“Rimëkëmbja ekonomike e zonës së monedhës së përbashkët vijon me një ritëm të moderuar, por konstant, ndërkohë që ekonomia shfaq një aftësi për të reaguar ndaj rreziqeve dhe pasigurisë globale”, nënvizoi kreu i Bankës Qendrore Europiane, Mario Draghi, përballë anëtarëve të Parlamentit Europian.
“Inflacioni do të vazhdojë të ngjitet në muajt në vijim, pavarësisht se nuk po vihet re një forcim i dinamikës së çmimeve”, shtoi numri një i Bankës Qendrore Europiane.
Sipas tij, rikthimi në nivelin pranë 2%, të normës së inflacionit, do të varet nga vazhdimësia e politikave ekspansioniste monetare.
Kjo do të thotë se, me shumë gjasa programi i lehtësimit sasior në shkallë të gjerë do të shtyhet përtej muajit Mars. Ndër të tjera, Draghi shuan përfundimisht debatin për një tërheqje graduale nga programi që injekton 80 miliardë euro në Eurosistem çdo muaj.
Mario Draghi, nënvizoi gjithashtu se, papunësia në Eurozonë vijon të ulet me ritme të qëndrueshme. Kreu i institucionit me bazë në Frankfurt përballë europarlamentarëve i mëshoi sërish debatit tjetër duke i bërë apel vendeve anëtare të përshpejtojnë agjendën e reformave strukturore.
Sipas tij, mungesa e këtyre reformave, pengon një zgjerim edhe më dinamik të ekonomisë së rajonit. “Nuk është vetëm politika monetare që mund të nxisë Prodhimin e Brendshëm Bruto”, apeloi për të disatën herë Mario Draghi. “Europa duhet ti përgjigjet sfidave më të bashkuar se kurrë më parë”-mbylli fjalën e tij Draghi. /Telegrafi/