Nëse keni një shqetësim apo problem për të cilin mendoni se mund t’ju ndihmojnë këshillat e një profesionisti mund të na shkruani pa hezitim në adresën mjeku@telegrafi.com
Për shumë pyetje, ne do të bashkëbisedojmë me mjekët dhe përgjigjet e tyre do t’i botojmë në ditët vijuese.
Dr. Arbër Veliu, specialist
Gastroenterolog – Hepatolog
tel. 044 165 624
Jam 23vjeçar dhe ka kohë që pata probleme me lukth. Kam përdorë Pantoprazoll dhe Omeprazoll. Megjithatë, sidomos natën, kam dhimbje në gjoks afër zemrës dhe kur e prek vendin, më dhemb. Tërë kohën pështyj bardh, si shkumë. Analizat kanë dalë mirë; poashtu Eho dhe Ekg e zemrës.
Ju faleminderit.
PËRGJIGJE:
Përshëndetje. Dhimbja e gjoksit shpesh mund të ketë origjinë jo kardiake që nënkupton se shkaku nuk lidhet me problemet e zemrës. Djegia e gjoksit, ose dhimbja mund të shfaqet edhe tek personat që kanë problem me refluxin gastroesofageal që nënkupton kthimin e përmbajtjes gastrike në esofag e që me kohë të gjate dhe të pamjekuar mirë fillon me shfaqjen e djegies së gjoksit ”heartburn” ose shtrëngim dhe dhimbje. Refluxi gastrik ose kthimi i përmbajtjes gastrike në esofag më i shpeshtë është gjatë natës dhe në pozitën e shtrirë, sidomos pas konsumimit të ushqimit në mbrëmje dhe vonë natën. Ushqimet e tharta dhe ëmbla e rrisin refluxin, gjithashtu ndryshimet endoskopike si hernie hiatale ose insuficience a kardias e rrit refluxin. Prandaj me rëndësi në parandalimin e saj është reduktimi i ushqimeve të natës dhe largimi i faktorëve nxitës si dhe terapia në uljen e aciditetit. Konsulta me gastroneterologun në trajtimin e mëtutjeshëm është rekomandues për juve.
Jam 35 vjeçar. Kam dhembje në anën e majtë të kërthizës (pickime apo therje, ngërçe të stomakut, kapsllëk. I kam hemorroidet e jashtme, ndodh ndonjëherë të kem edhe gjakderdhje, por jo shpesh. Kam përdorur disa terapi duke mjekuar gazrat, por kjo dhimbje më brengos shpesh.
Kam përdorur edhe një Herb për të kryer nevojën, dhe ndihmon në pastrim të zorrëve. Kështu ndalej dhimbja pas pastrimit, por fillon pas 7-8 orësh sërish.
Çfarë mund të jenë këto dhimbje të stomakut. A ka ndonjë rrezik dhe çfarë më sugjeroni?
Faleminderit.
PËRGJIGJE:
Unë mendoj se problemi nuk qëndron me stomakun, por me zorrën e trashë. Ana e majtë e barkut, lehtë mbi kërthizë, shpesh është si pasojë e spazmave dhe gazrave në flexurat e kollonit, sidomos flexura lienale. Gazrat dhe kapsllëku e nxisin dhimbjen, ushqimet e thata dhe stresi gjithashtu ndikon në dhimbjen dhe fryrjen e pjesës së zorrës. Hemorroidet janë si pasojë e kapsllëkut dhe ato mund të mbahen nën kontroll nëse keni kujdes në ushqim dhe përmirësoni daljen jashtë. Ju rekomandoj vizitën tek gastroenterologu për evaluim të mëtutjeshëm të simptomave.
Përshëndetje Dr Arbër. Vajza ime është 3 vjeçe. Ka probleme me jashtëqitjen, në fillim dilte me vështirësi dhe pastaj mjeku më dha një shurup Portalak. Pasi mori ilaçin, nuk kishte vështirësi. Qe një muaj jashtëqitjen e qet nga pak dhe shumë shpesh gjatë ditës në formë më të lëngshme. Vallë, a është ky problem serioz dhe për çfarë sëmundje bëhet fjalë?
Ju lutem, më ndihmoni.
PËRGJIGJE:
Përshëndetje. Nuk mendoj se ka vend për shqetësim, nëse fëmija ushqehet mirë, ka oreks, nuk ka dhimbje , nuk ka rënie në peshë nuk mendoj se duhet të brengoseni. Kapsllëku është i shpeshtë tek fëmijët e moshës 3-5 vj. Vështirësia në dalje jashtë shoqërohet here-herë me gjakderdhje si pasojë e qarjes së kanalit anal. Portalaku ndihmon në daljen jashtë, por nuk duhet të mbipërdoret, kujdes. Nëse fëmija vazhdon me, atëherë, dërgoni fecesin për analizë mikrobiologjike dhe konsultoni pediatrin. Unë mendoj se me moshë fëmija fillon ta kontrolloj më mirë zbrazjen e zorrës. Dieta me fibra, mulsi, kivi dhe kompot të kumbullave, ndihmon daljen jashtë më shpesh.
Jam 32 vjeçe. Ka dy vjet që kam fisurë anale kronike, e cila i ka fillimet 4 javë pasi linda fëmijën. Herën e parë që nisi ky problem, ishte për shkak të kapsllëkut, ku pata dhimbje shumë të forta dhe gjakderdhje. Gjatë kësaj kohe kam reduktuar çdo ushqim të dëmshëm që mund të më shkaktojë kapsllëk. Ushqehem me ushqime që përmbajnë fibra etj. Mirëpo, kur kalon dy-tre javë dhe unë mund t’i kthehem ushqimit me brumëra, më rikthehet i njëjti problem. Gjakderdhje nuk kam, por dhimbja është e fortë. Gjatë këtyre dy vjetëve, ky problem më është përsëritur çdo 2-3 javë. Jam mjekuar vetëm me kremra si psh. Prosto-Synalar N, por ndjehem shumë e lodhur nga përsëritja e shpeshtë e të njëjtës situatë. Doja të dija nëse ka mjekime të tjera përveç kremrave, sepse unë nuk dua të operohem.
Faleminderit për këshillat.
PËRGJIGJE.
Përshëndetje. Për fat të keq, në disa raste kur fisurat ose çarjet anale nuk menaxhohen me yndyra, atëherë i vetmi trajtim afatgjatë është intervenimi kirurgjikal. Në shumicën e rasteve fisura anale krijohet pas kapsllëkut të gjatë dhe të pa kontrolluar dhe disa raste edhe pas lindjeve tek femrat. Nëse ju mund ta trajtoni dhe mbani nën me yndyra dhe dietë me fibra, atëherë mund ta shtyni ndërhyrjen kirurgjikale, por nëse dhimbjet vazhdojnë dhe gjakderdhja persiston, atëherë duhet mjekuar. Sidoqoftë, unë ju rekomandoj që para vendimit për intervenim kirurgjikal, konsultoni gastroenterologun për ekzaminim endoskopik të zorrës. Para procedurës kirurgjikale, kjo është shumë me rëndësi.
Përshëndetje. Ka disa muaj që kam dhimbje në anën e djathtë të stomakut, poshtë. Zakonisht kam problem me konstipacion, por këta muajt e fundit kam edhe diarre. Dhimbja është e vogël, por shqetësuese. Shpesh këto dhimbje me vijnë pasi zbrazem në tualet. Kam një gur në veshkë, në anën e djathtë.
