Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) Ramush Haradinaj ka thënë se personat të cilët për arsye të ndryshme nuk mund të jenë plotësisht të përkushtuar në partinë që ai drejton janë po lirohen nga përgjegjësitë që kanë.
Përmes një njoftimi për media thuhet se fokusi i AAK-së është i orientuar për zgjedhjet komunale në vend.
“AAK-ja gjatë kësaj kohe, fokusimin kryesor dhe energjitë e saj i ka të orientuara për zgjedhjet komunale të radhës. Dhjetëra profesionistë të të gjitha fushave, përpos ekspertizës, duke shpërfaqur edhe vullnet për punë, do të garojnë në këto zgjedhje komunale.Organizimi i brendshëm i Aleancës, mbështetet në kuadrot që kanë gatishmëri e vullnet për angazhim. Ata të cilët për arsye të ndryshme nuk po mund të jenë plotësisht të përkushtuar, po lirohen nga përgjegjësitë që kanë në parti. Atyre u jemi mirënjohës dhe falënderues për kontributin, qoftë edhe vetëm njëditor, në realizimin e qëllimeve të përbashkëta”, thuhet në njoftim.
Sipas njoftimit, Haradinaj ka thënë se ndjehet i lumtur që kësaj partie është duke iu bashkuar brezi i të rinjve.
“Koha në të cilën po veprojmë, është kohë e sfidave të mëdha dhe kërkon vullnet, përkushtim e guxim për punë. Jam tejet i lumtur që Aleancës po i bashkohet një brez i tërë i të rinjve, ta gatshëm të përballen me sfidat e garës politike në të gjitha nivelet. Kjo garë, rezultatin e parë do ta jap në zgjedhjet komunale, do të vazhdojë me zgjedhjet e rregullta të brendshme në Parti, në pranverën e vitit që vjen, si dhe në zgjedhjet parlamentare të ardhshme. Duke iu uruar sukses mijëra anëtareve të Aleancës që janë të angazhuar në këtë proces, i siguroj se përkrahja ime do të jetë për secilin që shpreh vullnet për punë në forcimin e mëtutjeshëm të organizatës sonë të përbashkët. Aleanca ishte dhe do të mbetet parti e vlerave demokratike, në shërbim të Atdheut e të qytetarit”, thuhet ndër të tjera në njoftim.
Ndryshe, ish zëvendësministrja e Ministrisë së Zhvillimit Rajonal, Magbule Sadri – Shkodra ka dhënë dorëheqje nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës. /Telegrafi/