Site icon Telegrafi

Dosja ‘Habilaj’ agjentët e prokurorisë së Katanias në Shqipëri, ja kë kanë arrestuar

cantalupo arrestato dalla guardia di finanza cologno - per redazione sesto - foto Altobelli / Spf

Prokuroria e Katanias me anë të një njoftimi për hetimin lidhur me trafikimin e drogës dhe armëve nga banda e “Habilajve”, në kuadër të operacionit të njohur si “Rosa dei Venti”, njofton se efektivët e Guardia di Finanza në Komandën Rajonale të Katanias kanë mbërritur para pak ditësh me mision në Shqipëri.

“Oficerët e Njësisë së Policisë Gjyqësore të Katanias, me ndihmën e kolegëve të Shërbimit Ndërkombëtar të Policisë në Departamentin e Sigurisë Publike-Interpol, Komandës së Përgjithshme të Guardia di Finanza dhe Drejtorinë Qendrore të Shërbimeve Antidrogë kanë dorëzuar aktet lidhur me procedimin penal në Prokurorinë e Përgjithshme shqiptare”, shkruhet në deklaratë.

Gjithashtu thekson se agjentët italianë kanë marrë pjesë në arrestimin e Nezar Seitit, i cili është një prej 4 shqiptarëve që nuk u kap në territorin italian por që ishte në kërkim me një urdhër arrest ndërkombëtar të lëshuar nga Gjykata e Katanias me kërkesë të Prokurorisë. Madje Guardia Di Finanza ka shpërndarë dhe pamje filmike ku shikohet 40-vjeçari me pranga.

Prokuroria e Katanias shkruan se “Seiti ishte përgjegjës transporti dhe përgjegjës për shkarkimet në Itali të lëndës narkotike, në organizatën e përfaqësuar nga Moisi Habilaj, koka e këtij trafiku fitimprurës, e nga bashkëpunëtorët e tij, Maridian Sulaj e Fatmir Minaj, tashmë të arrestuar në 14 tetor në Ragusa”.

Kundër Nezar Seitit dhe shtetasve shqiptarë të tjerë të arrestuar, nga hetimet e bëra nga policia e Tiranës është zbuluar në ngarkim të grupit kriminal ndërkombëtar, një tjetër ngarkesë marijuane që do të trafikohej nga Shqipëria në Itali me rreth 4 tonë, e sekuestruar në vend falë edhe shkëmbimit të informacionit të realizuar mes autoriteteve gjyqësore të dy vendeve.

Më tej në deklaratën e Prokurorisë së Katanias theksohet gjatë viteve të fundit kjo bandë ka arritur të trafikojë armë të tipit Kallashnikov dhe sasi droge që kalojnë shifrën e mbi 20 milionë eurove. /Telegrafi/

Exit mobile version