Site icon Telegrafi

Dhurohet donacion i pajisjeve mjekësore për trajtimin e fëmijëve në QMF-në në Istog

Një donacion i rëndësishëm me pajisje mjekësore esenciale për ekzaminimin, diagnostikimin dhe trajtimin e fëmijëve është dorëzuar në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare (QKMF) në Istog.

Ky donacion i çmuar është rezultat i parntneritetit mes Cycle Kosovo for Children (CKC) dhe Action for Mothers and Children (AMC), me synimin për të përmirësuar kushtet shëndetësore për fëmijët. Pajisjet mjekësore të dhuruara do të luajnë një rol kyç në procesin e ekzaminimit, diagnostikimit dhe trajtimit të pacientëve të vegjël në Istog dhe rajonin përreth.

Pajisjet mjekësore përfshijnë: monitor pediatrik, infrared për gjetjen e venave tek fëmijët, EKG, analizator për analizë të CRP-së nga gishti, puls oksimetër për fëmijë dhe pajisje mjekësore tjera të nevojshme.

Përgjatë 10 viteve, Cycle Kosovo for Children ka mbështetur institucione shëndetësore të ndryshme, duke përfshirë Klinikën e Neonatologjisë dhe Pediatrisë në Prishtinë dhe spitalet rajonale në Pejë, Gjakovë, Mitrovicë, Gjilan, Prizren dhe Ferizaj. Ky angazhim i vazhdueshëm ka ndikuar drejtpërdrejt në përmirësimin e shëndetit të fëmijëve në Kosovë.

Ky donacion i fundit është mundësuar falë mbështetjes së vazhdueshme nga fondet e mbledhura përmes turneut vjetor të çiklizmit të organizuar nga CKC. Sponsorët dhe donatorët e këtij aktiviteti kanë luajtur një rol kyç në sigurimin e pajisjeve të nevojshme për trajtimin e fëmijëve në nevojë, duke mbështetur sistemin shëndetësor të Kosovës në misionin e tyre fisnik.

Pajisjet mjekësore të dhuruara janë thelbësore për përmirësimin e kushteve shëndetësore dhe ofrimin e kujdesit mjekësor cilësor për fëmijët në këtë qendër shëndetësore.

AMC dhe CKC shprehin mirënjohjen e tyre të thellë për stafin shëndetësor të QKMF-së dhe kryetarin e Komunës së Istogut për mikpritjen dhe pranimin e këtij donacioni.

Exit mobile version