Presidenti Ilir Meta nuk e dekretoi kreun e zgjedhur të Akademisë së Shkencave, Gudar Beqiraj, por e priti atë në një takim mbrëmjen e së mërkurës, ku akademiku e njoftoi se kishte dhënë dorëheqjen për t’i hapur rrugën reformimit të këtij institucioni.
Lajmi u konfirmua nga Presidenca, ku Kreu i Shtetit theksoi rëndësinë e vendosjes së dialogut mes qeverisë dhe Akademisë së Shkencave.
Ndërkohë Meta dhe Beqiraj kane ndare te njëjtin qëndrim për nevojën dhe rëndësinë e një reformimi tërësor të kërkimit shkencor dhe Akademisë së Shkencave, në drejtim të rritjes së produktivitetit shkencor në harmoni me zhvillimet e sotme të shkencës, teknologjisë dhe inovacionit, për përballimin e sfidave të rëndësishme të vendit.
Gudar Beqiraj e konfirmoi në mbrëmje dorëheqjen edhe për Top Channel.
Ai thotë se të enjten do të ketë një deklaratë për mediat, ndërsa thekson se do të mbetet përkrah kolegëve të tij akademikë, mbështetës dhe kontribuues i procesit të reformimit të nisur tashmë të këtij institucioni të rëndësishëm.