Site icon Telegrafi

Dorëheqja e ministrit Mehaj, vrasja në Runik e subvencionimi për izolimin e shtëpisë – lajmet që shënuan javën

Javën që po lëmë pati dorëheqje të një ministri e vendi po ashtu u trondit nga një vrasje, duke u bërë kështu vrasja e tretë brenda një periudhe njëjavore. 

Po gjatë javës qytetarët u njoftuan nga Qeveria për mundësinë e subvencionimit për izolimin e shtëpisë, si mund të përfitojnë dhe deri në çfarë shume.

Dorëheqja e ministrit Mehaj

Më 8 gusht u njoftua dorëheqja e ministrit Armend Mehaj nga posti i ministrit të Mbrojtjes, gjersa në vend të tij u emërua kolonel Ejup Maqedonci.

Dorëheqja e Mehajt ngjalli reagime të shumta, ndërsa nga Qeveria e Kosovës u tha se Armend Mehaj ka kërkuar lirim nga detyra për shkak të sëmundjes së gruas së tij.

E pas dorëzimit të mandatit Mehaj, në një postim në Facebook, përmendi disa prej arritjeve që tha se janë realizuar gjatë mandatit të tij në krye të Ministrisë së Mbrojtjes.

Lexo po ashtu Ambasadori gjerman, nderon Mehajn me urdhrin ushtarak “Kryqi i Nderit në Ar”

Ai tha se gjatë mandatit të tij kanë ndodhur disa arritje, sikurse dyfishimi i buxhetit për këtë dikaster nga 64 milionë në 123 milionë, rekrutimi i mbi 1.800 ushtarëve të rinj, dërgimi i ushtarëve dhe oficerëve në trajnime dhe shkollime në akademi ushtarake në SHBA, Mbretëri të Bashkuar, Gjermani, Turqi e vende të tjera.

“Ministri Armend Mehaj ka kërkuar lirim nga detyra për shkaqe familjare. Gruaja e tij është diagnostifikuar me një sëmundje të rrallë dhe për çka i duhet tretman dhe kujdes në një qytetet tjetër nga ai i Oslos. Çifti i ka tri vajza të moshës së mitur dhe ministri Mehaj ka kërkuar që të ndodhet pranë familjes në këtë kohë”, ka thënë Kryeziu, për Telegrafin.

Vrasja e rëndë në Runik dhe plagosja e tre të tjerëve

Një vrasje e rëndë ka ndodhur të enjten në orët e hershme të mëngjesit në një kafiteri në Runik të Skenderajt, ku i vrarë mbeti një person dhe tre të tjerë u plagosën.

Lajmi për Telegrafin ishte konfirmuar nga zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Mitrovicës, Avni Zahiti.

Sipas tij, bazuar në hetimet fillestare nga arma e zjarrit lëndime kanë pësuar katër persona. Njëri nga të lënduarit viktima N. L, 39 vjeçar ka ndërruar jetë në vendngjarje, ndërsa, tre persona të tjerë të lënduar (po ashtu nga arma e zjarrit) janë dërguar për tretman mjekësor në QKUK.

“Nga hetimet e para dhe këqyrja e vendit të ngjarjes, dyshohet se dy persona të maskuar kanë hyrë brenda në kafiteri kanë shtënë me armë dhe janë larguar në drejtim të panjohur. Në cilësi të provave materiale në vendin e ngjarjes janë gjetur dhe konfiskuar disa gëzhoja”, tha Zahiti.

Lexo po ashtu Tri vrasje brenda pak ditësh në Kosovë, të dyshuarit ende në kërkim

E të dyshuarit e vrasjes së rëndë në fshatin Runik të Skenderajt janë ende në arrati.

Zëdhënësi i Prokurorisë Themelore të Mitrovicës, Valon Preteni ka thënë se Prokuroria bashkë me Policinë e Kosovës po punojnë intensivisht në zbardhjen e rastit.

“Pas orës 01:20 është njoftuar prokurorja kujdestare në Prokurorinë Themelore në Mitrovicë e cila ka dal në vendngjarje bashkë me policinë. Dy persona të maskuar kanë hyrë në një lokal në fshatin Runik të Skenderajt dhe kanë shtënë me armë. Si pasojë një person ka mbetur i vrarë dhe tre janë plagosur. Rasti është kualifikuar si vrasje e rëndë nga prokurorja. Trupi i pajetë i viktimës është dërguar në autopsi në IML. Policia bashkë me prokurorinë janë duke ndërmarr veprime intensive hetimore në drejtim të zbardhjes së këtij rasti”, është shprehur Preteni.

Lidhur me vrasjen e së enjtes në Runik të Skenderajt ka folur edhe një dëshmitar. Musa Gashi ka rrëfyer se si ndodhi rasti në orët e pas mesnatës në kafiterinë e muzikës live.

Ai tregoi se nga këndi ku kishte qenë ai ulur, ka arritur të shohë vetëm një person të maskuar, e që sipas tij, i dyshuari kishte shtënë me “kallashnikov” pa pasur një objektiv të caktuar.

Viktima sipas tij është djali i pronarit. Gashi thotë se nuk është në dijeni që kanë pasur probleme me dikë paraprakisht.

