Avzi Mustafa
Aty kah fundi i vitit 1996 ekipi hulumtues shkencor i Bibliotekës Popullore e Universitare “Shën Kliment Ohridski” nga Shkupi dhe Instituti i Kulturës së Lashtë Sllave, nën udhëheqjen e Mihajllo Georgievskit, bëri kërkime në rrethin e Prilepit, Gjevgjelisë, Gostivarit dhe në Strugë. Me këtë rast midis 13 dorëshkrimeve u zbulua edhe një shënim në dorëshkrim në gjuhën shqipe me shkronja cirilike.
Dorëshkrimet e zbuluara tash janë katër ungjij nga shekulli XV (zbuluar në rrethin e Prilepit me shkrim kaligrafik dhe gjuhë kishtare sllave). Midis dokumenteve në fjalë tre janë nga shekulli XVIII: një doracak nevojash të përditshme (për nevoja të shërbimeve kishtare), një minej (mujor) për muajin qershor dhe një kujtimor për të vdekurit – që të gjithë kishtare sllave me shenja gjuhësore maqedonase. Megjithatë pjesa më e madhe e dokumenteve janë nga shekulli XIX. Këto janë: një mujor (minej) për shtatorin (fragmente), një libër lutjesh (jo i plotë), një libër-listë për festat mujore, një tabelë pashkësh, një përkujtimor (libër dhuratash ku përmenden emrat e dhënësve të kontributeve të ndryshme) nga Struga nga viti 1894, një krijim muzikor me nota nga Dimitar Gradoborski dhe një fletë me një shënim në gjuhën shqipe, gjë që është edhe objekt i interesimit tonë.
Dokumenti është një dorëshkrim i gjetur ne fshatin Niçipur të Rekës së Epërme qe është i vitit 1868. Dorëshkrimi është shkruar nga Joan (Gjon) Serafimi në të folmen shqipe të Rekës. Në Dibrën e Epërme bënin pjese një numër i madh katundesh, ku sipas një vjershe të shkruar nga rilindësi i shquar i kësaj ane, Josif Bageri, përveç vuajtjeve ekonomike e sociale, na e jep edhe numrin e katundeve të Rekës se Epërme. Vjersha e mban titullin “Reka e Dibrës dhe rronjësit e saj”. Ai shkruan kështu:
“Tetëmbëdhjet copë
Katunde ka në Rekë,
Po gjindja e kësaj-
Jan gjyku për me hjek”
Nga kjo strofe e këtij poeti e patrioti të shquar kuptojmë se njerëzit e Rekës së Epërme janë gjykuar që të jene njerëz të vuajtur e të persekutuar, sepse kjo krahine shqiptare ka marrë pjesë pa ndërprerë në luftërat kundër pushtueseve e grabitqarëve të ndryshëm për ta mbrojtur vatrën e nderin e shqiptarisë.
Ky popull i viseve malore të kësaj krahine gjatë gjithë historisë ka dëshmuar trimëri e krenari. Ata i ruajtën të gjitha ato virtyte, apo siç quanin ata vet “pengjet e stërgjyshërve” dhe kurrë nuk i harruan dhe kurrë nuk u përulën para pushtuesve. Dhe, kjo krenari atyre ne një periudhë u dha edhe një autonomi të veçantë. Pushtuesit e grabitqaret e ndryshëm ketë treve e kane pasur cak të grabitjeve, sulmeve e plaçkitjeve, madje ata pa mbrojtje të askujt disa herë e shkretuan. Prandaj këta banore edhe sot e kësaj dite thirren “të shkretë”. Kështu quhen edhe nga të tjerët “shkreti”. Ne baze te një dokumenti te vitit 1468 mësojmë se 13 fshatra të kësaj treve janë boshatisur duke kaptuar male për tu vendosur ne rrethinën e Shkupit e Velesit. Por, banoret qe nuk u shpërngulën nga vatrat stërgjyshore të kësaj krahine me një fanatizëm të paparë i ruajtën shenjat dalluese të kombit. Ata te vetmen gjë si me te shtrenjtën dhe shenja qe i bashkonte ishte gjuha shqipe. Ata e quanin gjuhen shqipe “tapia e vendit”.
Çka përmban dokumenti?
Ketë e shohim edhe nga një fletë, përkatësisht nga një shënim i shkurtër, qe i takon gjysmës se dytë të shekullit XIX, i cili për nga përmbajtja paraqet një tekst biblik (me shkronja cirilike dhe me shlift të sllavishtes kishtare që shpjegohet me shkrimin e shpejtë).
Në leximin tonë që arritëm ta bëjmë, më mirë të themi atë që arritëm ta deshifrojmë, po e japim me alfabetin e shqipes, kurse fjalët e padeshifruara do t’i japim në kllapa dhe ashtu si i lexuam ne dhe me pika në kllapa do të jenë fjalët që nuk arritëm t’i lexojmë fare:
Makandej Isusi udiftoj vetëvehten masandej Apostollat (modet) (toverijade) edhe e diftoj kështu ishin bashkë Simon Pjetri edhe Thomai (kithohi vinokë) edhe Nathanaeli si ishte përkanos Galilesë
edhe (…..) (…..) edhe (…..) (…..), ishin përkanos Galilesë edhe (…..)
(…..)(…..) pulvet (…..)
Siç shihet, mjaft fjalë na mbetën pa u deshifruar nga ky tekst i shkurtër i cili na vjen nga shekulli i kaluar nga fshati Niçpur i Rekës së Epërme. Si do që të jetë, shpresoj se dokumenti i zbuluar do ta nxisë kërshërinë e lexuesit, në radhë të parë për rëndësinë gjuhësore, por edhe si një dëshmi e gjallë se në këto anë gjuha shqipe do të jetë shkruar dhe do të jetë përdorur edhe për nevoja religjioze dhe kishtare.