Pa marrë parasysh interpretimet e shumta e të kundërta, demonstratat e vitit 1981 janë një prej ngjarjeve më të mëdha të historisë së Kosovës. Ato shënojnë fillimin e dominimit të politikës serbe në Republikën Socialiste Federative të Jugosllavisë, fillimin e suprimimit të autonomisë së Kosovës dhe të Kushtetutës së vitit 1974 që avancoi statutin politik e shoqëror të shqiptarëve, por edhe fillimin e fundit të kësaj federate e të shtetit komunist jugosllav. Rrjedha e saktë e ngjarjeve të marsit 1981 dominohet nga shumë “mistere”, sidoqoftë rezultati final është se ato do të përforcojnë nacionalizmin shqiptar dhe kërkesën e tyre për republikë e pavarësi.
Demonstratat fillimisht shpërthyen në Qendrën e Studentëve në Prishtinë, në mbrëmjen së mërkurës, më 11 mars 1981, atëherë kur thyhen pjatat “me fasule”. Si pretekst ishin pakënaqësitë e arsyeshme të studentëve me kushtet e ushqimit e të banimit.
Këtë ditë, në Stadiumin e Prishtinës ishte zhvilluar ndeshja futbollistike midis Prishtinës dhe Partizanit të Beogradit, ndaj qytetarët nuk e dinin se çfarë po ndodhë, duke menduar se demonstruesit janë simpatizantë futbolli. Atë ditë, Pajazit Nushi – atëherë nënkryetar i Këshillit Ekzekutiv të Kosovës – përpiqej të bisedonte me demonstruesit, por kot. Turmës i bashkohet Ali Lajçi i cili mban një fjalim që ndez edhe më shumë turmat.
NGA USHQIMI, TE REPUBLIKA E BORGJEZIA E KUQE
Kjo protestë – që nisi në Mensë të Studentëve – u planifikua në natën e 10 marsit 1981, në dhomën 312 të Konviktit të Studentëve. Biseda për një reagim për kushte më të mira të mësimit, të banimit e ushqimit të studentëve, vazhdon në dhomën 310. Aty ishin: Kadri Kryeziu, Ramadan Gashi, Bedri Deliu, Murat Musliu, Jonuz Jonuzi dhe Gani Koci.
Demonstratat e 11 marsit zgjatën deri në orët e hershme të mëngjesit, kur ndërpriten me intervenimin e forcave të Milicisë.
Në demonstratat e ditëve tjera (25 e 26 mars 1981), kyçet ilegalja politike shqiptare, si grupi i Mehmet Hajrizit e Hydajet Hysenit (Organizata Marksist-Leniniste e Kosovës – OMLK). Kështu, më 25 mars, në Prishtinë kishte sërish grumbullime të studentëve. ndërsa në Prizren organizohen nxënësit e shkollave fillore e të mesme. Në të dy këto qytete do të ketë arrestime.
Nxitje në atë kohë jepnin edhe revistat e shtypit ilegal në mërgim, e që lexoheshin nga studentët, si: “Liria”, “Lajmëtari i lirisë”, “Bashkimi” e të tjera. Po ashtu, grupet ilegale, që ishin mjaftë të organizuara, shtypnin edhe trakte që i shpërndanin pothuajse në tërë Kosovën.
Më 26 mars 1981, ditën kur në Prishtinë arrinte Stafeta e Rinisë (organizim që nderonte figurën e Titos, ditëlindjen e tij dhe Ditën e Rinisë së Jugosllavisë së dikurshme), studentët u drejtuan rrugëve dhe shesheve. Në mesin e tyre kishte edhe nxënës. Këtë ditë pason reagimi brutal i forcave speciale të Milicisë, në Qendrën e Studentëve, ku rrahën shumë të rinj e të reja në konvikte. Kjo bën që më 1 prill demonstratat të kenë karakter gjithëpopullor e që revolta studentore të përhapet në tërë Kosovën. Më 1 dhe 2 prill 1981, demonstrata – pos në Prishtinë – kishte edhe në Podujevë, Vushtrri, Viti, Lipjan, Ferizaj, Mitrovicë, Gjakovë, Gjilan, Prizren etj.
