I akuzuari për krime lufte ndaj popullatës civile, Dushko Arsiq, është ulur sot sërish në bankën e të akuzuarve në Gjykatën e Prishtinës për t’u përballur me akuzat që i ngarkohen nga Prokuroria Speciale.
Në seancën e sotme u bë administrimi i provave materiale nga prokurori special i rastit, Atdhe Dema, i cili deklaroi se gjatë përmbledhjes së deklaratave të dëshmitarëve dhe të dëmtuarit Artan Krasniqi, kishte kuptuar se gjatë kohës kur kishte ndodhur rasti, i akuzuari Arsiq kishte qenë i armatosur dhe i uniformuar.
Sipas tij, dëshmitarët dhe i dëmtuari Artan Krasniqi, kishin deklaruar se i akuzuari Arsiq në bashkëveprim edhe më bashkëpjesëtarë të forcave paramilitare serbe kishin vepruar në drejtim të dëbimit, torturimit dhe maltretimit fizik dhe psikik të qytetarëve.
Ndërkaq avokati mbrojtës i të dëmtuarit Artan Krasniqi, Arsim Krasniqi tha se deklarata e të dëmtuarit që kishte dhënë në polici, prokurori dhe gjykatë ishte bindëse dhe në përputhje me njëra-tjetrën, duke shtuar se i dëmtuari kishte bërë edhe identifikimin e të akuzuarit Arsiq në mesin e dhjetë personave përmes fotografisë.
Ndërsa, mbrojtësi i të akuzuarit Arsiq, avokati Nebojsha Vllajiq propozoi që si provë materiale të elaborohen libreza ushtarake e të akuzuarit, që sipas tij, vërteton se ku i akuzuari e kishte kryer shërbimin ushtarak.
Ndërsa libreza e punës e të akuzuarit Arsiq, do të vërtetonte që i njëjti ka punuar në Komunën e Prishtinës nga muaji janar i vitit 1998.
Të dyja këto prova avokati Vllajiq ia dorëzoi gjykatës.
Provat e propozuara nga avokati Vllajiq u kundërshtuan nga prokurori Dema. Pas këshillimit të trupit gjykues, të njëjtat u aprovuan.
Në këto rrethana seanca e sotme u ndërpre dhe shqyrtimi gjyqësor i ardhshëm lidhur më këtë çështje pritet të mbahet me 19 dhjetor.
Sipas dosjes së prokurorisë, Dushko Arsiq së bashku me pjesëtarë të tjerë të Policisë Serbe dhe grupe paramilitare, në periudhën e luftës më saktësisht në muajt janar-qershor 1999 ka marrë pjesë në dëbimin dhe shpërnguljen me dhunë të qytetarëve të Prishtinës.
Tutje sipas Prokurorisë të njëjtit kanë filluar të bëjnë plaçkitjen e shtëpive, e më pastaj të njëjtave ua kanë vënë zjarrin me qëllim të dëmtimit të tyre e po ashtu ka marrë pjesë në keqtrajtimin e shqiptarëve ku disa prej tyre i kanë plagosur e disa prej tyre i kanë vrarë, thuhet në aktakuzë.
“I akuzuari ka marrë pjesë në ekzekutimin e viktimave, tani të ndjerit B.Sh., ashtu që më 20.02.1999 në fshatin Butovc, derisa viktima ka qenë duke ecur të njëjtin e kanë gjuajtur me armë automatike dhe pasi që e kanë goditur, e kanë urdhëruar të dëmtuarin A.K. që në atë kohë ishte vetëm 15-vjeçar që trupin e B.Sh. ta mbaj në shpinë”- thuhet tutje në aktakuzë.
Gjithnjë sipas aktakuzës, i akuzuari Dushko Arsiq në po të njëjtën datë dhe vendin e njëjtë fillimisht e ka ndalur të dëmtuarin A.K. që ishte 15-vjeçar, i akuzuari së bashku me ushtarët serbë dhe paramilitarët urdhërojnë të dëmtuarin që të heq çantën që e ka pasur në shpinë e më pastaj i akuzuari i del prapa shpine dhe e godet të dëmtuarin me tytë të automatikut në pjesën e poshtme të shpinës.
“Pas goditjes nga i akuzuari, i dëmtuari bie në tokë, pastaj të njëjtit fillojnë ta maltretojnë, torturojnë dhe keqtrajtojnë fizikisht e psiqikisht. Pastaj i dëmtuari vëren dy persona tjerë të nacionalitetit serb të cilët i njeh, Dragan Niçiq dhe Boban (mbiemri nuk i kujtohet), e ku i dëmtuari i pyet që të dy ‘Pse bre kojshi kjo kështu’, Bobani përgjigjet ‘Komsho bre komshija, gde je Amerika’ (Kujt bre fqinj, ku është Amerika, çfarë fqinji)”.
Sipas aktakuzës, me këto veprime i njëjti ka kryer veprën penale krime lufte kundër popullatës civile. /Kallxo.com/