Manchester United mund të përfshijë kartonin e Jadon Sanchos në një marrëveshje të shkëmbimit të lojtarëve, në rast se hasin në vështirësi për ta shitur reprezentuesin anglez në verë.
‘Djajtë e Kuq’ do të ballafaqohen me një verë të ngarkuar dhe një ndër problemet kryesore të tyre do të jetë e ardhmja e Jadon Sanchos.
Sulmuesi i kushtoi atyre 73 milionë euro në verën e vitit 2021, por në janar u largua nga ‘Old Trafford’ në formë huazimi pas një përleshje me trajnerin Erik ten Hag. 23-vjeçari u rikthye tek Dortmundi për pjesën e mbetur të sezonit, klub nga i cili u transferua tek United.
Rikthimi i Sanchos në Gjermani nuk ka shkuar ashtu siç ishte parashikuar, pasi ai ka arritur të shënojë vetëm një gol dhe të bëjë dy asistime në 12 ndeshje në të gjitha garat deri më tani.
Përkundër asaj, Dortmundi do të bëjë të pamundurën për të blerë kartonin e Sanchos në fund të sezonit dhe sipas mediumit gjerman Bild, janë duke punuar në një plan sekret për ta bërë këtë.
Unitedit i duhen përforcime në qendër të mbrojtjes, një mbrojtës i majtë dhe një sulmues andaj Dortmundi mund t’iu bëjë atyre zgjedhjen më të mirë duke i ofruar tre lojtarë të tyre.
Bëhet fjalë për qendërmbrojtësin Nico Schlotterbeck dhe mbrojtësin e krahut Julian Ryerson të cilët do të ndihmonin shumë mbrojtjen e Unitedit, ndërsa sulmuesi Karim Adeyemi mund të luajë në çdo pozicion të sulmit dhe konsiderohet gjerësisht si një ndër talentët më të spikatur në Gjermani./Telegrafi/