“Unë jam kanë në këtë pjesën në anën e djathtë si t’hysh mrena, domethënë nuk kam mujt me pa. Ata që janë kanë drejt me derë, ata kanë pa se sa janë kanë. Ama domethënë krismat e para, të shtënat e para që janë kanë, ka gjujt një person me kallashnikov edhe na jemi ra për toke. Ata që janë kanë drejt me derë, ata e kanë pa saktë ngjarjen”, rrëfen Gashi.

Subvencionimi për izolimin e shtëpisë, si mund të përfitoni?

Ministria e Ekonomisë (ME) dhe Fondi i Kosovës për Efiçiencë të Energjisë (FKEE) të martën kanë lansuar thirrjen publike për projektin “Zbatimi i masave të efiçiencës së energjisë për shtëpitë individuale të banimit”.

Projekti ka për qëllim mbështetjen e konsumatorëve familjar përmes rritjes së efiçiencës së energjisë në shtëpitë individuale dhe mbështet nga Bashkimi Evropian, si pjesë e Pakos Emergjente, siguruar përmes Qeverisë së Republikës së Kosovës me Marrëveshjen Financiare IPA III.

Projekti përfshin subvencionimin e kostos së zbatimit të masave të përzgjedhura të efiçiencës së energjisë në shtëpi të banimit, si izolimi i jashtëm i shtëpisë, ndërrimi i dritareve, derës së hyrjes dhe izolimi i kulimit, sipas standardeve minimale dhe kritereve të përcaktuara nga FKEE.

Ky projekt ka për qëllim mbështetjen e konsumatorëve familjar përmes rritjes së efiçiencës së energjisë në shtëpitë individuale dhe kap vlerën 10 milionë euro.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka njoftuar se përmes këtyre masave, qytetarët do të mund të përfitojnë nga subvencionimi për termoizolim të mureve të jashtme dhe kulmeve dhe ndërrim të dritareve dhe dyerve të jashtme.

E në konferencën e mbajtur me rastin e lansimit të kësaj thirrje, Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli tha se mbeten të përkushtuar që çështjen e efiçiencës ta trajtojnë me prioritet dhe këtë e kemi dëshmuar jo vetëm me vendosjen e trageteve ambicioze në Strategjinë e Energjisë, por edhe me veprime konkrete që po i ndërmarrim për dy vite.

Rizvanolli theksoi se me lansimin e këtyre masave qytetarëve do t’iu sigurohet një ambient më i ngrohtë në dimër, e më i freskët në verë dhe ky investim do të ndikojë direkt edhe në faturën e energjisë elektrike për familjet, por edhe për nevojën për subvencionim rast të krizave më të cilat jemi përballur vitet e kaluara.

“Të gjithë qytetarët do të kenë mundësi të përfitojnë subvencion prej 45% të vlerës së investimit, për t’i rinovuar shtëpitë e tyre, për t’i bërë ato më efiçiente. Qytetarët mund aplikojnë për renovim të shtëpisë që përfshinë izolimin e shtëpisë, ndërrimin e dyerve, dritareve dhe izolimin e kulmit”, pohoi Rizvanolli.

Deri në çfarë shume do të jetë subvencionimi?

Subvencionimi përkatësisht rimbursimi i kostos së zbatimit të masave është i kufizuar në masën deri në 45%, apo shumën maksimale deri në 5,500 Euro si kufi maksimal i mundshëm për një shtëpi – përfitues individual, e destinuar vetëm për banim privat/familjar.

Kurse, deri në 50% arrin shuma e financimit, kur prona është në bashkëpronësi të bashkëshortëve, ose nëse gruaja është pronare e shtëpisë.

“Për t’ua lehtësuar investimet në shtëpitë tuaja me qëllim që të keni dimra më të ngrohtë e vera më të freskëta, falë përkushtimit të Ministrisë së Ekonomisë dhe Ministrisë së Financave, Punës dhe Transfereve, mbështetjes së Bashkimit Evropian dhe angazhimit të Fondit të Kosovës për Eficiencë të Energjisë kemi hapur thirrjen për masat e reja për rritjen e efiçiencës energjetike në shtëpitë private. Përmes këtyre masave të reja, do të mund të përfitoni nga subvencionimi për termoizolim të mureve të jashtme dhe kulmeve dhe ndërrim të dritareve dhe dyerve të jashtme. Subvencioni do të mbulojë 45% të vlerës së investimit, deri në 5,500 euro”, ishte shprehur kryeministri Kurti.

Si bëhet aplikimi?

Aplikimi do të bëhet përmes platformës eKosova (ekosova.rks-gov.net) dhe ka filluar më 08 gusht 2023.

Aplikimi bëhet online përmes vjegëzës në vijim: ekosova.rks-gov.net/466

Detajet në lidhje me thirrjen mund t’i gjeni këtu: www.fkee-rks.net

Ndryshe, në javën tjetër, Ministria e Ekonomisë do të shpallë thirrjet për subvencionim të efçiencës të energjisë, ku do të përfshihen për herë të parë pajisjet efiçiente shtëpiake, sistemet solare termike për ngrohje të ujit, kurse deri në fund të muajit do të lansohen thirrjet për pajisjet e ngrohjes. /Telegrafi/

Exit mobile version