Site icon Telegrafi

Dortmundi befason skuadrat evropiane, gati të thyej rekordet e klubit për ta mbajtur Haalandin

Erling Haaland është njëri nga sulmuesit më të mirë në botë për momentin.

Sulmuesi i talentuar norvegjez është bërë cak i skuadrave më të mëdha evropiane përfshirë Real Madridin, Barcelonën, Paris Saint Germain, Bayern Munich, Juventus e Liverpool.

Nga viti 2022, Haaland do të ketë një klauzolë largimi prej 70 milionë euro, shumë që nuk përbën asnjë problem për skuadrat e lartpërmendura.

Megjithatë Borussia Dortmund dëshiron që ta vazhdoj kontratën me norvegjezin, duke i ofruar edhe pagë shumë më të madhe se sa ai fiton aktualisht.

Kontrata aktuale e Haaland me Dortmund është e vlefshme deri në verën e vitit 2024 me pagë prej tetë milionë euro në sezon.

Por sipas asaj që ka raportuar Bild, Dortmund është gati ta thyej rekordin e klubit, duke e bërë Haalandin lojtarin më të paguar në histori të kësaj skuadre.

Verdhezinjtë i kanë ofruar sulmuesit norvegjez një kontratë të re deri në vitin 2026, me pagë vjetore prej 15 milionë eurove në vit.

Për të bindur norvegjezin, Dortmund ka nevojë edhe nga sponsori i tyre Puma, që duhet t’i ofrojë marrëveshje personale, pasi Haalandit do t’i skadojë kontrata me Nike.

Drejtuesit e klubit dhe të Pumas tanimë kanë zhvilluar takimet e para me agjentin Mino Raiola dhe babanë e sulmuesit.

Gjiganti gjerman e di se e ka shumë të vështirë për ta ndalur lojtarin përballë ofertave të mëdha nga gjigantët evropianë, por edhe vet Haaland dëshiron qëndrimin në Dortmund, skuadër që e ka përkrahur vazhdimisht.

21-vjeçari po kalon nëpër një formë fantastike, ku në tetë ndeshjet e para ka shënuar 11 gola dhe ka asistuar në katër të tjerë. /Telegrafi/

Exit mobile version