Site icon Telegrafi

Draft-marrëveshja e Qeverisë për dialogun adreson pensionet, borxhet, dhunimet dhe dëmet e luftës

Draft–marrëveshja gjithëpërfshirëse, ligjërisht obligative ndërmjet Republikës së Kosovës dhe asaj të Serbisë adreson çështjet si pensionet, borxhet, dëmet dhe krimet e luftës.

Kështu ka bërë të ditur në një postim në rrjetin e tij social Facebook kryeministri i vendit, Ramush Haradinaj.

Kryeministri Ramush Haradinaj ka thënë se ky dokument është një bazë e fortë e dialogimit me Serbinë dhe i cili përfshinë marrëveshjet e përgjithshme që kanë të bëjnë me dy shtetet.

Lexoni më poshtë postimin e tij të plotë:

“Sot, në Mbledhjen e Qeverisë kam prezantuar para Kabinetit, dokumentin e hartuar nga Zyra e Kryeministrit, që është një bazë e fortë e dialogimit me Serbinë dhe i cili përfshinë marrëveshjet e përgjithshme, që kanë të bëjnë me dy shtetet, Republika e Kosovës dhe ajo e Serbisë, me qëllimin kryesor, njohjen reciproke.

Ky dokument adreson çështje nga e kaluara si pensionet, borxhet, dëmet dhe krimet e luftës, por njëkohësisht adreson rrugën përpara, lirinë e lëvizjes dhe të mallrave, gjithmonë duke i respektuar parimet e BE-së.

Kjo draft-marrëveshje, javën e kaluar u është dërguar edhe përfaqësuesve politik në vend, Kuvendit, Presidentit dhe vendeve të Quintit dhe paraqet mundësinë për ndërtimin e besimit dhe pajtimit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Qeveria e Kosovës përmes kësaj materie të gjallë dhe të hapur për çdo ekspertizë vendore dhe ndërkombëtare, ka kryer një nga detyrat e saj madhore, që do t’u shërbejë të gjitha institucioneve të Kosovës, si instrument i rëndësishëm në ofertën tonë dialoguese, njëherit vendosë bazën për paqe dhe prosperitet ndërmjet dy vendeve”, ka shkruar kryeministri Haradinaj në Facebook. /Telegrafi/

 

Exit mobile version