Ylli i Kosovës, Milot Rashica mund të përfundojë në verë te Borussia Dortmundi si pasues i anglezi Jadon Sancho, i cili pritet të largohet.
Sancho ka shkëlqyer në dy vitet e tij te Dortmundi duke dhuruar super-paraqitje me gola dhe asistime, dhe ka përfunduar në radarin e gjigantëve evropianë.
Mediat angleze raportojnë se Sancho ka pranuar të përfundojë një transferim te Manchester Unitedi kur të hapet afati kalimtar i transferimeve të verës.
Megjithatë, Dortmundi thuhet se nuk ka qëndruar duarkryq dhe tashmë ka gjetur pasuesin e Sanchos.
Sipas mediumit britanik The Telegraph, Dortmund është rreshtuar për transferimin e sulmuesit vushtrrias të Werder Bremenit, Milot Rashica, si një zëvendësim të mundshëm për anglezin.
Në rast se Dortmundi has në vështirësi për të transferuar sulmuesin e Kosovës atëherë klubi i madh gjerman do të aktivizojë klauzolën e tij të largimit.
Klauzola e largimit të Rashicës me Werderin thuhet se është 38 milionë euro, ndërsa nuk ka munguar as interesimi nga klube tjera të njohura. /Telegrafi/