Është bërë rreth një muaj prej kur partitë opozitare kanë deponuar në Gjykatën Kushtetuese kërkesën për interpretim nga organi më i lartë kushtetues në vend rreth zgjedhjes së Hashim Thaçit në krye të shtetit më 26 shkurt.
Derisa presidenti i zgjedhur, Hashim Thaçi, po i numëron ditët deri në zyrtarizimin e tij në postin e presidentit dhe po planifikon një ceremoni madhështore në dy sheshet e Prishtinës në ditët e para të prillit, kushtetuesja ende nuk ka dalë me verdiktin e saj, raporton KTV.
Por, në një përgjigje për KTV-në nga kushtetuesja thuhet se kjo lëndë po trajtohet me prioritet.
“Kjo lëndë tashmë është duke u trajtuar me prioritet nga Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës. Vendimi do të merret brenda afateve ligjore dhe në përputhje me Kushtetutën e Kosovës, me nenin 43.3 të Ligjit për Gjykatën Kushtetuese, si dhe me Rregulloren e punës së Gjykatës Kushtetuese. Sapo të merret vendimi, Gjykata Kushtetuese do të informojë me kohë opinionin dhe palët e përfshira në lëndë dhe vendimi do të publikohet edhe në ueb-faqen zyrtare të Gjykatës”, thuhet në përgjigjen e Gjykatës Kushtetuese.
Por, partitë opozitare thonë se pak a shumë dihet vendimi, e që sipas tyre, është refuzues. Se nuk i besojnë organit më të lartë kushtetues, opozitarët e patën thënë edhe në ditën kur e deponuan këtë kërkesë, më 4 mars.
Frashër Krasniqi nga Vetëvendosje thotë se i vetmi vendim i mirë nga kushtetuesja ishte ai për asociacionin që nuk e mori me vullnet të saj, por nga presioni qytetar.
Edhe për AAK-në vendimi pothuajse është i ditur, vetëm po presin të bëhet publik.
Në kërkesën e tri partive opozitare drejtuar kushtetueses është kërkuar masë e përkohshme ndaj çështjes që është objekt i kësaj procedure.