Shenjat e para të një krize financiare botërore u paraqiten para se të falimentonte banka Lehman Brothers. Kështu tha të enjten presidenti i Bankës Qendrore Evropiane, Mario Draghi .
Duke folur në një konferencë për shtyp, Draghi tha se “Për ne, kriza në të vërtetë filloi përpara Lehman Brothers. Shenjat e para serioze të një krize të afërt datojnë që nga shtatori 2007”.
“Ajo që unë kujtoj për atë ngjarje ishte përpjekja e jashtëzakonshme e bashkëpunimit ndërkombëtar në nivel botëror, me fjalë të tjera, madje edhe para Lehman Brothers, ishte krejt e qartë se kriza financiare po vinte dhe do të kishte përmasa të mëdha në mbarë botën”, shtoi ai, përcjell Telegrafi.
Komentet e Draghit vijnë një dekadë pasi Lehman Brothers paraqiti kërkesën për falimentim.
Dështimi i Lehman Brothers në vitin 2008 tronditi tregjet botërore. Kjo ishte banka e katërt më e madhe amerikane e investimeve, duke shkaktuar një erozion financiar prej rreth 10 trilionë dollarësh në kapitalin botëror të tregut të aksioneve.
Kolapsi i shumë bankave në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Britani e Madhe, Gjermani dhe vende të tjera shkaktoi panik financiar botëror. /Telegrafi/