Site icon Telegrafi

DPLUS reagon ndaj Haradinajt: Po shfrytëzon resurset publike për qëllime të promovimit të partisë

Organizata Demokraci Plus përmes një shkrimi në faqen zyrtare në Facebook ka thënë se kryeministri i vendit, Ramush Haradinaj, po shfrytëzon resurset publike për qëllim të promovimit të subjektit politik që ai e udhëheq.

Demokraci Plus thekson se përderisa legjislacioni vendor e sanksionon çështjen e keqpërdorimit të zyrave publike dhe burimeve njerëzore vetëm gjatë procesit zgjedhor, i njëjti parim do të duhej të vlente edhe jashtë procesit zgjedhor.

“Janë shënuar disa raste ku Kryeministri i vendit, Ramush Haradinaj, po shfrytëzon resurset publike për qëllim të promovimit të subjektit politik që ai e udhëheq. Përderisa legjislacioni vendor e sanksionon çështjen e keqpërdorimit të zyrave publike dhe burimeve njerëzore vetëm gjatë procesit zgjedhor, i njëjti parim do të duhej të vlente edhe jashtë procesit zgjedhor”, thuhet në reagim.

Organizata Demokraci Plus ka përmendur takimin e Haradinajt me një anëtar të Kuvendit Komunal të Prizrenit i cili kishte kaluar në AAK, dhe takimi ishte mbajtur në objektin e kryeministrisë. Dhe sipas Demokraci Plus kjo paraqet keqpërdorim të zyrave publike dhe resurseve njerëzore.

“Në fotografitë e publikuara në faqen e Facebook-ut të Haradinaj ku ai kishte pritur një anëtar të Kuvendit Komunal të Prizrenit i cili kishte kaluar në AAK, shihet që takimi ishte mbajtur në objektin e kryeministrisë dhe në takim kishte edhe zyrtarë të kabinetit qeveritar që paguhen për punë të qeverisë e jo të AAK-së. Kjo në parim paraqet keqpërdorim të zyrave publike dhe resurseve njerëzore”, thuhet në reagim.

Kjo organizatë duke rikujtuar rastin kur Gjykata Evropiane e Drejtësisë ka detyruar lideren e së djathtës franceze Marine Le Pen që t’i kthejë Parlamentit Evropian 300,000 Euro, sepse me këto para ishte paguar një asistenti që nuk i kishte shërbyer asaj vetëm për punën në Parlamentin Evropian, i ka bërë thirrje Haradinajt dhe zyrtarëve tjerë shtetëror që të mos keqpërdorin zyrat publike dhe resurset njerëzore.

“Të rikujtojmë që së fundmi Gjykata Evropiane e Drejtësisë ka detyruar lideren e së djathtës franceze Marine Le Pen që t’i kthejë Parlamentit Evropian 300,000 Euro sepse me këto para ishte paguar një asistenti që nuk i kishte shërbyer asaj vetëm për punën në Parlamentin Evropian. I bëjmë thirrje Haradinajt por edhe zyrtarëve tjerë shtetëror që të mos keqpërdorin zyrat publike dhe resurset njerëzore për qëllime të subjekteve politike sepse përveç që dëmtojnë financiarisht buxhetin e vendit, tregojnë shembull të keq tek vartësit e tyre dhe për më tepër denigrojnë reputacionin e institucioneve të cilat duhet të jenë në shërbim të të gjithë qytetarëve të saj pa dallime partiake”, thuhet në reagimin e Demokraci Plus./Telegrafi/

Exit mobile version