Jam mirënjohës për ndihmën tuaj.
PËRGJIGJE:
Përshëndetje. Dhimbjet mund të jenë për shumë arsye, duke filluar nga gurët në veshka deri tek konstipacioni ose fryrja e barkut. Dhimbja pas zbrazjes së zorrës mund të jetë si pasojë e hemorroideve te brendshme ose problemeve spastike me zorrë. Mendoj se një konsultë me gastroenterologun për ekzaminim të zorrës së trashë me endoskop është i rekomanduar. Gjithashtu zbrazja e zorrës me rregull është me rëndësi. Një ultrazë i barkut është i nevojshëm gjithashtu.
Jam 25 vjeçare dhe jam duke u trajtuar me tripel terapi perhelicobateriepylori. Doktor, a guxoj t’i konsumoj produktet e qumështit, apo jo? Po qumështi i ftohtë me mjaltë, a preferohet? Faleminderit shumë.
PËRGJIGJE:
Përshëndetje. Nuk ka ndonjë dietë të veçantë gjatë terapisë kundër helicobakter pylorit, mund të përdoren ushqimet që juve ju përshtaten dhe nuk ju krijojnë mundim dhe dhimbje. Terapia treshe konsiston në marrjen edhe të dy antibiotikëve dhe gjatë terapisë mund të ndodhin edhe efektet anësore të saj, siç janë barkqitja, dhimbja e barkut dhe shija e keqe e gojës. Prandaj gjatë terapisë mund të përdoren ushqime që nuk e rëndojnë gjendjen, zakonisht jogurti probiotik është mjaft i mire gjatë terapisë, gjithashtu Laktis me b komplex ndihmon dhe mbron florën normale të zorrës. Ushqimet e ëmbla dhe të tharta nuk rekomandohen. Qumështi nuk është ndonjë pengesë për t’u përdorur.
një problem që më shqetëson. Jam 30 vjeç. Nganjëherë dal me vështirësi dhe më çahet pak anusi. Përdori një krem dhe çdo gjë vazhdon normalisht. Por, u bënë tre ditë pasi dola me vështirësi, jashtëqitja ime është normalizuar derisa mund të dalë dy herë në ditë. Kjo nuk më ka ndodhur gati asnjëherë. Shqetësimi im është se bashkë me jashtëqitjen shumë të qetë dhe normale, këto tre ditë është shoqëruar me gjakderdhje të “shumtë”, tre sekonda para dhe bashkë me jashtëqitjen. Theksoj që nuk ndiej asgjë.
Çfarë më këshilloni, ju lutem.
Faleminderit.
PËRGJIGJE:
Fisura anale, apo çarja e kanalit anal shpesh mund të shoqërohet me gjakderdhje dhe kjo mund të zgjasë disa ditë dhe herë-herë mund të jetë një gjakderdhje me sasi të shtuar të gjakut, prandaj në këto kushte duhet të fillohet trajtimi me yndyra në formë suposte, antibiotikë dhe laksativ për të lehtësuar dhimbjet dhe ndërprerë gjakderdhjen. Ushqimi dhe dieta luan rol kyç, duke rregulluar tretjen e ushqimit, dhe duke përmirësuar zbrazjen e zorrës mund të parandalohet fisura anale dhe gjakderdhja. Unë ju rekomandoj të konsultoni gastroenterologun për trajtim dhe ekzaminim të mundshëm.
Përshëndetje doktor Veliu. Jam 21 vjeçare dhe kam probleme qe dy muaj me lukth. Kam dhimbje të mëdha dhe në anën e djathtë të barkut dhe në mes të brinjëve në shpinë. Poashtu me frymëmarrje kam pengesa që vjen nga dhimbja e tepërt e lukthit. Më wshtw paraqitur kapsllëku, kohë pas kohe nga vrima më del zorra që vazhdon me ditë të tëra gjakderdhje. Nuk kam kruarje. Ultrazëri i abdomenin ka dalë mirë, ndërsa pylori në feces është negativ.
Nuk e di se çfarë të bëj, sepse kam dhimbje të mëdha në lukth, fryrje të barkut në anën e djathtë, humbje në peshë dhe kapsllëk.
Shpresoj që do të marr një përgjigje.
Me shumë respekt.
PËRGJIGJE:
Përshëndetje. Dhimbja e lukthit duhet të mjekohet duke përdorur medikamente pas konsultës me gastroenterologun, nëse dhimbja e lukthit vazhdon edhe pas trajtimit me medikamente, atëherë duhet të mendohet për ekzaminime shtesë siç është endoskopia, ekzaminimi i plotë i lukthit me endoskop. Ju duhet gjithashtu të trajtoni kapsllëkun, si pasojë e kapsllëkut ju mund të keni çarje të zorrës apo fisurë anal, hemorroide dhe herë-herë gjakderdhje. Ju mund ta parandaloni kapsllëkun duke përdorë ushqim me shumë fibra,pemë, perime, ujë, aktivitete fizike, ushtrime. Nëse përkundër kësaj vazhdon kapsllëku, atëherë duhet të konsultoni gastroenterologun për evaluim të mëtutjeshëm.
Ju mbetem mirënjohës nëse do të më sqaroni me pa përtesë çfarë është “Kollonoskopia”. A preferohet të bëhet çdo dhjetë vjet apo nuk duhet përfillur? Ju përshëndes dhe suksese në jetë.
PËRGJIGJE:
Përshëndetje. Kollonoskopia është një procedurë diagnostike që përdoret në gastroenterologji për ekzaminimin dhe diagnostikimin e sëmundjeve të ndryshme të zorrës së trashë, duke filluar nga kanali anal deri në cekum apo hyrjen në zorrën e hollë. Është i ekzaminimi i vetëm dhe i saktë dhe i përdorur në gjitha klinikat e botës. Kanceri i zorrës së hollë është kanceri i tretë më i përhapur në botë , dhe ne shumë raste diagnostikimi i saj është i vonshëm dhe mbijetesa është e ulët. Shumë vende të botës kohët e fundit kanë krijuar programe nacionale të skreeningut, dmth parandalimit të paraqitjes së kancerit të zorrës së trashë duke bërë ekzaminime paraprake endoskopike siç është kollonoskopia, gjithë grup moshat e rrezikuara mbi moshën 50 vjeçe hyn në programe të kontrollimit endoskopik të zorrës dhe duke ekzaminuar dhe mjekuar ndryshimet eventuale bëhet edhe parandalimi i shfaqjes së kancerit në zorrë dhe identifikimi i ndryshimeve tjera ne zorrë. Ekzaminimi bëhet përmes një tubi elastik me kamerë në maje të saj, me këtë tub ekzaminohet mbrendësia e zorrës, dmth mukoza e zorrës së trashë , kamera ka resolucion të lartë dhe zmadhon çdo ndryshim eventual në mukozën e zorrës. Gjithashtu me kollonoskopi mund të largohen polipet e ndryshme që mund të jenë gjendje prekanceroze. Zakonisht në të gjitha qendrat e njohura specialisti gastroenterolog i trajnuar për endoskopi është i lejuar të bëj ekzaminimet endoskopike.
Ka 5 muaj që kam një fistulë/ithatë në prapanicë. Në fillim kisha dhimbje të mëdha, tashti jo. Mjeku më ka shkruar krem Betaisodona, të cilin e përdori deri 3 herë në ditë.
