Site icon Telegrafi

“Dosjet e Panamasë”, vjen reagimi i autoriteteve panameze

Qeveria panameze është shprehur e gatshme të bashkëpunojë për rastin e të ashtuquajturave “Letrat e Panamasë”, dokumente të publikuara në një rrjet për 214 mijë kompani që kanë fshehur paratë e tyre në të ashtuquajturat parajsa fiskale.

Bashkëpunimi i ofruar nga autoritetet lokale ka të bëjë me kërkesën për asistencë në rast se ndaj subjekteve të përfshira në listë ndërmerren aksione ligjore.

Vetë prokuroria panameze ka njoftuar nisjen e hetimeve për të verifikuar shkelje të mundshme, që mund të dalin në dritë nga publikimi i dokumenteve.

Dosja në tërësi përmban 11.5 milionë nëndosje sekrete, për një total prej 2.6 terabyte – e – mail, PDF dhe “file” që mbulojnë një periudhë nga viti 1970 deri në pranverën e 2016-s.

Dokumentet japin informacione mbi liderë dhe ish-liderë të shteteve më të fuqishme të botës, si dhe yje të sportit dhe artit që kanë pastruar para, kanë shmangur taksat dhe kanë evituar sanksionet.

Mes VIP-ave të politikës figurojnë edhe familjarë të tyre si kunati i presidentit kinez Xi Jinping, një mik i ngushtë të presidentit rus Putin dhe babai i kryeministrit britanik, Ian Cameron.

Nuk mungojnë edhe mbreti saudit Salman, presidenti argjentinas Mauricio Macri dhe presidenti azer Aliyev. Nga bota e sportit, sipas “Irish Times” figurojnë emrat e mbi 20 futbollistëve të mëdhenj, të së kaluarës dhe së tashmes, nga radhët e klubeve të rangut të lartë si Barcellona, Manchester United dhe Real Madrid.

Mes emrave që kanë dalë në dritë janë Leo Messi dhe Ivan Zamorano. Por në listë figurojnë edhe pronarë dhe ish-pronarë të të paktën 20 klubeve prestigjioze, mes të cilëve Inter, Boca Juniors dhe Real Sociedad. Sa i takon botës së kinemasë, spikat emri i aktorit kinez Jackie Chan dhe ai i regjisorit spanjoll Pedro Almodovar.

Ndërkohë, kompania ligjore panameze që ka ndihmuar subjektet në fjalë për të fshehur pasuritë e tyre, “Mossack Fonseca” ka deklaruar se, hetimi mbi pasuritë e fshehura të më të mëdhenjve të botës është një krim dhe një veprim pirat kundër Panamasë, “pasi shumë vende nuk pëlqejnë faktin se ne jemi të aftë për të tërhequr sipërmarrjet”, ka deklaruar Ramon Fonseca Mora, drejtues i studios ligjore. /TCH/

Exit mobile version