Hysen Osmanaj ka dhënë dorëheqjen sot si nënkryetar i KQZ-së, duke e lënë vendin vakant në institucionin zgjedhor.
Dorëheqja i është dorëzuar kryetarit Klement Zguri, i cili në fund të mbledhjes shpalli vendin vakant, për të vendosur të premten për atë që do të zëvendësojë Osmanajn si numrin 2 të institucionit.
Pavarësisht dorëheqjes, Osmanaj do të vijojë të jetë anëtar i thjeshtë i KQZ-së. Zëvendësuesi i Osmanajt pritet të jetë ish-kryetari Denar Biba, duke respektuar në këtë mënyrë edhe marrëveshjen e arritur mes Bashës dhe Ramës. Përzgjedhja e Bibës pritet të zyrtarizohet gjatë të premtes, përmes votimit të fshehtë të anëtarëve të tjerë të KQZ-së.
Ndërkohë, në mbledhjen e sotme KQZ miratoi projektvendimin për pasqyrimin e fushatës zgjedhore në radio-televizionet private, kur vendosin të transmetojnë materialet e vëna në dispozicion nga subjektet zgjedhore. Këto materiale kur vijnë nga partitë gjatë fushatës elektorale, duhet të përmbajnë logon e partisë apo koalicionit zgjedhor dhe të jetë e dukshme, jo më e vogël se logoja e operatorit audio-viziv që e transmeton dhe duhet të qëndrojë në ekran gjatë kohës së transmetimit të materialit, spotit apo reklamës zgjedhore. /Telegrafi/