Kam qenë në Vjenë (Austri) te mjekët, ata ma kanë caktuar terminin për operacion më 26.03.2014, por unë duhet të punoj dhe nuk kam kohë të pres deri atëherë.
A bëhet kjo ndërhyrje në Kosovë dhe a ka rrezik nga puçërr? Sa kushton shërimi dhe sa zgjat?
Ju falënderoj.
PËRGJIGJE:
Përshëndetje. Po, fistulat perianale mund të mjekohen dhe shërohen. Zakonisht fistulat perianale mjekohen me sukses përmes intervenimit kirurgjikal, që ky intervenim bëhet edhe në Kosove në shumë qendra mjekësore si ajo universitare dhe ato private. Unë ju rekomandoj që para intervenimit kirurgjikal të bëhet kollonoskopia që të largohen ndryshimet eventuale inflamatore në zorrë. Varësisht nga rezultati i kollonoskopisë është edhe mënyra e trajtimit.
E kam gastritisin edhe ndonjëherë përdori Nexium. Kur kam dhimbje të mëdha, çfarë antibiotiku ose trajtimi më preferoni për të luftuar këtë sëmundje të herëpashershme?
PËRGIGJE:
Përshëndetje. Nexiumi është një medikament i gjeneratës së re të inhibitorëve të pompës protonike (PPI) që ndihmon në uljen e aciditetit në stomak, përmirësimin e refluksit gastrik dhe gastritit jo inflamatorë, posaqërisht gastritit medikamentoz nga marrja e gjate e medikamnteve jo steroid (NSAID) si diklofeni, brufeni etj.Nëse gjatë ekzaminimit endoskopik ose laboratorik vërtetohet prezenca e bakteries Helicobakter Pylori atëherë Nexiumi shoqërohet edhe me dy antibiotikë tjerë si Amoksicillina ose Klaritromicina, herë-herë edhe Metronidazoli për një periudhë kohore prej 10-14 ditëve. Pas terapisë dhe pas kalimit të kohës gjendja fillon të përmirësohet dhe ankesat të zvogëlohen. Testi kontrollues për të vërtetuar prezencën ose largimin e HP bëhet së paku një muaj pas terapisë, përmes fecesit ose përmes testeve tjera, por asnjëherë përmes gjakut dhe Ig.
Gjithmonë metodat e trajtimit analizohen me gastroenterologun.
Jam një vajzë 20 vjeçare. Kam dhimbje nw gjoks, shtrëngim, problem me jashtëqitje, marramendje edhe lodhje. Poashtu kur ha bukë, pas një kohe kam shtrëngime në bark.
Ju lutem, a mund të më përgjigjeni se çfarë po ndodh me mua?
Me shumë respekt, ju përshëndes.
PËRGIGJE:
Përshëndetje. Dhimbja e gjoksit ose ndjesia e djegies në gjoks dhe shtrëngim mund të jetë si pasojë e problemeve kardiake por edhe si pasojë e problemeve gastroesofageale, dmth refluksit gastrik ose kthimit të përmbajtjes gastrike në ezofag për shumë arsye. Pasi të eliminohen faktorët kardiak, atëherë duhet konsulta e gastroenterologut për evaluim të mëtutjeshëm të trajtimit të refluksit. Vështirësia në dalje jashtë është edhe një simptomatologji tjetër që mund të ju jep siklet dhe dhimbje barku, zbrazja e rregullt e zorrës është shumë me rëndësi ngase zvogëlohet fryrja, dhimbja dhe problemet me hemorroide dhe qarje të kanalit anal ose fisura. Përdorimi i ushqimeve me shumë fibra, pemë dhe perime ndihmon në zbrazje të zorrës. Ekzaminimi laboratorik i helicobakter pylori dhe eventualisht ekzaminimi endoskopik dhe ekografia e abdomenit janë të domosdoshme.
Ju rekomandoj të konsultoni gastroenterologun për trajtim të mëtutjeshëm.
Përshëndetje! Jam 22 vjeçare dhe kam pothuajse tre vjet që kam diarre. Në fillim më ndodhte vetëm në mëngjes, më pas deri në 5-6 herë në ditë. Kohët e fundit më ndodh diçka tjetër: disa ditë kam diarre e disa të tjera vuaj nga kapsllëku dhe gazrat. Në këto të fundit barku më fryhet shumë dhe me raste më kap një dhimbje stomaku. Jam vizituar shumë herë dhe kam bërë analizat e feceve, problemi është se gjithmonë më dilte një bakter i ndryshëm si dhe një tip myku. Doktori e shpjegoi këtë si mungesë të imunitetit të trupit tim (unë ha pak dhe në përgjithësi jashtë). Kam pirë antibiotik dhe analizat e përsëritura dy herë kanë rezultuar tashmë negative, përveç mykut. Problemi është se vazhdoj të jem njëlloj.
Shpresoj të jem treguar e qartë!
Mirëpres përgjigjen tuaj! Faleminderit!
PËRGJIGJE:
Përshëndetje. Simptomat e shfaqura mund të korrespondojnë me një sindromë të kolonit të irrituar që shkon me alterim të diarresë dhe konstipacionit, por kjo diagnozë vendoset definitiv pas bërjes të gjitha ekzaminimeve endoskopike si gastroskopia me biopsi te duodenit, dhe kollonoskopia, pasi eliminohet aspekti inflamatorë dhe parazitarë mund të themi se kemi të bëjmë për një faktorë irritabil. Myku në zorrë është i shpeshtë dhe mund të ndodh për shumë arsye si rënia e imunitetit, përdorimi i gjatë i antibiotikëve dhe medikamenteve tjera. Stresi, gjendja ankthi rëndon edhe më shumë gjendjen. Ushqimi luan rol tjetër me rëndësi, përdorimi i ëmbëlsirave dhe ushqimeve që krijojnë fryrje dhe gazra mund të jetë faktorë tjetër irritues. Ju duhet të vazhdoni konsultat me gastroenterologun për hapat e mëtutjeshëm.
Përshëndetje Dr.Arbër. Vajza ime edhe 2 muaj i bën 7 vjet dhe është dianostikuar me helicobacter pylori. Ka përdorur 3 terapi njëra pas tjetrës, pasi rezultati ishte pozitiv. Herën e 3-të, vlerat ishin 12, kurse duhej të ishte më e vogël se 8, mirëpo mjeku tha që nuk është keq pasiqë kishte zbritur nga 22. Doktor, kanë kaluar 2 muaj nga mjekimi dhe vajza herë-herë ankohet për dhimbje barku. Vajza ka përdorë këtë terapi: Pantoprazol 2 herë 1/4,Klarisin 2 herë si dhe Ovargil mëngjes dhe mbrëmje…
Presim të na këshilloni se çfarë të bëjmë.
Me respekt.
PËRGJIGJE:
Përshëndetje. Me vjen keq që vajza është detyruar të marrë tre herë terapinë rresht për helicobakter pylori. Nuk është dashur të bazohet në rezulatet e analizës së gjakut(Ig) për të vërtetuar shërimin pasi që ky test nuk përdoret pas trajtimit, vetëm si diagnozë e parë, prandaj që këtu fillon problemi. Pastaj tre herë terapia me antibiotikë jep edhe efekte anësore dhe çrregullim të florës bakteriale të zorrës. Ankesat mund të vazhdojnë edhe pas trajtimit, ngase dhimbja e barkut në asnjë mënyre s’do të thotë që lidhet vetëm me H.P. Prandaj, ju së pari duhet të verifikoni prezencën e H.P në feces që është test më i saktë, ose Urea breath testi që tani është duke u bërë në Tiranë. Pas analizës vendoset edhe trajtimit. Pastaj duhet të bëhen fecesi në parazit dhe ciste, disa herë gjatë vitit, të kihet kujdes në të ushqyerit, lloji i ushqimit, aktivitetet e fëmijës, etj.