Më 2 prill 1981, në Prishtinë do të vriten nxënësit Naser Hajrizi dhe Asllan Pireva, që ishin organizatorë të nxënësve të Shkollës së Mesme Elektroteknike. Që të dy këta ishin pjesëtarë të ilegales (OMLK). Pas rënies së tyre, organet e Sekretariatit vazhdonin të maltretonin familjarët e tyre me të ashtuquajturat “biseda informative”.
“E humbëm djalin, vëllain dhe udhërrëfyesin tonë. Mirëpo, ishim krenarë, sepse iu bashkëngjit vargut të dëshmoreve të brezave”, thotë për Telegrafin, veterani i UÇK-së – Bujar Hajrizi, vëllai i Naserit. “Demonstratat e vitit 1981 ishin ngjarje me rëndësi te madhe historike kombëtare, sepse ishin vazhdimësi e përpjekjeve të popullit shqiptar për liri e cila u kurorëzua me luftën e lavdishme të UCK-së”.
ETIKETA E RËND: KUNDËRREVOLUCIONI
Gjatë demonstratave, demonstruesit bartnin pankarta me parullat e karakterit social dhe ekonomik. Por, nuk munguan as ato politike. Parullat kryesore, që shpesh binin në kundërshtim me njëra-tjetrën, ishin: ato të karakterit ekonomik – “Dikush në kolltuk, dikush pa bukë”, “Deri kur në podrum”, “Kërkojmë kushte më të mira”, “Trepça punon, Beogradi ndërton”; ato politike – “Republikë, Kushtetutë, ja me hatër ja me luftë”, “Jemi shqiptarë, jo jugosllavë”, “Kosova e kosovarëve”, “I duam shokët e burgosur”, “Rroftë Adem Demaçi”, “Rroftë vëllazëria e popullit shqiptar”, “Bashkim i trojeve shqiptare”; dhe ato të ideologjisë enveriste të Shqipërisë: “Rroftë marksizëm-leninizmi”, “Poshtë revizionizmi”, “S’ka bisedime me borgjezinë e kuqe”, “Rroftë klasa punëtore” dhe “Rrnoftë Enver Hoxha”.
Meqë në këto demonstrata nacionalizmi shqiptar merr karakter ideologjik – pra zgjidhja e problemeve kombëtare shihej edhe përmes utopisë komuniste (që për ato rrethana ishte normale, meqë shpresat vareshin nga Shqipëria, e tillë siç ishte) – nga krerët shtetërorë jugosllavë kishte akuza se ato janë organizuar nga shërbimet e Shqipërisë.
Sokrat Plaka, ish-ambasador i Republikës së Shqipërisë në Jugosllavi (1975-1982), në një bashkëbisedim me historianin Agim Zogaj, ka thënë se Stane Dollanci – ministri i Brendshëm jugosllav – kishte mohuar pjesëmarrjen e Shqipërisë në organizimin e demonstratave. Por, më pas, kur serbët panë reagimet e trupit diplomatik dhe të opinionit ndërkombëtar, Qeveria jugosllave ndërtoi akuza duke ia hedhur përgjegjësinë Shqipërisë.
“Pas demonstratës së vitit 1981, në Sekretariatin e Jashtëm jugosllav, zëvendëssekretari i Jashtëm kërkoi që të më dorëzonte një memorandum i cili nuk ishte protestë, por doli që ishte plot shpifje dhe akuza kundër vendit tonë, se gjoja vendi ynë ka marrë pjesë në organizimin e demonstratave, në organizimin e grupeve politike dhe ilegale kosovare etj. Unë i hodha poshtë të gjitha këto akuza të pa asnjë bazë, që bëheshin për t’ia hedhur fajin e tyre Shqipërisë”, ka thënë ai.
