Telegrafi

Dorëzohen ofertat për gazifikimin e rajonit të Pollogut

Sipas hulumtimit të Tv Alsat-M, autoritetet me muaj nuk japin përgjigje se pse gazsjellësi në Klevçovcë, kushton 75 milion dollarë, edhe pse në studimin e fizibilitetit i porositur nga Ministria e Transportit thuhet se duhet të kushtojë 21 milionë euro, transmeton Telegrafi Maqedoni.

Por, pjesa e gazsjellësit Klevçovcë që 80% financohet me para nga kliringu Rus, dhe 20$ me para nga buxheti, ndërtohet pa tender. Kompania ruse që e realizon projektin, që është në “listën e zezë” të SHBA-ve, është zgjedhur në marrëveshje të drejtpërdrejtë, dhe pastaj ajo përsëri pa tender zgjodhi kompani nën-kontraktuese nga Maqedonia.

Për këtë projekt institucionet heshtin. Misajlovski përsëri sot premtoi se i gjithë dokumentacioni do të na dorëzohet dhe se personalisht do të reagojë te drejtori i “REM-it”, Kërste Milladinov. Megjithatë, Milladinov mbeti i pakapshëm. Mbetet dilema e hapur si është e mundur që çmimi të jetë tre herë më i lartë se ai i përcaktuar në studim.

Ndryshe, sot pikërisht në Resurset Energjetike të Maqedonisë – REM, pesë konsorciume dorëzuan ofertat për gazifikimin e rajonit të Pollogut. Më tutje do të njoftohet se cila nga këto kompani do ta fitojë tenderin. Në rrjedhë është vlerësimi i ofertave për pjesën e gazsjellësit deri në Kavadar./Telegrafi/