Site icon Telegrafi

Dosja e masakrës që tronditi Fierin, si u vra krahu i djathtë i Ben Qimes, dekonspirimi i aksioneve për arrestimin e vrasësve

Në fillim të vitit 1998, Ben Qimja rikthehet në Fier si emër i rëndësishëm. 

Ai kishte kapacitetet për t’u përballur me grupin e të paprekshmit Sel Çami. Në vitin 1998, në qendër të qytetit të Fierit ekzekutohet teksa udhëtonte me makinë vëllanë e tij Vladimir Hasani.

Viktima ishte i dyshuari kryesor për vrasjen e Enver Isufit në vitin 1994. Ngjarja nuk u zbardh kurrë. Pjesëtarët e grupit të tij nuk mund të ishin të sigurt as jashtë kufijve. Në vitin 2001, ekzekutohet në Spanjë, Pajtim Yzeiri. Mendohet se ky shtetas ishte i përfshirë në vrasjen e babait të Ben Qimes në vitin 1994.

“Unë duke ndjekur në Fier histori apo konflikte që kanë zgjatur me dekada kam kuptuar që veprojnë ndryshe, kanë mënyrë më fine, mos bien shumë në sy por edhe mos humbasin hierarkinë”, u shpreh gazetari Artan Hoxha.

Në atë kohë dyshimet për vrasjen në Spanjë u drejtuan tek Julian Isufaj, djali i xhaxhait të Ben Qimes. Disa muaj pas ngjarjes së Spanjës, Julian Isufaj do të ishte viktimë e një atentati brutal në qendër të Fierit.

Në 25 Mars të vitit 2002, ai kishte ndalur mjetin pranë sheshit të njohur “valuta”. Paralel qëndron një veturë nga ku zbret një person që hap zjarr me kallashnikov. Isufaj ndërron jetë në vend.

Aksidentalisht vritet edhe kambisti Esat Tare ndërsa mbetet i plagosur një kalimtar rasti dhe Bledar Kastrati, që shoqëronte Isufajn.

Referuar dosjes hetimore, dëshmitarët identifikuan si autor Selami Hasanin, Pëllumb Yzeirajn dhe Kujtim Hasanbashën. Dëshmia kyç ishte ajo e Bledar Kastrati.

“Juliani kthen kokën nga dëshmitari dhe i trembur i thotë ‘Pëllumbi’. Në këtë kohë dëshmitari shpjegon se i pandehuri Pëllumb Yzeiraj ka qëlluar tre breshëri automatiku të ndara drejt tij dhe Julian Isufit. Pas këtij momenti dëshmitari ka parë edhe të pandehurin Selami Hasani”.

Pas ngjarjes, Sel Çami mendohet se u arratis në Itali ku qëndroi për disa vite. Ai ishte kthyer në Fier pas vitit 2005. Disa operacione për arrestimin e tij dështuan.

Pas dhjetëra aksionesh të dekonspiruara në 7 vite, Hasani u prangos në 12 Gusht të vitit 2009 nga forcat speciale. Policia e kishte rrethuar Hasanin në banesën e tij në lagjen “1 Maji” në Fier.

Atij iu gjetën edhe 2 pistoleta. Edhe pse ishte dënuar me 25 vite burg, ai la qelitë në fund të vitit 2021, pas vetëm 11 vitesh në qeli për vrasjen e Julian Isufajt./tch/

Exit mobile version