Analisti Jusuf Thaçi, i cili pati nisur një peticion online, përmes të cilit kërkonte veprime urgjente të Qeverisë së Kosovës për shpëtimin dhe ruajtjen e Kompleksit të Familjes Jashari, ka bërë të ditur se ka dorëzuar kërkesën në tri institucione të vendit.
Përmes një njoftimi në rrjetin social Facebook, ai ka thënë se pret që këto institucione do ta trajtojnë seriozisht këtë kërkesë qytetare dhe do të ndërmarrin urgjentisht të gjitha masat për shpëtimin dhe ruajtjen e Kompleksit të Familjes Jashari.
“Shpresoj që këto institucione do ta trajtojnë seriozisht këtë kërkesë qytetare dhe do të ndërmarrin urgjentisht të gjitha masat për shpëtimin dhe ruajtjen e Kompleksit të Familjes Jashari”, ka shkruar ai.
Ndër të tjera, Thaçi ka theksuar se nëse këto institucione nuk ndërmarrin masa, ai do ta gjejë një zgjidhje tjetër.
“Nëse këto institucione nuk ndërmarrin masa, atëherë unë personalisht (por besoj edhe shumë qytetarë të tjerë) do të mbetem aktiv derisa të arrihet një zgjidhje afatgjate për Kompleksin e Familjes Jashari”, ka thënë Thaçi .
Lidhur me këtë, deputeti i AAK-së Daut Haradinaj, në një prononcim për Telegrafin ka thënë se Ligji për Kompleksin Memorial në Prekaz, është iniciativë e legjislaturës së kaluar, por që është ndërprerë me ndërprerjen e mandatit të saj, ndërsa thotë se ka kërkuar që ligji në fjalë të riprocedohet me urgjencë.
“Gjendja alarmante e këtij kompleksi dhe mungesa e restaurimit të këtyre objekteve me vlera historike, janë arsye e fortë pse unë kam kërkuar që ky ligj të riprocedohet me urgjencë, në mënyrë që ky kompleks të trajtohet me dinjitet e në përputhje me rëndësinë dhe vlerën që ka. Duke e ditur se jemi ne 10 vjetorin e pavarësisë, dhe duke parë interesimin e jashtëzakonshëm të opinionit publik, duke përfshirë edhe shoqërinë civile, besoj qe ky projektligj do ta marrë besimin e deputeteve”, ka thënë Haradinaj./ Telegrafi/