Site icon Telegrafi

Dorëhiqet Elshani, i pakënaqur me bordin e FBK-së

Arbër Elshani nuk është më anëtar i Bordit të Federatës së Basketbollit të Kosovës (FBK). Ai ka dhënë dorëheqje nga posti që mbante, pasi vlerëson se ky Bord nuk po punon si duhet, duke mbetur i zhgënjyer me atë që është bërë deri tash.

Pjesëmarrjen e anëtarëve të kryesive të klubeve në Bord e konsideron si konflikt interesi dhe shton se punët në udhëheqësinë aktuale të FBK-së po shkojnë më keq sesa në udhëheqësinë e kaluar.

“Kam dhënë dorëheqje pasi nuk dua të jem pjesë e atij Bordi. Është kryekëput konflikt interesi, pasi pothuajse çdo klub ka përfaqësues të tij në Bord. Ky Bord i merr vendimet diku tjetër dhe më pas i ‘vulos’ në mbledhje”, thotë Elshani për Express.

“Unë kam qenë iniciatori kryesor që janë bërë ndryshimet në FBK, kam menduar se po punoj për të mirën e basketbollit, por kjo udhëheqësi e Bordit po del më e keqe se ajo e kaluara. Fatkeqësisht, kjo udhëheqësi ka mandat deri në vitin 2016, nuk jam aspak i kënaqur me punën që po bëhet. Kontributi im po del që ka rënë në ujë”, u shpreh më tej kryetari i KB Besës.

Elshani gjithashtu është kapur në referim, të cilin e konsideron si skandaloz, në tri xhirot e para. Ai konsideron se debutuesi i Superligës u dëmtua në tri ndeshjet që i zhvilloi, ndërsa është i pakënaqur posaçërisht me gjyqtarin Hektor Grezda, për të cilin thotë se nuk është i përgatitur as psiqikisht, as fizikisht e as në teori, e që u delegua për ta drejtuar ndeshjen e fundit të skuadrës pejane ndaj Bashkimin.

“Gjyqtarët na kanë dëmtuar, ata nuk kanë frikë aspak dhe nuk i gjykon askush për gabimet që i bëjnë”, vijoi ai.

Po ashtu, Elshani është ndarë i pakënaqur me vendimin e fundit të shtëpisë së basketbollit kosovar që t’ua ndalojë tifozëve edhe fyerjet.

“Në ndeshjen Prishtina – Peja vetëm sa u ndërpre loja për një kohë të gjatë pa nevojë dhe gjyqtarët nuk bënë asgjë. Vetëm i zhvendosën tifozët nga njëra pjesë në tjetrën. Vendimi i Bordit për sharje të individit ose ekipit, që të zbrazet salla është i pakuptimtë, kjo nuk ndodh askund, as në Banglladesh”, shtoi ai.

Elshani gjithashtu e shprehu pakënaqësinë në punën që po e bën Komisari i Garave, Bajrush Ademi. Ndërkohë, ai e përshëndeti punën e kryetarit Erolld Belegu, për të cilin thotë se po bën revolucion në basketbollin kosovar, duke e konsideruar si kryetarin më të mirë të mundshëm që ka mundur ta ketë FBK-ja.

Elshani do të vazhdojë ta kryejë detyrën e tij të kryetarit të KB Besa dhe nuk e ka ndërmend të merret më me Federatë. /Express/Telegrafi/ 

Exit mobile version