Duhet të vazhdoni konsultat me pediatrin gastroenterolog.
Përshëndetje doktor. Jam 31 vjeçe dhe më shqetëson fakti se kam një jashtëqitje normale tre herë në ditë, gjithmonë një orë pas ngrënies së vaktit. Konsumoj ushqim të shëndetshëm me shumë fruta, perime, etj.
Jam e interesuar të di që ky fakt ka të bëjë me metabolizmin e rregullt apo ka diçka që unë duhet të shqetësohem.
Faleminderit.
PËRGJIGJE:
Përshëndetje. Zbrazja e zorrës normalisht mund të jetë nga një deri në tre dalje jashtë. Këto dalje jashtë gjithmonë janë pa ndryshime të përmbajtjes që dmth pa shenja për mukus, pa shenja për gjakderdhje. Te shumë individ ndodh që pas marrjes së ushqimit të ketë zbrazje të zorrës, posaqërisht pas konsumit të kafës, çajit, ose ushqimeve djegës.
Deri sa ju keni oreks, nuk keni dhimbje barku dhe rënie në peshë ose gjakderdhje dhe barkqitje më shumë se tre në ditë dhe që janë të ujshme, nuk mendoj se duhet të shqetësoheni. Sidoqoftë unë ju rekomandoj një ekzaminimin të fecesit në parazit dhe një koprokulturë që të eliminohen shkaktarët infektiv ose parazitozat. Nëse dalja jashtë dhe përmbajtja e fecesit ndryshon atëherë mund të lajmëroheni për konsultë tek gastroenterologu.
Ju mbetem mirënjohës nese do të më sqaroni pa përtesë çfarë është kollonoskopia. A preferohet kontrolli çdo dhjetë vjet apo nuk duhet përfillur.
Ju përshëndes dhe suksese në jetë.
PËRGJIGJE:
Përshëndetje. Kollonoskopia është një procedurë endoskopike që mundëson ekzaminimin e plotë të zorrës së trashë, duke filluar nga kanali anal e deri në cekum apo në pjesën përfundimtarë të zorrës së hollë dhe fillimit të kollonit. Kjo procedurë rekomandohet në shumë raste, si në raste me probleme dhe në ato pa probleme por kontrolluese siç quhet skriningu i kollonit (zorrës trashë). Arsyet pse kërkohet Kollonskopia janë të ndryshme duke filluar dhe dhimbjet e barkut, konstipacion, diarea kronike, e vazhdueshme, anemia e rëndë, gjakderdhjet nga zorra e trashë, dyshimet për procese tumorale në zorrë që mund të jenë verifikuar me analiza tjera si dhe ekzaminimet kontrolluese postoperatore, dhe skriningu pas moshës 50 vj për arsye preventive.
Kollonoskopia kontrolluese mund të bëhet varësisht nga patologjia apo sëmundja, nëse ka pasur polipe dhe varësisht nga lloji i polipeve bëhet edhe kollonskopia kontrolluese, historia familjare për kancer rekomandohet procedura kontrolluese pas moshes 45-50 vj. ose edhe më herët në raste të veçanta. Prandaj ekzistojnë modalitete të ndryshme që mund të varijon endoskopia kontrolluese një herë në vit, pastaj një herë në tre vjet, pesë vjet dhe pastaj 10 vite nësë ekzaminimet e para kanë rezultuar normal. Por, nëse nuk ka sëmundje, nuk ka faktorë gjenetike të riskut dhe nuk ka arsye tjera që mund të nevojitet kjo procedurë, atëherë kollonoskopia nuk rekomandohet.
I nderuari Dr. Veliu. Jam 24 vjeçare dhe tash e dy muaj kam dhimbje të vazhdueshme në bark. Zorrët dëgjohen dhe kam ndjenjën sikur kur të helmohemi. Nganjëherë ndjej edhe djegie në lukth. Kam gogësime dhe gazra dhe atëherë duket që jam më lehtë, mirëpo dhimbja është prezente edhe më tutje. E kam vërejt që në anus, poashtu i kam edhe dy të ënjtura (sikur hemorroide) që nuk djegin, por as nuk shkaktojnë kruajtje. Jashtëqitja nuk është edhe aq në rregull (kapsllëk dhe me dukje jo të zakontë).
Jam e plogësht dhe nuk po mundem të jetoj jetën normale. Kam bërë analiza të gjakut, hemoglobinën dhe ultrazë. Të gjitha rezultatet janë në gjithçka ishte rregull. Jam shumë e shqetësuar, a mund të jetë diçka serioze?
Jam diagnostikuar me dispepsi dhe me sasinë e shtuar të gazrave në bark, por prapë nuk më është përmirësuar gjendja. Momentalisht jam duke përdorur Lactinorm dhe duket që ndihmojnë, por edhe ndikojnë në jashtëqitjen negativisht, pasiqë edhe kur t’i përdori po më fryhet barku dhe nuk mund të kem jashtëqitje. Sot i kam ndërprerë dhe kam pasur jashtëqitje, por edhe dhimbje në bark dhe zorrët, prapë po bëjnë.
Ju lutem, më jepni ndonjë këshillë dhe mendimin tuaj, sepse me të vërtet jam e shqetësuar, sepse ka ndikuar tejmase në studime, në punë dhe jetën time.
Paraprakisht, ju falënderoj!
PËRGJIGJE:
Përshëndetje. Ankesat tuaja janë polimorfe dhe me shkaqe të ndryshme, së pari rreth hemorroideve, ato janë zgjerime venoze që dalin në fund të zorrës dhe kanalit anal si pasojë e sforcimeve të shpeshta nga konstipacioni, diarreja, shtatzënia ose dieta jo e mirë me shumë ushqime të thata. Këto rëndohen me gjakderdhje dhe dhimbje. Prandaj, duhet të përcillen dhe ekzaminohet gjendja e tyre dhe varësisht shkallës të merret edhe mjekimi. Dispepsia juaj ende vazhdon dhe duhet parë ku qëndron problemi, së pari duhet eliminuar prezencën e helikobakterit në stomak, varësisht rezultatit edhe mjekimi. Dieta luan rol në shtimin e thartirës në stomak. Gjendje anksioze dhe stresi nxit sekretim të shtuar të acidit që duhet të mjekohet. Gazrat në stomak vijnë nga shumë faktorë, por më kryesorja është ushqimi. Ushqimi me shumë karbohidrate krijon gazra, zbërthimi i tyre krijon gazra. Stresi dhe prezenca e parazitëve gjithashtu krijon gazra. Duhet të ekzaminohet fecesi për parazit dhe ciste të parazitëve. Ndonjëherë edhe gjendjet e keqabsorbimit dhe keqtretjes krijojnë gazra, alergjia në gluten, fruktozë, laktozë, etj., mund të krijon gazra, prandaj edhe këto dyshime duhet të eliminohen. Unë ju rekomandoj të vazhdoni trajtimin tek gastroenterologu.
