Telegrafi

Dortmundi ia paguan klauzolën dhe nga sezoni i ri do të drejtohet nga Marco Rose

Borussia Dortmund do të ketë një trajner të ri për sezonin e ardhshëm.

Gjiganti gjerman nuk ka arritur pritshmëritë këtë edicion dhe ka shkarkuar trajnerin Lucien Favre javë më parë, ndërsa tani udhëhiqet nga ndihmësi i tij Edin Terzic.

Por as boshnjaku nuk do ta ketë besimin e drejtuesve të klubit për edicionin e ardhshëm, pasi Dortmund ka zgjedhur trajnerin Marco Rose që aktualisht është pjesë e Borussia Moenchegladbach.

Lajmin e ka bërë të ditur vetë klubi i Gladbah, që nëpërmjet një njoftimi në rrjetet zyrtare zbardhi marrëveshjen e Rose me Dortmundin.

Aktualisht, Rose ka udhëhequr me sukses ekipin e tij aktual duke qenë se është në garë për të siguruar një vend në garat evropiane, megjithatë duke filluar nga sezoni i ardhshëm duhet të nisë të mendojë për objektiva shumë më të rëndësishëm teksa do t’i jepet një mundësi e artë për të qenë më shumë në qendër të vëmendjes.

Rose kishte një klauzolë largimi nga Gladbach, klauzolë të cilën e ka paguar Dortmund dhe që besohet se ka qenë pesë milionë euro.

44-vjeçari është në krye të Borussia Moenchegladbach që nga viti 2019, derisa më herët ka drejtuar edhe gjigantin austriak RB Salzburg. /Telegrafi/