Borussia Dortmundi i ka caktuar Manchester Unitedit shifrën e transferimit dhe afatin deri kur mund ta transferojnë objektivin e tyre, Jadon Sancho.
Sancho ka shkëlqyer në dy sezonet e fundit në Bundesliga me Dortmundin, ku me shumë gola dhe asistime është bërë njëri nga emrat më të kërkuar në Evropë.
Interesimi më i madh për të vjen nga klubet angleze të Ligës Premier, ku në veçanti Manchester Unitedi është lidhur shumë me një transferim të tij gjatë verës.
Megjithatë, vlerësimi i Djajve të Kuq për lojtarin dhe ai i Dortmundit kanë dallim jo të vogël dhe një marrëveshje nuk është materializuar ende.
Sipas gazetës gjermane Bild, marrëveshja do të përfundojë vetëm nëse ekipi i Ole Gunnar Solskjaer rrit ofertën dhe e paguan brenda afatit.
Dortmundi thuhet t’i ketë thënë Unitedit se nuk do ta shesin Sanchon nëse nuk plotësohen kërkesat e tyre prej 120 milionë eurosh deri më 10 gusht.
Pas krizës së shkaktuar nga pandemia e coronavirusit shifra të tilla janë të vështira për t’u paguar dhe drejtuesit e klubeve disa herë e kanë treguar këtë fakt. /Telegrafi/