Dr.Arbër, përshëndetje! Së pari iu falënderoj për përkushtimin tuaj ndaj lexuesve. Djali im 9 vjeçar, që nga mosha 3 vjeçe nga analizat e kryera rezulton me guardia lamblia (me shumicë). E kemi mjekuar disa herë me Flagyl, por nuk i janë zhdukur. Përveç dobësisë dhe mungesës së oreksit, nervozizmit, i janë krijuar urtikarie në pjesën e prapme të gjurit e cila perveç se është shumë e bezdisur, tani po bëhet edhe shqetësuese për të, pasi i jep kruajtje të forta duke i zmadhuar sipërfaqen e urtikaries në një diametër rreth 4 cm. Nga kruajtjet e mëdha shpesh shndërrohet në plagë të cilën deri tani po e mjekojmë vetëm me krem Advantan (me bazë kortizonike), pasi kremrat e tjerë nuk kanë dhënë rezultat.
Ju lutemi na jepni një këshillë nëse ka ndonjë mjekim më efikas se Flagyli, përdorimi i të cilit të mos ketë efekte anësore të pariparueshme.
Duke iu uruar edhe njëherë, faleminderit për bashkëpunimin dhe punë të mbarë.
PËRGJIGJE:
Përshëndetje. Mjekimi i parazitozes së zorrëve me lamblia jo rrallë tregohet i vështirë dhe i sëmuri shpesh ka rezistencë në mjekim, që pastaj krijon probleme për mjekun dhe vet pacientin. Simptomatologjia i përgjigjet plotësisht parazitozës së zorrëve dhe në këto raste unë iu rekomandoj që të jepni mbështetje fëmijut deri në shërimin e plotë. Në rastet me rezistencë nuk ka edhe shumë hapësirë manovruese terapeutike, zakonisht mjekimi përsëritet disa herë gjatë vitit, nëse edhe pas kësaj ka parazitë, atëherë mund të provohet me Mebendazol ose Albendazol tbl që mund të merren në konsultë me gastroenterologun, pediatrin ose infektologun. Pas trajtimit mund të testoni fecesin për prezencën e parazitëve. Dieta konsiton në largimin e ëmbëlsirave dhe ushqimeve të thata.
Përshëndetje, jam një zonjë 50 vjeçe dhe kam një problem me zorrën e trashë. Nuk kam gazra dhe më fryhet barku. Ka një muaj që jam operuar në këmbë.
Të lutem, cila është arsyeja që unë nuk kam gazra?
Flm.
PËRGJIGJE:
Përshëndetje. Nëse jeni operuar nga këmba dhe keni qëndruar në shtrat për disa ditë ose javë, në këto raste zorra e trashë është më “dembel”, më e lodhur për zbrazjen e përmbajtjes dhe si pasojë edhe largimi i gazrave është më i pakët. Prandaj, unë ju rekomandoj të filloni me aktivitete, lëvizje dhe ushqim me shumë fibra, fruta dhe perime. Sa më shumë ujë dhe lëngje të freskëta. Besoj me kohë edhe zbrazja e zorrës fillon aktivitetin e saj normal. Nëse përkundër dietës dhe aktiviteteve nuk keni gazra dhe zbrazje, atlherë ju rekomandoj konsultën me gastroenterologun. Terapia me Espumisan dy herë në ditë mund të ndihmojë në lirimin e gazrave.
Përshëndetje doktor. Kohë pas kohe, kam djegësi në vrimën anale, pak vështirësi gjatë daljes jashtë, si dhe në kohën kur më paraqitet ky djegësi, atëherë kam edhe gjakderdhje. Pegata është pak me gjak si dhe kam piksim deri 5 a 6 pika. Këtë e kam vërejtur kohët e fundit, por më duket se kam edhe ënjte të vrimës anale, si dhe kruarje gjatë ditës në atë interval kohor (një javor ose 10 ditë e më pak) që më ndodh kjo. Është hera e tretë që më ndodh kjo, zakonisht zgjat një javë ose 10 e më pak ditë. Nganjëherë djegia qetësohet, por ne momentin kur më shfaqet ajo, atëherë gjatë daljes jashtë, kam shumë djegësi, por edhe vështirësi. Jam sportist, nuk e konsumoj duhanin, alkoolin, por më tepër ushqimet e thata.
Ju faleminderit.
PËRGJIGJE:
Përshëndetje. Mendoj se bëhet fjalë për hemorroide të zorrës që paraqiten për shkak të shumë faktorëve e një ndër to është edhe vështirësia në dalje jashtë, konstipacioni. Konstipacioni nxit daljen jashtë të hemorroideve që janë zgjerim venoz në kanalin anal që mund të paraqiten në disa forma nga më e lehta që me vështirësi vërehen me inspeksion deri te ato më të rëndat që paraqiten si prolaps hemorroidal me trombozë dhe dhimbje. Djegia, kruarja, dhimbja dhe gjakderdhja, janë simptome të hemorroideve. Prandaj ato së pari duhet të diagnostikohen më inspeksion perianal dhe pastaj edhe me endoskopi (rektoskopi) deri në diagnozën përfundimtare. Terapia është e ndryshme, varësisht nga simptomat, duke filluar nga yndyrat, supostet dhe deri te ligatura ose largimi kirurgjikal. Dieta është e domosdoshme, që dmth largim i ushqimit djegës, të thatë, me mëlmesa, ushqime që nxisin konstipacionin.
I nderuari dr. Arbër. Kam probleme me lukth. Jam diagnostikuar me helicobacter. Edhe përkundër terapisë së mjekut, sërish kam probleme me lukth. Nuk mund të fle prej dhimbjeve të gjoksit, por kam probleme edhe me jashtëqitje. Nuk mund të kryej nevojën pa marrë ndonjë çaj Bekunis ose Dogadan. Ushqehem mirë, përdori shumë sallata dhe pemë.
Nganjëherë kam dhimbje edhe në zorrë të trashë. Më pengon shumë gopësia dhe fillon një alergji rreth syve.
Doktor, pres ndihmën tuaj.
PËRGJIGJE:
Përshëndetje. Ju keni marrë terapinë për largimin e HP dhe kjo është në rregull, por siç duket nuk ka pasur efektin e plotë në trajtimin e refluxit gastrik që paraqitet si dhimbje dhe djegie gjoksi, gromësirë, fryrje barku, herë-herë konstipacioni e rëndon gjendjen e refluksit gastrik.
Dieta dhe terapia medikale mund të jetë një alternativë, nëse nuk ka përmirësime duhet konsulta e gastroenterologut. Terapia konsiston në marrjen e PPI si omeprazol, pantoprazol dy herë në ditë për disa javë se bashku më një prokinetik si raglan ose domperidon për disa ditë.
Një ultrazë i barkut mund të jetë e vlefshme.
Kam dhimbje në lukth, sidomos kur bëhem nervoz, më fillon dhimbja nga fundi deri te fyti, më bllokon dhe më zihet fryma, më humb fuqia. Poashtu, kam një erë shumë të keqe, sado që i pastroj dhëmbët më vjen nga lukthi dhe më bënë të ndjehem keq.
Ju lutem, më tregoni si te veproj, nuk kam qenë asnjëherë në vizitë te mjeku!
Faleminderit shumë.
PËRGJIGJE:
Përshëndetje. Dhimbja e stomakut, e shoqëruar me dhimbje fyti, gromësirë, urth zakonisht është si pasojë e refuksit gastroesofageal dhe problemeve dispeptike si pasojë e hiperaciditetit, thartirës së shtuar në lukth, kjo shpesh nxitet nga gjendja psikofizike, nga stresi i tepërt, gjendja ankthi etj, por edhe nga ushqimet jo mirë të konsumuara.
