Dozat përforcuese mund të zvogëlojnë shtrimet në spital në të ardhmen në Evropë me të paktën gjysmë milioni njerëz më pak, tha të enjten agjencia e shëndetit publik të Bashkimit Evropian, edhe pse varianti Omicron përhapet me një ritëm të paparë.
“Përvetësimi aktual i një doze përforcuese të arritur në fillim të janarit mund të zvogëlojë shtrimet e ardhshme në spital me 500,000-800,000 [në Evropë]”, tha Qendra Evropiane për Parandalimin dhe Kontrollin e Sëmundjeve (ECDC).
Sipas The Guardian, përcjell Telegrafi, shifrat mbulojnë BE-në me 27-vendet e saj plus Norvegjinë, Islandën dhe Lihtenshtajnin.
Aktualisht rreth 70% e popullsisë prej 450 milionë banorësh të BE-së ka pasur dy doza të një vaksine kundër Covid-19 dhe gjysma e tyre kanë marrë një dozë përforcuese.
“Zgjerimi i programit përforcues për të gjithë individët e vaksinuar më parë mund të zvogëlojë pranimet me 300,000-500,000 të tjera”, citohet të ketë thënë më tej ECDC.
Megjithëse rastet e Omicron po rriten me një shpejtësi të paprecedentë në të gjithë kontinentin, me shkallë të infeksionit tri herë më të larta se kulmi më i lartë deri më tani, shumë vende mund të jenë tashmë në një pikë kthese, tha BE.
“Ndërsa në disa shtete anëtare, kulmi i infeksionit duket se është arritur kohët e fundit, pandemia nuk ka mbaruar”, shtoi komisionerja e shëndetësisë e BE-së, Stella Kyriakides. /Telegrafi/