Telegrafi

Dortmundi e fiton sfidën e parë ndaj Chelseat

(Foto: Getty Images)

Me një gol diferencë (1-0), Borussia Dortmundi e ka fituar ndeshjen e parë të 1/8 së finales në Ligën e Kampionëve kundër Chelseat në Signal Iduna Park.

Në minutën e 17-të, Thiago Silva e futi topin në rrjetë, mirëpo goli u anulua për shkak të prekjes së topit me dorë.

Dhjetë minuta më vonë, skuadra vendase rrezikoi përmes Sebastien Haller, i cili pranoi një top nga Julian Brandt, por nuk u tregua i saktë.

(Foto: Twitter/Chelsea FC)

Në vazhdim, dy raste të mira u krijuan për Joao Felix, mirëpo portugezi nuk ia doli të tregohej efektiv dhe skuadrat shkuan në pushim me rrjetat e paprekura.

(Foto: Twitter/Chelsea FC)

Gregor Kobel bëri një intervenim të mirë kur Reece James rrezikoi nga gjuajtja e lirë në pjesën e dytë. Të njëjtën protagonist u përfshinë në një rast tjetër, ku sërish fitues doli portieri.

Rezultati u zhbllokua në minutën e 63-të. Karim Adeyemi pranoi një top nga Raphael Guerreiro dhe shkoi përpara duke i kaluar mbrojtjen dhe në fund edhe portierin dhe i kaloi vendasit në epërsi.

(Foto: Twitter/Borussia Dortmund)

Epërsia prej një goli lë gjithçka hapur për ndeshjen kthyese ndërmjet Chelseat dhe Borussia Dortmundit që do të zhvillohet në Stamford Bridge më 7 mars. /Telegrafi/