Unë ju rekomandoj të konsultoni gastroenterologun për analiza dhe ekzaminime të nevojshme, ju në ndërkohë deri në vizitën e planifikuar mund të përdorni një PPI si omeprazoli ose pantoprazoli, një herë në ditë në mëngjes esëll para ushqimit për disa ditë deri sa të bëni konsultën tek mjeku. Dieta, më pak lëngje të gazuara, qepë, ëmbëlsira, makiato dhe produkte të tharta, është e preferuar në rastin tuaj.
Përshëndetje doktor, kohë pas kohe kam djegësi në vrimën anale, pak vështirësi gjatë daljes jashtë, si dhe në kohën kur më paraqitet kjo djegësi, atëherë kam edhe gjakderdhje, por vetëm gjatë jashtëqitjes. Pegata është pak me gjak si dhe kam piksim deri 5 a 6 pika gjatë daljes gjak. Këtë e kam vërejtur kohët e fundit, por më duket se kam edhe ënjte të vrimës anale, si dhe kruarje gjatë ditës në atë interval kohor (një javor ose 10 ditë e më pak). Është hera e tretë që më ndodh kjo, pastaj djegia qetësohet për një kohë. Nganjëherë kam vështirësi me jashtëqitje, por nëse nuk paraqitet me djegësi, atëherë nuk kam gjakderdhje.
Jam sportist, nuk e konsumoj duhanin, alkoolin, por më tepër ushqime të thata.
Nëse më jepni ndonjë informacion për këtë, ju falënderoj.
PËRGJIGJE:
Pёrshёndetje. Nga ankesat qё shkruani, mendoj se bёhet fjalё pёr nodule hemorroidale tё brenshme qё mund tё shoqërohen me djegie, dhimbje, kruarje dhe gjakderdhje. Gjakderdhja nё shumicёn e rasteve ndodh si pasojё e pëlcitjes sё hemorroideve (noduleve venoze). Zakonisht kёto hemorroide paraqiten nё mёnyrё periodike, sezonale dhe qё zgjasin disa ditё.
Mirё ёshtё tё konsultoni gastroenterologun pёr njё vizitё dhe pёr tё vёrtetuar burimin e gjakderdhjes nё mёnyrё endoskopike. Kapsllёku dhe vёshtirёsia nё dalje jashtё rёndojnё gjendjen dhe nxisin gjakderdhjen. Ushqimi i rregullt, ujë dhe dietё me pak ushqim irritues, ndihmojnё nё parandalimin e paraqitjes sё hemorroideve.
Së pari ju falënderoj për përkushtimin tuaj ndaj lexuesve. Pasi pashë me interes faqen ku ju shkruani, u intrigova dhe unë që të bëj prezent shqetësimin tim.
Kam djalin tim 9 vjeçar, i cili që nga mosha 3 vjeç nga analizat e kryera rezulton me guardia lamblia (me shumicë). E kemi mjekuar disa herë me Flagyl, por nuk i janë zhdukur. Përveç dobësisë dhe mungesës së oreksit, nervozizmit i janë krijuar urtikarie në pjesën e prapme të gjurit e cila përveç se është shumë e bezdisur, tani po bëhet edhe shqetësuese për të, pasi i jep kruajtje të forta duke i zmadhuar sipërfaqen e urtikaries në një diametër rreth 4 cm. Nga kruajtjet e mëdha shpesh shndërrohet në plagë të cilën, deri tani, po e mjekojmë vetëm me krem Advantan (me bazë kortizonike), pasi kremrat e tjerë nuk kanë dhënë rezultate.
Ju lutemi, na jepni një këshillë nëse ka ndonjë mjekim më efikas se Flagyli, përdorimi i të cilit të mos ketë efekte anësore të pariparueshme.
Duke ju uruar edhe njëherë faleminderit për bashkëpunimin.
PËRGJIGJE:
Pёrshёndetje. Shpesh ndodh qё personat bartёs tё parazitit lambliazё mund tё jenё rezistent nё terapi me Flagyl, kjo nuk duhet t’ju shqetësoj, por qё duhet tentuar me terapi zёvendёsuese.
Medikamenti Albendazol 200mg lxl në ditë për 3 ditë, ose Tinidazol 50mg/kg për os nga goja – një dozë e vetme. Por, të gjitha kёto tё jepen pas konsultës me pediatrin ose gastroenterologun, pёr shkak tё mundёsisё sё efekteve anёsore eventuale.
Te largohet sa ёshtё e mundur qumёshti, ёmbёlsirat, çokollata dhe ushqimet e thata.
Përshëndetje. Kam një puçërr, pak më lart zorrës së trashë. Tani kam dhimbje, jam konsultuar me disa mjekë, por më kanë preferuar që të bëja një operacion si pasojë e kësaj më thonë mjekët është qimja e cila është futur në lëkurë. Tani për momentin, jam vizituar edhe te një mjeke e lëkurës ku për momentin më ka udhëzuar të përdori Augmentin 625mg dhe një fishek për lyrje chlormephmical 5mg dhe betadin 10!% Desha edhe një këshillë nga ju, mos është diçka shumë serioze?
PËRGJIGJE:
Përshëndetje. Mendoj se bëhet fjalë për absces perianal, që ka shumë faktorë por një nga ato është edhe inkapsulimi i qimes nën lëkurë dhe infeksionet dytësore nxisin krijimin e abscesit. Mirë është të vizitohesh nga gastroenterologu ose kirurgu për të parë nga afër këtë formacion. Nëse vërtetohet abscesi, atëherë terapia e vetme pas marrjes së antibiotikëve është intervenimi kirurgjikal dhe largimi dhe pastrimi i asaj pjese.
I nderuar doktor. Kam problem me hemorroide qe 20 vite, jam kontrolluar disa herë te mjeku. Kam përdorur barna, mirëpo problemi qëndron te zorra e trashë që gjatë nevojës së madhe, del jashtë anusit, mirëpo pa ndonjë problem kthehet në brendësi. Pastërtinë e mbaj në nivel të lartë. Doktor, meqenëse kjo gjendje vazhdon një kohë të gjatë, më preferoni ndërhyrjen kirurgjike apo mund të vazhdoj kështu dhe, a më kanoset ndonjë rrezik.
PËRGJIGJE:
Përshëndetje. Nodulet hemorroidale janë zgjerime venoze të lokalizuara në kanalin anal dhe jashtë saj, ato mund të ndahen në 3-4 shkallë, varësisht nga gjendja, shkalla e 3-4 janë ato si i përshkruani edhe ju vetë kur dalin jashtë dhe herë-herë kthehen brenda, vetvetiu ose me forcë. Hemorroidet mjekohen dhe kjo mund të zgjasë me vite. Për shkak të dhimbjeve të forta dhe gjakderdhjeve të shpeshta që mund të sjellë deri te anemia e thellë intervenimi kirurgjikal është i vetmi opsion dhe shërim i plotë. Në rastin tuaj, nëse hemorroide nuk ju shkaktojnë probleme të mëdha, nuk ju prishin kualitetin e jetesës, atëherë mund të mjekoni me suposte dhe yndyra, por nëse keni dhimbje dhe gjakderdhje të shpeshta, atëherë, intervenimi kirurgjikal është trajtimi adekuat. Hemorroidet, në asnjë formë nuk shndërrohen në kancer.
