Policia e Kosovës ka arrestuar Beqir Hoxhën, nën dyshimin se në emër të fajdesë, ka marrë nga i dëmtuari F.S., shumën prej 78 mijë e 200 euro.
Lajmin e ka konfirmuar prokurori Petrit Kryeziu, i cili tha se nesër do të paraqes kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të dyshuarit.
Ndaj Hoxhës, Prokuroria Themelore në Prizren ka filluar hetimet më 21 gusht 2023, nën dyshimin se ka kryer veprën penale “Fajdeja”.
Në vendimin e siguruar nga “Betimi për Drejtësi”, thuhet se i dyshuari Hoxha nga muaji qershor 2016 deri në fillimin e hetimeve dhe në vazhdimësi, me dashje, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të pasurisë për vete, kontrakton një shumë dukshëm joproporcionale të pasurisë në këmbim të shërbimit (dhënies së borxhit), duke shfrytëzuar gjendjen e rëndë financiare të të dëmtuarve F.S dhe prindit të tij tani të tjerë Sh.S.
Sipas vendimit, në muajin qershor të vitit 2016 duke qenë se iu duheshin para për të investuar në biznesin familjar, fillimisht i dëmtuari Sh.S., ia kishe marrë të pandehurit Hoxha shumën e të hollave prej 6 mijë euro, ku me rastin e dhënies së të hollave i pandehuri 600 euro i ndal në emër të kamatës mujore dhe e paralajmëron se për çdo vonesë duhet të paguaj nga 600 euro kamata mujore.
Kurse, i dëmtuari F.S., thuhet se nga muaji qershor 2016 deri në muajin prill 2023, në emër të shumës së marrë nga babai i tij prej 6 mijë euro, vazhdon të paguajë nga 600 euro kamata mujore, duke i dhënë në total të pandehurit shumën prej 49 mijë e 200 euro.
Tutje thuhet se, i dëmtuari F.S i gjendur në gjendje të rëndë ekonomike dhe duke mos arritur t’i paguajë shumat e kamatave, më 18 shkurt 2018 merr nga i pandehuri Beqir shumën e të hollave në vlerë prej 3 mijë euro, ndërsa në muajin mars nga i njëjti merr shumën e të hollave prej 2 mijë euro, për të cilat paralajmërohet nga i pandehuri se për çdo vonesë duhet të paguajë nga 500 euro kamata mujore.
“I dëmtuari nga muaji mars 2018 deri në muajin janar 2023, në emër të shumës së marrë prej 5.000 euro vazhdon të paguaj nga 500 euro kamata mujore duke i dhënë në total të pandehurit shumën prej 29 mijë euro, në total i dëmtuari paguan në emër të kamatave për të pandehurin shumën prej 78,200 (shtatëdhjetë e tetë mijë e dyqind) euro, kur i dëmtuari nuk arrin t’i paguaj kamatat, i pandehuri e paralajmëron se përveç borxhit bazë të marrë në fillim, për çdo vonesë i dëmtuari duhet të paguaj nga 200 (dyqind) euro kamata ditore”, thuhet në vendim.
Në vendim thuhet se, me këto veprime, Hoxha kishte për të kryer veprën penale “Fajdeja” nga neni 331, par.3, lidhur me par.1 të KPRK-së.