e kandidaturave të atyre që dalin kundër në zgjedhjet e reja.
Planet e opozitës dhe kundërshtarëve të Johnsonit nga radhët e konservatorëve të Toryt parashikojnë të martën të marrin në dorë agjendën e Parlamentit dhe të kalojnë një ligj të ri. Ky ligj duhet të detyrojë kryeministrin të kërkojë tek BE zgjatje të afatit, nëse deri në samitin e BE më 17 tetor nuk është negociuar një marrëveshje e re. Por, mund të ndodhë që Boris Johnson t’u hedhë dorashkën e duelit kundërshtarëve me shpalljen e zgjedhjeve të reja para votimit dhe të kërkojë më parë për këtë votën e Parlamentit. Nëse ai do të bënte për vete dy të tretat e Parlamentit, Parlamenti shpërndahet dhe nuk mund të ndërmarrë asgjë për të penguar një Brexit të ashpër.
Të hënën, ish-kreu i partisë laburiste, Tony Blair, paralajmëroi partinë e tij nga joshja për zgjedhje të reja. Kjo mund të jetë “një grackë elefanti” për laburistët, sepse nëse ato zhvillohen para datës së Brexit-it, votat e opozitës do të ndaheshin dhe do t’u siguronin konservatorëve fitoren në bazë të sistemit britanik. Pas rënies së ndjeshme të laburistëve në zgjedhjet evropiane, shumë anëtarë të partisë nuk besojnë se Corbyn do arrijë të mundë Boris Johnson në zgjedhje.
Por, kreu i laburistëve, Jeremy Corbyn, u dha një sinjal përkrahësve të tij. “Unë jam i gatshëm, ju jeni të gatshëm”, tha ai dhe konfirmoi, se do të ishte pro zgjedhjeve të reja. Laburistë të tjerë mendojnë se më e rëndësishme është që të arrijnë në Parlament miratimin e ligjit “No deal”, sesa ta fusin vendin në një fushatë të re zgjedhore.
Një problem tjetër në këtë konstelacion të vështirë britanik është se Boris Johnsoni ka kompetencën të zgjedhë vetë datën e re të zgjedhjeve. Edhe nëse i lë deputetët të votojnë më 14 tetor, mund të vendosë datën e zgjedhjeve pas Brexit-it. Që do të thotë se Britania e Madhe del nga BE pa marrëveshje më 31 tetor dhe në nëntor mund të shpresojë në votat e atyre që e donin Brexit-in, edhe atë atyre që mbështesin tani Nigel Faragen dhe partinë e Brexit-it.
E gjitha kjo është një lojë e vështirë politike. Boris Johnson është futur në një luftë ultimative me Parlamentin dhe është i gatshëm të flakë të gjitha traditat dhe rregullat për ta bërë të dëgjueshëm. Nëse kjo nuk mjafton, atëherë nxjerr nga xhepi kartën e zgjedhjeve të reja. Për shumë konservatorë rebelë kjo do të thotë humbje e posteve politike dhe karrierës partiake. Boris Johnson mund ta fitojë, por edhe ta humbasë këtë bast. Ai është një njeri që e bën fushatën zgjedhore shumë më mirë se Theresa May, por e sigurt nuk është asgjë në Britaninë e Brexit-it.