Telegrafi

Dragoti mungon në festivalin e Durrësit

"Dua t‘ju përcjell urimet e mia të gjithë pjesëmarrësve të Festivalit Ndërkombëtar Veror të Filmit në Durrës. Kjo është një arritje e madhe për ju dhe Shqipërinë, sepse, falë përpjekjeve tuaja, Shqipëria dhe Ballkani do të njihen nga komuniteti botëror i filmit si një burim i madh krijues dhe do të shihen si një treg filmi për t‘u marrë në konsideratë”, ka thënë Dragoti në letrën e tij, të cilën e ka botuar gazeta “Shqip”.

"Arti, mbiemri i qytetit tim". Me këtë slogan domethënës do të shoqërohet deri në fund Festivali Ndërkombëtar Veror i Filmit në Durrës, i cili tashmë është në përgatitjet e fundit. Ai synon të promovojë Shqipërinë në botën e filmit dhe vlerat e qytetit organizator, Durrësit.

Filmat e përzgjedhur vijnë nga Italia, Sllovenia, Gjermania, Turqia, Serbia, Kroacia, Norvegjia, Çekia dhe Iraku dhe në të shumtën e tyre janë bashkëprodhime midis dy vendeve. Organizatorët e festivalit, kryebashkiaku i Durrësit, Vangjush Dako, dhe drejtori i Qendrës Kombëtare Kinematografike, aktori durrsak Xhevdet Ferri, kanë dalë dje në një konferencë, duke zbuluar detajet tashmë të njohura të festivalit, gjatë të cilit, filmat e përzgjedhur, do të garojnë për çmimin e madh "Gladiatori i Artë", që simbolizohet në një skulpturë simbolike të punuar nga profesor Sadik Spahia me finesë e dashuri.

Përveç tij, janë ftuar dhe aktori i mirënjohur italian Michele Placido, si dhe Jiri Menzel, regjisor çek, aktor dhe skenarist. Aktorja e suksesshme shqiptare, Arta Dobroshi, është një tjetër e ftuar nderi në edicionin e parë të Festivalit të Durrësit. Në të, filmi shqiptar do të prezantohet me "Trishtimi i zonjës Shnajder" i Pirro Milkanit, "Mao Ce Dun" i Besnik Bishës, "Sekretet" e Spartak Pecanit dhe "Koha e Kometës" e Fatmir Koçit.

Filmat shqiptarë do të vihen përballë filmave të përzgjedhur ndërkombëtarë, si "Ëndrrat e Ahlaamit" e Mohamed Al-Daradji, "I shërbeva mbretit të Anglisë", të Jiri Menzel, "Georg" i Peter Simm, "Kuajt e zinj" të Ljubisa Samardzic etj.