Në Shqipëri, drejtori i Përgjithshëm i Policisë së shtetit Ardi Veliu dha sot dorëheqjen.
Njoftimi u bë nga kryeministri Edi Rama përmes një postimi në Twitter, ndërkohë që në media gjatë ditës së sotme qarkulloi lajmi për shkarkimin e tij.
Zoti Veliu u emërua në krye të Policisë në shkurt të vitit 2018, me propozim të ministrit të atëhershëm të Brendshëm Fatmir Xhafa. Në tekstin e dorëheqjes, së publikuar nga zoti Rama, ai shprehet se vendimi për të lënë detyrën pas gati 4 vitesh lidhet me nevojën “për t’iu përkushtuar më shumë familjes dhe fëmijëve”, ndërsa e cilëson “sfiduese” punën gjatë kësaj periudhe “duke menaxhuar situata komplekse nga lufta kundër trafiqeve e drogës, krimit të organizuar e atij të rrugës, flukset e emigrantëve apo edhe tubimet shpeshherë të dhunshme”.
Zoti Veliu ka qenë shpesh në qendër të kritikave, sidomos kur ngjarje të rënda kriminale kanë tronditur vendin. Megjithatë ai ka gëzuar gjithnjë mbështetjen e qeverisë. Edhe sot kryeministri Edi Rama, foli me tone vlerësuese për të kur shkroi se “me konsideratën më të lartë për ndershmërinë, profesionalizmin dhe përkushtimin e posaçëm të Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Ardi Veliu, dhe me bindjen se ai ka akoma shumë për t’i dhënë shtetit në detyra të tjera, e falenderoj nga zemra për kontributin e vyer”.
Për opozitën, në të kundërt, “Ardi Veliu nuk është as i pari, as i fundit drejtor policie që gjatë këtyre 8 viteve largohet me turp, duke i shkaktuar dëme të mëdha vendit dhe qytetarëve. Kjo histori do të përsëritet përsa kohë shefi i ardivelinjve, Edi Rama, të jetë partneri kryesor i krimit të organizuar. Pa largimin e Edi Ramës, nuk ka për të patur kurrë luftë serioze ndaj krimit, policët e ndershëm do të vazhdojnë të ndihen të tradhëtuar dhe të demotivuar, si dhe ngjarjet e rënda kriminale do të vijojnë të trondisin qytetet tona”, u shpreh përmes një deklarate Sekretari i përgjithshëm i Partisë Demokratike Gazmend Bardhi./VOA