Përshëndetje doktor. Ndonjëherë kam djegësi në vrimën anale, pak vështirësi gjatë jashtëqitjes. Kur më paraqitet djegësia, atëherë kam edhe gjakderdhje. Pegata është pak me gjak si dhe kam piksim deri 5-6 pika. Këtë e kam vërejtur kohët e fundit, por më duket se kam edhe ënjtje të vrimës anale, kruarje gjatë ditës në atë interval kohor (një javor ose 10 ditë e më pak) që më ndodh kjo. Pastaj djegia qetësohet dhe s’kam kurrfarë problemi.
Jam sportist, nuk e konsumoj duhanin, alkoolin, por më tepër ushqimet e thata.
Nëse më jepni ndonjë informacion për këtë, ju falënderoj.
PËRGJIGJE:
Përshëndetje. Nga ankesat që treguat mendoj se bëhet fjalë për nodule hemorroidale dhe komplikimet saj. Zakonisht hemorroidet komplikohen me kruarje, dhimbje dhe gjakderdhje. Gjakderdhja është si pasojë e fryrjes dhe pëlcitjes së tyre dhe rrjedhjes së gjakut, kjo mund të jetë e shpejtë e ndonjëherë edhe pika-pika. Kjo gjakderdhje ndonjëherë është e furishme që sjell të sëmurin në anemi. Konstipacioni dhe ushqimi i thate janë faktorët kryesorë që shkaktojnë hemorroidet dhe komplikimet si gjakderdhja dhe dhimbja. Unë ju këshilloj që së pari të ekzaminoni zorrën e trashë me endoskop që njihet si Rektoskopia, pastaj të rregulloni ushqimin dhe të përmirësoni daljen jashtë, së paku 3 herë në javë. Ushqim me shumë fibra, fruta, perime, ujë.
Përshëndetje. Jam 18 vjeçar, më herët kam pasur probleme me lukth, nuk mundja të gogësij me rregull, pastaj kisha gogësime të tharta. Kam përdorë Noreflux me rekomandim të doktoreshës, por ato i ndërpreva para dy dite, sepse kam dhimbje në lukth dhe vazhdon në gjoks deri në fyt. Kur e liroj frymën, më djeg fyti dhe kam barkqitje një herë në ditë.
Jam shumë i shqetësuar, tash kur pi çaj të nxehtë më dhemb lukthi, jo gjithnjë, ama më kap si ngërç.
Gjithashtu kam probleme me unaza të qafës dhe të shpinës. A ka kjo ndonjë lidhshmëri?
Të lutem doktor, më kthe përgjigje.
PËRGJIGJE:
Përshëndetje. Gogësima, dhimbja në gjoks dhe djegia, mund të jenë si pasojë e refluxit gastrik që ne e quajmë reflux gastroesoageal, kthim i përmbajtjes gastrike në ezofag . Djegia e fytit është një nga simptomat e refluxit.
Trajtimi qëndron në antacid (si magalox) dhe inhibitorë të pompës protonike siç janë omeprazoli, pantoprazoli, etj. Terapia mund të zgjatë deri 8 javë, varësisht nga simptomat.
Dhimbja e lukthit është problem tjetër që nuk lidhet me refluxin. Unë ju rekomandoj që të konsultoni gastroenterologun dhe të diskutoni problemet dhe mënyrën e trajtimit. Analiza e Helicobakterit është një nga ekzaminimet që duhet të bëhet. Ushqimi gjithashtu luan rol në paraqitjen e dhimbjeve.
Përshëndetje, doktor Arbër. Kam problem me lukth, një kohë të gjatë kam dhimbje. 3 muajt e fundit kam shumë dhimbje barku, rreth kërthizës, në diagonale me kërthizën edhe shpinën, në mes të brinjëve. Ndonjëherë më fryhet dhe barku. Kam përdredhje në bark dhe si nje lloj djegie, kur i kam këto dhimbje edhe në fytyrë i ndjej, më paraqiten puçrra të skuqura. Poashtu, thartirë, gazra të shpeshta, ndonjëherë dhe problem me barkqitje, me gjumë po kam problem. Kam bërë shumë analiza, më ka dalë Helicobacter Pylori 1.91, tjerat analiza janë në rregull
Me rekomandim të një gastrologu kam përdorë pantoprazol dhe xanxal 2 jave, në fillim të terapisë kam qenë mirë, mirëpo tash prapë i kam këto dhimbtë.
Jam tip shume i stresuar, menjëherë fillon lukthi të më dhemb.
I lexova udhëzimet tua dhe mbaj dietë në ushqim: lakra, qepë, makiato, ëmbëlsira, pikante…
Po brumërat. Kafja turke dhe çajet e frutave, kamomili, uva, a guxoj t’i përdor?
Doktor, çka më rekomandoni?
PËRGJIGJE:
Përshëndetje, me sa lexova ju paskeni bërë HP dhe rez. është pozitiv por nuk jeni mjekuar për të larguar bakterien, me Xanax nuk largohet bakteria, dmth terapia ka qenë jo e plotë.
Ju duhet të merrni tre medikamentë për të larguar bakterien e ato janë një inhibitorë i pompës protonike dhe dy antibiotikë, por këto duhet të mirren nga gastroenterologu dhe ju kisha këshillu që në kohën më të lirë të mundshme të lajmëroheni tek specialisti për të marrë ilacet e duhura.
Xanax nuk jipet tek moshat e reja dhe nuk ka asnjë efekt, prandaj ju rekomandoj ta ndaloni perdorimin.
Mund të vazhdoni me dietën e theksuar më lartë, mund të bëni edhe një analizë të fecesit për parazit të mundshëm, dhe një ultrazë të barkut për të eliminuar ndonjë infeksion të kolecistës.
Tung doktor, jam 49 vjeçe dhe kam probleme me ushqim qe 2 vite. Çfarëdo që ha, më bën dëm, përpos bukës me djath. E kam bërë dy herë gastroskopinë, mjeku më thotë qe nuk po vërehet asgjë e keqe, mirëpo unë kam probleme me ushqim. Nganjëherë zorrët më japin dhimbje jo aq te forta, nuk po mund të fle, por as të qetësohem. Pres përgjigjen tënde, doktor.
PËRGJIGJE:
Përshëndetje. Nuk kam të qartë cilat janë pengesat tuaja, dhimbjet para apo pas ushqimit, djegje, gromësirë, urth apo qka. Varësisht nga simptomatologjia edhe lloji i marrjes së ushqimit ka ndryshime. Kërcitja e zorrëve mund të jetë si pasojë e lëvizjeve dhe përcjelljes së përmbajtjes, dhe ato mund të shoqërohen me gazra, edhe këtu mirë është të shifen analizat e fecesit në parazit, pastaj mirë është të shifet edhe pankreasi dhe vlerat e amilazës. Helicobakter pylori duhet të verifikohet. Periudha dy vjeçare e sëmundjes tregon se nuk ka diqka serioze përpos ndonjë arsye funksionale.
Përshëndetje doktor. Jam 27 vjeç dhe më mundon lukthi, ana e majtë. Ky mundim më vjen më së shpeshti kur ha diçka djegës, ndodh që të kem edhe gjakderdhje gjatë jashtëqitjes. Ky mundim nuk më ndodh shpesh, më mundon vetëm një ose dy ditë.
Të lutem, më jep një përgjigje.