Kualifikimet e para të Komitetit të atëhershëm Krahinor të Lidhjes Komuniste të Kosovës, për demonstratat e 11 marsit ishin se kanë karakter të revoltës sociale. Por, në mbledhjen e 28 marsit 1981, demonstratat e 11 dhe 26 marsit u cilësuan “armiqësore”. Ndërkaq, më 2 prill, në mbledhjen e përbashkët të Kryesisë së Komitetit Qendror të Lidhjes Komuniste të Serbisë dhe të Kryesisë së Republikës së Serbisë, demonstratat u cilësuan “destruktive” që “kanë për qëllim destabilizimin e sistemit kushtetues”, “minimin e vëllazërim-bashkimit” dhe “përmbysjen e sistemit politik”.
Një ditë më vonë, më 3 prill 1981, në mbledhjen e përbashkët të Kryesisë së Këshillit Ekzekutiv Federativ dhe të Kryesisë së Komitetit Qendror të Lidhjes Komuniste të Jugosllavisë, demonstratat u cilësuan si “irredentiste”, “nacionaliste” e madje edhe “kundërrevolucionare”.
PRO ET CONTRA
Pas kësaj nisin arrestimet masive të organizatorëve dhe pjesëmarrësve me aktivë, gjykimi dhe dënimi i tyre me deri 20 vite burg. Po ashtu, nga këto demonstrata nis procesi i diferencimit ideo-politik në të gjitha strukturat dhe nivelet e jetës shoqërore, politike e intelektuale shqiptare.
Kadri Kryeziu, si nismëtar i demonstratave që nisin në Mensë, arrestohet më 11 korrik 1981. Deri atëherë jep katër provime. Atë ditë arrestohen edhe anëtarët tjerët të grupit të tij. Lajçi do të arrestohet më 26 mars 1981 dhe do të dënohet me 12 vjet burg.
Ismail Bala, atëherë nxënës i Shkollës së Mesme “Jeta e Re” në Suharekë – anëtar i grupeve ilegale (OMLK), më vonë pjesëtar i Lëvizjes Kombëtare për Çlirimin e Kosovës dhe UÇK-së – do të arrestohet më 3 qershor 1981, në orë të mësimit. Si 16-vjeçar do të dënohet me katër vite burg.
“Demonstratat e vitit 1981 janë zgjim i popullit shqiptar nga agonia. Ato vulosën rrugën që duhet marrë shqiptari i Kosovës, drejtë çlirimit dhe pavarësimit të plotë nga Serbia. Ato përforcuan ndjenjën kombëtare dhe distancimin tonë nga popujt tjerë sllavë të ish-Jugosllavisë”, thotë Bala për Telegrafin.
Njëjtë nuk mendon ish-funksionari komunist i Kosovës, Azem Vllasi, për të cilin organizatorët e këtyre demonstratave, mbi baza ideologjike e kanë luftuar sistemin e atëhershëm jugosllav, që për të ishte shteti socialist më liberal në botë.
“Kemi pasur shkolla, universitet, media, Akademi të Shkencave. Nuk ishim pa vetëdije kombëtare. Në bazë te asaj vetëdije ne kemi arritur që të institucionalizohemi”, ka thënë Vllasi, në një intervistë të dhënë para dy vitesh për Telegrafin. “Me bindje e them se askush prej federatave dhe krahinave, aq më pak shqiptarët, kanë pasur interes që problemet të zgjidhen ne mënyre të dhunshme”.
Por, Vllasi harron se në mesin e të arrestuarve ishte edhe dramaturgu e regjisori Ekrem Kryeziu, djali i begut, trashëgimtar i një familjeje aristokrate shqiptare që assesi komunist nuk ka mundur të jetë, por nacionalist po.
