Talenti francez, Ousmane Dembele vazhdon të mbetet i suspenduar nga skuadra e Borussia Dortmundit për të mos stërvitur me skuadrën.
Dembele gjatë javës së kaluar u ‘zhduk’ duke mos u paraqitur fare në stërvitjen e klubit, pasi dëshira e tij është kalimi te Barcelona.
Këtë gjest të talentit francez nuk e kanë pritur aspak mirë drejtuesit e skuadrës nga Signal Iduna Park, të cilët e kanë suspenduar lojtarin.
Suspendimi i Dembeles për të mos stërvitur me klubin po vazhdon ende dhe klubi i madh gjerman ka bërë me dije se ky suspendim do të vazhdoj deri në njoftimin e radhës.
“Borussia Dortmund ka vendosur të vazhdojë pezullimin e lojtarit Ousmane Dembele nga stërvitjet e ekipit të parë deri në njoftimin e radhës”, thuhet në njoftimin e Dortmundit.
“Ousmane Dembele, sigurisht ka mundësi të bëjë ndonjë trajnim individual në pista”, ka shpjeguar drejtori sportiv i klubit, Micheal Zorc.
Për sulmuesin e talentuar francez interesim të madh ka shprehur Barcelona që ka ofruar 100 milionë euro, ndërsa ditëve të fundit është raportuar edhe për interesimin e Real Madridit. /Telegrafi/