Faleminderit.
PËRGJIGJE:
Përshëndetje. Ushqimet djegës, të tharta dhe ushqimet që kanë melmesa mund të krijojnë diskonfort epigastrik tek personat më shtim të aciditetit në stomak dhe gastrit kronik. Ky lloj ushqimi gjithashtu krijojnë probleme me hemorroidet , duke shkaktuar djegje, kruarje dhe herë herë gjakderdhje. Rekomandoj që të largoni ushqimet e lartëpërmendura, të konsultoni gastroenterologun për endoskopi eventuale, marrje të Omeprazolit ose Pantoprazolit sipas nevojes dhe suposteve per hemorroide sipas nevojë.
Përshëndetje doktor. Këta 5-6 muajt e fundit kam pasur disa shqetësime të vogla në vrimën anale, në sipërfaqen e saj kam pasur fryrje. Shokët më thonë që kjo më ndodh si mungesë e lëngjeve trupore ngaqë unë nuk i ha gjellët.
Jam shumë i shqetësuar dhe do doja ndihmën tuaj.
Më falni për shqetësimin.
Gjithë të mirat.
PËRGJIGJE:
Përshëndetje. Fryrja në sipërfaqen anale zakonisht krijohet si pasojë e noduleve hemorroidale ose hemorroide të jashtme. Ato kanë shumë faktorë të paraqitjes, por më kryesori është konstipacioni (kapsllëku), vështirësi në dalje jashtë, duke pasur vështirësi dhe duke bërë presion në kanalin anal, krijohet mundësia e fryrjes së venave ose siç quhet ndryshe, hemorroide. Konstipacioni vjen si pasojë e mos përdorimit të ushqimeve me fibra, perimeve, frutave dhe ujit (lëngjeve). Dmth, duke përmirësuar ushqimin me shumë fibra dhe lëngje, ju parandaloni konstipacionin dhe paraqitjen e hemorroideve. Një ekzaminim fizikal dhe endoskopik (rektoskopia) mund të diagnostikojë hemorroidet me saktësi të plotë.
Përshëndetje, jam 27 vjeçar. Ka 2 vite që më fryhet fundi i barkut dhe më jep temperaturë, më dhemb koka. Disa mjekë më kanë thënë se duhet të operohem prej bruhi, disa të tjerë më kanë thënë që kam probleme në zorrë të trashë. Të gjitha analizat kanë dalë mirë, por dhimbja vazhdon. Nuk po di se ku të orientohem, kërkoj ndihmën tënde.
Faleminderit.
PËRGJIGJE:
Përshëndetje. Fryrja në fund të barkut mund të paraqitet në disa mënyra dhe nga shumë faktorë. Hernia hiatale inguninale mund të jetë një nga shkaktarët e fryrjes dhe kjo lehtë mund të diagnostikohet nga kirurgu abdominal, që pastaj mund të trajtohet në mënyrë kirurgjikale. Një tjetër mundësi mund të jetë si pasojë e gazrave në zorrën e trashë e shoqëruar me konstipacion që krijon ndjenjën e fryrjes në pjesët e veçanta të zorrës. Unë ju rekomandoj të vazhdoni konsultën tek kirurgu dhe gastroenterologu për t’u ekzaminuar dhe diagnostikuar saktë.
Jam 22 vjeçar, prej disa vitesh kam një dhimbje të lokalizuar në anën e djathtë, në pjesën e sipërme të abdomenit. Fillimisht dhimbja është e lehtë, më pas vështirësohet dhe fillon të më fryhet abdomeni, ndjejë rëndesë gjithashtu. Ndonjëherë kam edhe temperaturë, gjithashtu edhe gazra. Para një viti isha te mjeku gastroenterolog – hepatolog, bëra incizim me ultrazë të abdomenit dhe nuk kisha ndonjë komplikim. Nga mjeku u diagnostikova me gastritis dhe helycobacter pylori. Pas shfrytëzimit të terapisë së rekomanduar kisha përmirësim të dukshëm, mirëpo nuk isha shëruar plotësisht. Tani dhimbjet më janë veshtirësuar shumë.
Ju lutem doktor, pres ndihmën tuaj.
PËRGJIGJE:
Përshëndetje. Dhimbja në anën e djathtë zakonisht i referohet pengesave në zorrën e trashë dhe problemeve me kolecistën. Kur keni gazra dhe fryrje barku, të shoqëruara me konstipacion atëherë ka mundësi që kjo dhimbje të jetë më e shprehur dhe me intervale më të gjata. Gjithashtu duhet të përsëritet testi i helicobakter pylorit përmes fecesit për të vërtetuar shërimin. Mirë është të përsëritet ultrazëri i abdomenit, sipas nevojës dhe ankesave pastaj edhe ekzaminimet endoskopike. Ushqimi dhe dieta luan një rol të rëndësishëm që ju duhet të keni vëmendjen, një ushqim më shumë yndyra, djegës, të thata dhe ëmbëlsirat shtojnë prezencën e gazrave dhe dhimbjen në anën e djathtë. Ju rekomandoj të ri-konsultoni gastroenterologun për evaluaim të mëtutjeshëm.
Nganjëherë problemet dispeptike nevojitet përsëritja e trajtimit me medikamente dhe në rastin tuaj ndoshta ka nevojë të përsëritet mjekimi si herën e kaluar, për disa ditë ose javë.
Përshëndetje doktor, jam 17 vjeç. Gjatë kryerjes së nevojës së madhe po kam gjakosje, mirëpo pa dhembje. Vendosa të shkruaj ty sepse s’po di se është diçka rrezik, po brengosem shumë dhe nuk di se ku te orientohem.
Pres me padurim përgjigjen tuaj.
Me respekt.
PËRGJIGJE:
Përshëndetje. Në shumicën e rasteve gjakderdhja nga zorra e trashë ka origjinën nga hemorroidet e brendshme ose të jashtme. Në raste të rralla është si pasojë e sëmundjeve tjera siq janë polipet, divertikulitet, angiodisplazionet dhe tumoret. Unë mendoj së tek ju bëhet fjalë për hemorroidet që janë fryrje venave në zorrën e trashë, si pasojë e shumë faktorëve, duke filluar nga konstipacioni, shtatzënia,ushqimet dhe faktorët gjenetik. Komplikacion i shpeshtë i hemorroideve janë gjakderdhjet, kjo gjakderdhje mund të jetë me sasi të pakët ose herë herë edhe e zgjatur dhe e bollshme që kërkohet intervenim kirurgjikal. Hemorroidet nuk janë rrezik për jetë dhe shëndet por që në masë të madhe çrregullon kualitetin e jetës.Trajtimi bazohet në dieta dhe medikamente topikale, yndyra ose suposte. Duke rregulluar konstipacion dhe duke konsumuar ushqim të shëndetshëm ju në masë të madhe zvogëloni mundësinë e paraqitjes së hemorroideve dhe gjakderdhjes. Nëse nuk keni ekzaminuar zorrën e trashë unë ju rekomandoj që ta bëni që të vërtetohet burimi i gjakderdhjes dhe hemorroidet.
Jam 24 vjeçar, vuaj nga lukthi qe 5 muaj. E kam bërë gastron qe 4 muaj. Gati më kishte kalua sëmundja,.por tani më është paraqitur sërish. Më vjen të vjelli, jam i lodhur, kam humbur shumë peshë, gjithnjë jam nervoz. Trupi më mpihet nganëherë. Mendoj