BAKALI E HOXHA KUNDËR ILEGALES, TË GJITHË KUNDËR VLLASIT
Kundër demonstratave është shprehur edhe ish-liderët komunistë të Kosovës, Fadil Hoxha dhe Mahmut Bakallai.
“Unë mendoj se ato demonstrata nuk na janë nevojitur dhe kanë ndodhur në kohën më të pavolitshme për Kosovën, prandaj i kanë bërë më shumë dëm Kosovës dhe popullit shqiptar, sesa dobi”, ka thënë ai në një intervistë të dhënë 16 vite më parë në Javoren Politike Shqiptare – “Zëri”. “Por, protestat morën përmasa të mëdha dhe karakter politik, pasi që disa grupacione nga ilegalja shqiptare, e frymëzuar dhe e dirigjuar edhe nga jashtë, u vunë në ballë të demonstratave duke e imponuar edhe violencën dhe parullën e ndjeshme kombëtare për republikën e Kosovës”.
Sipas Bakallait, në këtë punë u përzien edhe shumë forca tjera politike dhe destruktive joshqiptare.
“Koha kur ngjanë demonstratat ishte më e pavolitshmja për të hapur apo zgjidhur një çështje të tillë, sidomos jo për zgjidhje me trazira të rrugës. Sepse, në atë kohë, një vit pas vdekjes së Titos, bëheshin shumë kalkulime dhe projekte për ardhmërinë e Jugosllavisë, sidomos tek shumë qarqe në Serbi”, ka thënë Bakalli, të cilin politika dhe propaganda serbe po ashtu tentonte ta akuzonte si inspirator apo përkrahës të këtyre i demonstratave. “Unë isha vetëm kundërshtar i qëndrimit që ato demonstrata të vlerësohen si kundërrevolucion, për arsye të pasojave të rënda që do të dilnin për popullin dhe pozitën e Kosovës, por nuk kam qenë as inspirator as përkrahës i atyre demonstratave. Po ashtu, as publikisht as heshturazi nuk i kam përkrahur veprimet e ilegales së atëhershme shqiptare. Me kënaqësi sot përcjelli angazhimin e shumë ish-pjesëtarëve të atyre grupeve ilegale se si janë të angazhuar në proceset politike demokratike të Kosovës, në partitë politike, me një orientim të qartë transparent, demokratik dhe të mirëfilltë politik”.
Pra, Hoxha e Bakalli – i cili në shenjë pakënaqësie ndaj politikës jugosllave kundrejt Kosovës jep dorëheqje nga të gjitha postet politike – ishin kundër cilësimit të këtyre demonstratave si kundërrevolucionare. Se ato nuk ishin të tilla, këtë e ka thënë edhe disidenti komunist i ish-Jugosllavisë, Milovan Gjilas. Në librin e tij “Fuqia e ideve”, ai ka shkruar: “Komunistët, kur e shpallën si kundërrevolucion lëvizjen nacionale në vitin 1981, bënë gabim të madh. Së pari për arsyen se nuk e kuptonin se për çka në të vërtetë është fjala dhe, së dyti, ata kur e kanë dhënë atë kualifikim janë nisur nga skemat ideologjike se çdo gjë që nuk është komuniste apriori duhet të jetë kundërrevolucionare. Kjo natyrisht se nuk është e vërtetë. Këtë lëvizje nacionale të shqiptarëve askush nuk mund ta ndalë përveç nëse i vret një gjysmë milion shqiptarë”.
Por, funksionari i vetëm që i quan kundërrevolucionare ishte pikërisht Azem Vllasi.
KOSOVA NË SYTË E NJË STUDENTI ITALIAN…
Shqiptari megjithatë ishte më i diskriminuari në ish-RSFJ, ndërsa ishte dhuna e 26 marsit, të cilën e ka gjykuar vet Bakalli, ajo që i nxiti edhe më shumë shqiptarët në këto demonstrata.
