Site icon Telegrafi

Draghi : Politikat monetare motorët kryesorë të rimëkëmbjes

Mario Draghi, Presidenti i Bankës Qendrore Europiane (BQE), thotë se është i shqetësuar mbi perspektivën e inflacionit në Eurozonë dhe se është i gatshëm të arrijë stabilitetin e çmimeve.

Komentet vijnë në Davos, 1 ditë pasi shprehu gatishmërinë e Bankës Qendrore Europiane për të shtuar stimujt monetarë së shpejti. “Kemi shumë instrumente. Kemi vullnetin dhe kapacitetin e Këshillit Drejtues për të vepruar dhe vënë në lojë këto instrumente”, tha Mario Draghi në Forumin Botërorë Ekonomik.

Draghi po përgatit investitorët për pritjen 7 javore deri në mbledhjen e mMarsit, pasi takimi i dhjetorit i zhgënjeu këta, ku stimujt e rinj dështuan të prekin pritshmëritë. Draghi thotë se 3 motorët kryesorë të rimëkëmbjes europiane janë politikat monetare, një qëndrim fiskal që është “gjerësisht neutral apo paksa ekspansionist”, dhe çmimet e ulëta të energjisë që mbështesin të ardhurat në dispozicion.

Megjithatë politikëbërësit janë të shqetësuar mbi rrezikun se inflacioni tejet i ulët do të vazhdojë, e si rrjedhojë të pengojë rimëkëmbjen ekonomike. “Ka pak arsye për të qenë optimist mbi perspektivën e çmimeve të konsumit.

Kryesisht për shkak të kolapsit në çmimet e naftës por edhe për shkak të rishikimit negativ të rritjes ekonomike në tregjet në zhvillim”, tha Draghi.
Ai shton se politikat monetare të eurozonës do të vazhdojnë divergjencën me Shtetet e Bashkuara edhe për pak. Sipas presidentit të BQE vendimi i dhjetorit nga Rezerva Federale ishte i duhur, duke marrë parasysh ekonominë e përmirësuar në Shtetet e Bashkuara. /Telegrafi/

Exit mobile version