“Veprimet e policisë së Serbisë, të ardhura në Kosovë me anë të Federatës dhe me vendimet e udhëheqësisë federative ndaj demonstruesve dhe ndaj popullit, ishin vërtet brutale. Brutale ishin sidomos veprimet e njësisë speciale të federatës më 26 mars, kur sulmuan dhe rrahën në konviktet e studentëve shumë të rinj dhe të reja. Të nesërmen, në mbledhjen e Komitetit krahinor ashpër e vlerësova dhe i gjykova ato masa brutale, propozova dhe u konkludua që të krijohet një komision shtetëror kosovar për të vlerësuar keqpërdorimet e autorizimeve të asaj policie. Më vonë ngjarjet morën kah të komplikuar dhe më duket se ai komision nuk ka punuar fare”, ka thënë Bakalli dikur.
Për Lajçin, demonstratat nuk ishin të dëmshme, por funksionarët që mbronin programet e Serbisë.
“Ne as nuk e shtinim dikë në burg as nuk e dënonim dikë. Thjeshtë, kërkonim të drejtat që u takonin shqiptarëve”, thotë Lajçi për Telegrafin.
Ndërkaq, Mehmet Hajrizi thotë se Vllasit sa herë i jepet rasti e denigron Lëvizjen Kombëtare të Kosovës.
“Udhëheqja e Kosovës jo vetëm nuk përkrahte përpjekjet e shqiptarëve për të drejta e liri, por vihej tërësisht në shërbim të regjimit pushtues, duke luftuar Lëvizjen Kombëtare më shumë se nga sa i kërkohej”, thotë Hajrizi për Telegrafin.
Për fund, do të ishte mirë të njihet mendimi i studentit italian Demetrio delifera, i cili për studime për kulturën shqiptare gjendej në Prishtinë në kohën e këtyre demonstratave. Në gazetën “Espresso” të Italisë, ai do të botojë pjesë të ditarit të tij. Përshkrimi i tij prej një neutrali, zbërthen më së miri atë se a ishin në gjendje të mirë apo të keqe shqiptarët e Kosovës në vitin 1981.
“E drejta e studimit për studentët kosovarë është ende shumë më e kufizuar sesa ajo që u jepet universiteteve të tjera të vendit. Shërbimet publike në Prishtinë janë të nivelit më të ulët. Megjithëse mësimi bëhet edhe në shqip, nuk ka libra në këtë gjuhë. Për t’i siguruar ato nga Tirana, kur është e mundshme, duhet të paguhet një mbitaksë e lartë. Pika tjetër që i shtyri studentët të manifestojnë ishte niveli i ulët i jetesës dhe papunësia (80 për qind e të diplomuarve nuk gjejnë punë, shumë prej tyre kanë emigruar në Gjermani, Francë, Belgjikë, Zvicër, e Suedi)”, ka shkruar ai.
“Asnjë jugosllav që nuk ishte në Prishtinë, nuk ka mundur të imagjinojë nga të dhënat zyrtare ftohtësinë dhe vendosmërinë e reparteve të Policisë të sjella me aeroplan nga Beogradi. Por, as banorët e Prishtinës nuk e dinë me të vërtetë se çfarë u bë në mbrëmjen e datës 26 mars. Duheshin pesë ditë që të përhapeshin në qytet, në fillim habia, e mandej urrejtja për policët e për ata që i dërguan. Gjithashtu, rritet gjithmonë e më shumë shqetësimi për qytetarët e shumtë të arrestuar që rrezikohen të mos dalin më nga burgu, siç ndodhi më 1968”, ka shkruar ndër të tjera ky italian që dëshmon – siç kishte thënë këngëtarja më e famshme e asaj kohe në ish-Jugosllavi, Zana Nimani – se për demonstrata shqiptarët “me siguri kishin ndonjë arsye”! /Telegrafi./